Gazeta 'KOSOVA SOT' e guximshme në luftën për liri, e paanshme në informim për 26 vjet rresht të shtetndërtimit

Gazeta 'KOSOVA SOT' e guximshme në luftën për liri, e paanshme në informim për 26 vjet rresht të shtetndërtimit
Gazeta 'KOSOVA SOT' e guximshme në luftën për liri, e paanshme në informim për 26 vjet rresht të shtetndërtimit

Arsim Aziri

  • 28 March 2024 - 21:31

Shkruan: Arsim Aziri

Dalja në dritë e gazetës “Kosova Sot” pikërisht në kohën kur regjimi serb ishte egërsuar në kulm, dhe nga dita në ditë po e zbarkonte arsenalin e tij ushtarak për ta sulmuar, për ta djegur e rrafshuar , zhdukur me platforme gjenocidiale popullin shqiptar të Kosovës, ishte një veprim i guximshëm, i barasvlershëm me guximin e ushtarit të uniformuar që u mobilizua dhe ja mësyni betejës për të luftuar. 

Guximi dhe vendosmëria për informim të drejtë, për zbardhjen dhe paraqitjen para opinionit vendor e ndërkombëtar veprimet makarbre kriminale të regjimit të Millosheviqit nga gazeta “Kosova Sot”, e tmerruan atë dhe prandaj vendosi ta përndjek, ta ndalon së vepruari dhe duke mos u kënaqur me atë, edhe morri veprimin më ekstrem atë të sulmit shkatërrues mbi gjithë pasurinë e kësaj gazete, që ishin mjetet e punës, pra shtypshkronja ku botohej gazeta dhe jo vetëm, por edhe libra shkollor që aq shumë i nevojiteshin Kosovës së okupuar të asaj kohe nga regjimi serb. 

Jo rastësisht u zgjodh për sulm zjarrvënës kundër shtypshkronjës së gazetës “Kosova Sot” 24 marsi i 1999, si cak i parë i regjimit kriminel serb, në momentin kur mbi formacionet e ushtrisë dhe policisë barbare goditen bombat e para të NATO-s. 

Gazeta KOSOVA SOT vetëm 6 ditë para këtij shkatërrimi dhe djegie kriminele, ishte dënua pa seancë gjyqësore nga ish-ministri Aleksandër Vuçiq, me saktësisht më 11 mars 1999 , për t`u ndaluar pastaj botimi i gazetës më 18 mars 1999. Plani ishte i qartë. 

Regjimi i Milosheviqit fillimisht e mbylli gazetën KOSOVA SOT më 18 mars 1999 për t`a djegur dhe shkatërruar shtypshkronjën , dhe kështu pamundësuar pastaj daljen e saj në publik. 

Është raportuar se dëmi ka qenë në vlerë mbi 5 milionë Euro me makineri të shtypshkronjës , ku shtypeshin librat shkollore në gjuhën shqipe dhe materialet shkollore me logo të Republikës së Kosovës, duke përkrahur luftën çlirimtare dhe duke u pozicionuar haptas kundër regjimit kriminel serb të Milosheviqit

Pra dihet mirëfilli që pushteti i asaj kohe  gjithnjë ka qenë në funksion të rrënimit të së vërtetës dhe pasqyrimeve reale, që  mbase ka qenë e vetmja metodologji për të fshirë të gjitha të bëmat e veta, dhe ku më saktë se tek mediet, veçanërisht tek “Kosova Sot”, mediumi që s’u ndalë asnjëherë në pasqyrimin e krejt atyre propagandave dashakeqe të pushtetit jugosllav. 

Ky pushtet ka ditur mirë se ku duhet të godas, duke qenë në dijeni mjaft mirë për rolin dhe kontributin e këtij mediumi në çështjen tonë të drejtë, duke prodhuar me mijëra kopje të teksteve mësimore natyrisht edhe editorialeve të ndryshme. 

Dhe ani pse ka ndodhur një rrënim i qëllimtë, e me misione mirë të organizuara, Serbia aspak nuk është përgjigjur, duke e vazhduar kështu prapë me të njëjtin mision, përndjekjen e së vërtetës mbi shtetin tonë. 

Mirëpo edhe pas këtij sulmi makabër, gazeta Kosova Sot, u ri zgjua dhe doli para lexuesve të saj baras me fillimin e ditëve të para të lirisë, sepse kishte ndarë fatin e njëjtë me popullin. 

Kontributi i gazetës “Kosova Sot” tash e për mbi 25 është një kontribut i madh në procesin e ri demokratik të shtet ndërtimit duke vazhduar e guxuar për të informuar drejtë dhe denoncuar dukuritë devijonte që dëmtojnë interesin e shtetit dhe të kombit. 

Pra “Kosova Sot” u ringjallë nga feniksi, thënë figurativisht, për ta rimarrë veten që tani 25 vite pas, edhe në versionin e medies elektronike  KOSOVA SOT online, ta vazhdon betejën për informim të drejtë e të pa varur, profesional, në interesin publik të ndërtimit të shtetit dhe të avancimit të demokracisë plurale. 

Në prioritet të kësaj gazeta vazhdimisht ka qen dhe mbetet denoncimin e dukurive negative që hasen në shoqëri, luftimin e pa kompromis të grupeve të interesit, kundër politikës së inkriminuar dhe mafio-oligarkë të nëntokës kriminale që vazhdojnë ta pengojnë dhe sfidojnë zhvillimin e shtetit ligjor dhe të së drejtës. 

Pra, dy vitet e para të daljes dhe informimit në kushte lufte janë një histori e artë për të kaluarën e kësaj gazete, kurse vazhdimi dhe avancimi në kohen e lirisë dhe të shpalljes së pavarësisë,deri më sot, janë një histori tjetër e re e përpjekjeve me guxim dhe profesionalizëm, për ta informuar qytetarin vetëm drejt, ashtu siç është e vërteta, i pëlqeu apo nuk i pëlqeu dikujt, që dëshiron për të përfituar duke abuzuar me ligjin apo duke qenë pjesë e grupeve të nëntokës së krimit të organizuar. 

Le të vazhdoj pra me guxim sikur deri më tani për një shoqëri demokratike që nuk duron abuzimin me interesin publik, por drejtësi para ligjit për të gjithë dhe barazi.