Franca dhe Amerika po i ngjajnë njëra-tjetrës

Franca dhe Amerika po i ngjajnë njëra-tjetrës
  • 26 November 2015 - 10:00

Shkruan: Jim Hoagland

Qeveritë e vonuara

Konfuzioni politik, rënia e vitalitetit ekonomik dhe sulmet nga Shteti Islamik, janë arsye për t’u shqetësuar

Të gjitha kombet demokratike janë të ndikuara nga mënyra se si francezët e bartin barrën e padëshiruar të lidershipit të shtuar në luftën kundër të vetëquajturit Shteti Islamik

Një shok imi francez, që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, para disa javësh më pati thënë: “Për herë të parë prej sa e mbaj mend unë, politika franceze dhe ajo amerikane kanë filluar t’i ngjajnë njëra-tjetrës”. Ky mendim i tij nuk më ka dalë nga mendja që prej masakrës së Parisit, që është bërë të premten e kaluar. Nuk është vetëm jehona e 11 shtatorit. Për një moment, politika franceze është bërë e rëndësishme për të gjithë ne. Të gjitha kombet demokratike janë të ndikuara nga mënyra se si francezët e bartin barrën e padëshiruar të lidershipit të shtuar në luftën kundër të vetëquajturit Shteti Islamik. Periudha përgatitore për zgjedhjet regjionale që do të mbahen muajin e ardhshëm në Francë dhe zgjedhjet nacionale që do të mbahen në vitin 2017, që edhe ashtu ka qenë e mbushur me polemika, do të përflaket edhe më shumë nga kjo tragjedi. Në fakt, qëllimi i vrasësve të Shtetit Islamik, me shumë gjasë ka qenë provokimi i një lufte civile në Francë, veçanërisht në mes të myslimanëve dhe të krishterëve. Ata duan ta shpërndajnë ‘luftën e shenjtë’ përtej Lindjes së Mesme. Është e rëndësishme që Franca mos të bie në këtë kurth dhe të mbetet e përkushtuar në vazhdimin e betejës me këtë grup.

 Aseti më i fuqishëm elektoral

Kjo nuk është balancë e lehtë për t’u mbajtur. Një pjesë e analizës së mikut tim ka qenë që sulmet politike në Francë kundër kandidatëve kundërshtarë janë bërë më të furishme, më shkatërruese dhe më të udhëhequra nga mediet, ngjashëm me stilin amerikan. Ai i është referuar edhe kampanjave të ngjashme, të udhëhequra nga frika, që po bëhen nga shumë prej politikanëve tanë si dhe lulëzimit të një numri të madh të kandidatëve, në të dyja vendet. Francezët në vitin 2017 dhe amerikanët në vitin 2016 nuk do ta zgjedhin vetëm liderin e tyre të ardhshëm, mirëpo edhe atë se çfarë kombi do të jenë. Ngjashëm me shumicën e kandidatëve republikanë, që i kanë bërë imigrantët pa dokumente pikën më të rëndësishme në kampanjat e tyre, ekstremistët e djathtë të Frontit Kombëtar, për të gjitha problemet që ka vendi i tyre i fajësojnë pjesëtarët e minoritetit mysliman, që kanë origjinë nga vendet arabe dhe afrikane. Qendra nuk është në gjendje më të mirë në Francë sesa që është në SHBA. Ish presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, e kërkon nominimin e Partisë së tij Republikane duke u përpjekjes për t’i kooptuar votuesit e Frontit Kombëtar dhe votuesit e partive të tjera ekstreme, nëpërmjet shpërfaqjes së vlerave kulturore. Sarkozy është përpara ish kryeministrit Alain Juppé, që është një zgjedhje më e sigurt në garën për nominim. Sa për ironi, aseti më i fuqishëm elektoral, që është përdorur nga presidenti socialist, François Hollande, kanë qenë kampanjat e tij të fuqishme dhe të menaxhuara mirë kundër xhihadistëve në Mali, Irak dhe Siri. Përkundër asaj që ka përjetuar Franca së fundmi, gjasat janë shumë të mëdha që Hollande t’i reduktojë ushtarët e shpërndarë, për të siguruar një mbrojtje më të fuqishme të vendit të tij, gjë kjo që e bën atë një aleat më të dëshiruar për presidentin Obama, i cili vazhdon të jetë hezitues për përfshirjen e më shumë forcave amerikane në Lindjen e Mesme.

 Dimensioni psikologjik

Teksa ka kërkuar qetësi kombëtar, Hollande të hënën ka kërkuar nga Parlamenti i Francës që të miratojnë masa e ligje, që dukeshin sikur inspironin një ngritje të menjëhershme të vetëbesimit, që sulmet e ngjashme në të ardhmen, do të parandalohen. Kjo gjë është dashur shumë në këtë moment, pasi që sulmet e së premtes dhe ato të janarit, ndaj revistës ‘Charlie Hebdo’, kanë ndodhur gjatë mandatit të tij.  Qeveria e Hollande-t nuk është se ka qenë aq e përgjumur sa ka qenë e vonuar për t’u marrë me tensionet që kanë shkaktuar sulmet. Qeveria e Hollande-t ka qenë në dijeni që Shteti Islamik, nëpërmjet përdorimit të ‘armikut të brendshëm’ do të kërkonte krijimin e një 11 shtatori evropian, gjë për të cilës i ishte frikësuar kryeministri francez, Manuel Valls, në një intervistë të dhënë për ‘The Washington Post’. Valls ka qenë syhapur, duke marrë masa shtesë për siguri, mirëpo tani duhet t’ia shpjegojë elektoratit pse masat që ai i ka ndërmarrë kanë qenë të pamjaftueshme. Dimensioni psikologjik në përpjekjet për balancimin e luftës në tokat myslimane me qetësinë përbrenda kufijve është shumë i rëndësishëm. Në pesë dekadat, gjatë të cilave ose kam jetuar ose e kam vizituar shpesh Francën, unë shpeshherë kam dëgjuar elitën politike dhe ekonomike të vendit teksa flet për një rënie të një kombi, që dikur ka qenë i fuqishëm. Gjithmonë e kam marrë si një kokërr kripe, që vinte nga një popull shumë produktiv, mirëpo tejet vetëkritik. Këtë herë ka arsye për shqetësim. Konfuzioni politik, rënia e vitalitetit ekonomik dhe sulmet nga Shteti Islamik, janë arsye për t’u shqetësuar. Mirëpo, francezët janë shumë të mirë në ballafaqimin me sfidat që kanosin kombin dhe krenarinë e tyre. Edhe në këtë ata iu ngjajnë amerikanëve. Për këtë dhe shumë arsye tjera, përfshirë këtu edhe talentin për vetëkritikë, ata e meritojnë mbështetjen dhe keqardhjen tonë për humbjet.

Jim Hoagland është gazetar amerikan që e ka fituar dy herë çmimin ‘Pulitzer’. Ai është redaktor, korrespodent dhe kolumnist në ‘The Washington Post’.