'KOSOVA SOT' – 26 VITE ZËDHËNËSE E FUQISHME PËR SHTETIN E RI LIGJOR – REPUBLIKA E KOSOVËS

'KOSOVA SOT' – 26 VITE ZËDHËNËSE E FUQISHME PËR SHTETIN E RI LIGJOR – REPUBLIKA E KOSOVËS
'KOSOVA SOT' – 26 VITE ZËDHËNËSE E FUQISHME PËR SHTETIN E RI LIGJOR – REPUBLIKA E KOSOVËS

Shefik Shkodra

  • 25 March 2024 - 17:13

Shkruan: Shefik Shkodra, analist

Një çerek shekulli i gazetës KOSOVA SOT, e cila u bë Tribunë qytetare e Republikës së ardhshme dhe të tashme të Kosovës. Fillimi i saj ishte mjaft i vështirë, në kohën, kur Serbia i kishte mbyllur të gjitha mjetet e informacionit në Kosovë.

Vlera e kësaj gazete mbeti e pamohueshme deri në këtë kohë. Ajo në fillim gjatë luftës, me të drejtë duhet ta quajmë zëdhënësja e fuqishme dhe përcjellësja e të gjitha aktiviteteve të UÇK-ës.

Pasqyra e policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve serbë në vendin tonë dhe veprimet e tyre kriminale, gazetarë dhe reporterë të kësaj gazete gjatë luftës ishin edhe vetë ushtarë të formacioneve më të mira të UÇK-ës, me punën që ata e bënin sa edhe jetën e sakrifikonin për liri. Ata përbiroheshin dhe i gjenin mundësitë për ta marrë dhe për të bërë lajmin, nëpër rreziqet më të mëdha. Duke lajmëruar gjithnjë për përparimin e Ushtrisë Çlirimtare, duke i dhënë hov në përmasa të mëdha, e cila ishte në fronte duke luftuar me ushtrinë vrastare e okupueze të Serbisë, por edhe duke pasqyruar dhe duke ia plasuar opinionit gjithëbotëror për krimet e ushtrisë dhe policisë të Serbisë mbi popullatën shqiptare të Kosovës.

Beogradi duke parë se kjo gazetë e fuqishme shqiptare në Kosovë, me emrin ‘Kosova Sot’, ishte zëdhënëse e të gjitha forcave shqiptare të këtij vendi, politike dhe të UCK-së, për t’u çliruar nga regjimi i të ashtuquajturës Jugosllavi hexhimoniste dhe okupuese, nën udhëheqjen e një krimineli, tashmë të njohur, Sllobodan Millosheviq, me ministër gebelsian të informacionit, kryetarin e tashëm, Aleksandër Vuçiq, vendosën që ta shkatërrojnë këtë medie duke e shndërruar në flakë e hijë. Në fillim fare, pak para bombardimeve të NATO-s, e dënuan me para, 800 000 din. të reja. Por veprimtaria e kësaj gazete nuk u ndal.

Atëherë, më 24 mars, kur filluan bombardimet e NATO-s, në shenjë hakmarrje e dogjën krejt ndërtesën e kësaj gazete, me të gjitha makinat dhe aparatet e shtypshkronjës. Kjo gazetë dhe redaksia e saj nuk u dorëzuan kurrë.

Ndërkohë, gjatë bombardimeve, ‘Kosova Sot’ u botua në Shqipëri dhe Maqedoni deri në fund të luftës clirimtare dhe fitores mbi ushtrinë gjenocidale serbe. Për dënimin dhe kompensimin e kësaj gazete, gjykatat tona edhe të pas-luftës kanë heshtur!!!

Pas luftës riaktivizohet brenda mundësive dhe vazhdoi veprimtarinë e vet në Prishtinë. Pra, kjo gazetë, pas luftës kishte dy fronte kryesore: Atë përballë politikës të Serbisë ndaj Kosovës, dhe atë të elementit të brendshëm e problematik. Gazeta Kosova Sot ishte pro një politike e cila me bashkëpunëtorët e vet i bënte rezistencë politikës serbomadhe pandalshëm, incidenteve që krijonte brenda Kosovës me një pjesë të qytetarëve serbë, të cilët kishin mbetur. Ata ishin dhe janë të manipuluar, për të mos thënë edhe të shantazhuar nga vetë presidenti serb i Serbisë, që të ndërhyjnë në punët e brendshme të Kosovës.

Sa më shumë incidente bënin për t’i lodhur politikanët kosovarë dhe për t’i detyruar që ta ndajnë Kosovën, më në fund nëpërmes një Asociacioni.

Qytetarët shqiptarë, qoftë nëpërmes opinioneve të veta, qoftë edhe me analizat më të hollësishme e gjykonin këtë politikë pa ndërprerë. Krejt kjo bëhej vetëm nëpërmes gazetës Kosova Sot. Dhe kjo gazetë, edhe në mënyrën elektronike ka ruajtur devizën e njejtë: Për një shtet të pavarur, të pa korruptuar, demokratik e me prosperim dhe zhvillim edhe në aspektin ekonomik. Natyrisht, gjithnjë duke i demaskuar edhe ata/ato që kanë vepruar brenda këtyre viteve, pas luftës, në kundërshtim me politikën dhe interesat ekonomike të vendit. Duke lënë m’anash atdhetarinë, luftën dhe sakrificat e vendit dhe duke keqpërdorur edhe në mënyrë zyrtare.

Kështu, Kosova Sot, punoi edhe kundër interesave personale dhe parciale, duke kritikuar dhe duke ua zbardhur faqen e një pjese të oligarkëve mafiozë, të cilët vetëm pasurimin për vete e shikuan gjatë kësaj periudhe. Këto ishin devijime e deformime, që nga privatizimi i pronës shtetërore, “loja” me shumë tenderë, etj.

Gjyqësia gjithashtu, jo funksionale në favor të të drejtës për shtetin ligjor, ka shkaktuar dhe po vijon të jetë shumë inerte ndaj problemeve ekonomike dhe politike të dukshme.

Gazeta, KOSOVA SOT, me bashkëpunëtorët e vet ishte në vijë të njëjtë dhe një Tribunë gjithë qytetare, të shumicës, për një gjykim të drejtë ndaj të gjitha të metave dhe pengesave për avancimin e shtetit të ri, Republikës së Kosovës, shteti më i ri në Evropë.

Kjo gazetë ka bashkëpunëtorë dhe politikë redaktuese të paanshme dhe nuk ndikohen nga asnjë parti, janë vetëm me të drejtën dhe drejtësinë e vërtetë ligjore dhe kushtetuese.

I dëshirojmë edhe më tutje shumë suksese dhe të njëjtin vijëzim që ka pasur deri më ditët e sotme. Ndoshta e vetmja kështu ndër të gjitha mediet shqiptare ku flitet e lexhohet shqip.