Bernie Sanders nuk është i marrë, ai do ta mbështes Clinton-in në zgjedhjet e përgjithshme

Bernie Sanders nuk është i marrë, ai do ta mbështes Clinton-in në zgjedhjet e përgjithshme
  • 29 April 2016 - 18:55

Shkruan: Dana Milbank 

Demokratët nuk duan që t'ia dorëzojnë fitoren një kandidati si Donald Trump.
Sanders nuk ka shfaqur as shenjën më të vogël të dorëzimit mbrëmjen e së martës, përkundër asaj që Clinton ka fituar 'çmimin kryesor' të mbrëmjes, raporton Gazeta Kosova Sot

Para tetë vjetë sh e pata kaluar natën e zgjedhjeve në një gjimnaz në Menhatën, duke shikuar Hillary Clinton-in dhe këshilltarët e kampanjës së saj teksa qëndronin në një univers paralel. Ishte 3 qershori i vitit 2008 dhe Barack Obama sapo kishte marrë nominimin presidencial të Partisë Demokratike, duke zyrtarizuar një fitore që dukej e pashmangshme për muaj të tërë. Mirëpo, Terry McAuliffe, që atëbotë ishte kryetar i kampanjës së Clintonit dhe organizator i atij ahengu të 'fitores', kishte recituar një listë të fitoreve që i kishin korrur në atë kampanjë dhe e kishte prezantuar atë si "presidentja e ardhshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës". Clinton atë natë as që e kishte përmendur humbjen e saj, duke i lavdëruar që kishte fituar "më shumë vota sesa çdo kandidat tjetër në histori". Megjithatë, katër ditë më vonë, Clinton ishte tërhequr nga gara. Në një fjalim të mbajtur në Ndërtesën e Muzeut Kombëtar në Uashington, ajo kishte thënë që ajo dhe mbështetësit e saj "do të bënin gjithçka që ishte e mundur për t'i ndihmuar Barack Obama-s që të zgjidhet presidenti i ardhshëm i SHBA-së". Disa të pranishëm kishin bërë zhurmë në shenjë të mospërkrahjes, mirëpo Clinton ia kishte dhënë mbështetësit e saj Obama-s në muajin nëntor. Meqë e kujtoj shumë mirë këtë përfundim të betejës së ashpër demokratike në vitin 2008, unë nuk mund t'i bashkohem grupit të njerëzve që pretendojnë se Bernie Sanders është duke i shkaktuar dëm të madh Clintonit dhe po zbeh gjasat e saj për nëntor duke mbetur pjesë e garës. Situata është acaruar edhe më shumë këtë javë pasi një mbështetëse e Sanders-it, aktorja Rosario Dawson, ka përmendur Monica Lewinsky-n në një tubim të kampanjës. Hakeem Jeffries, në anën tjetër, një mbështetës i Clinton-it, ka kërkuar që Sanders t'iu thotë mbështetësve të tij që "të ndalojnë së ofruari ndihmë dhe rehati për Donald Trump-in dhe Partinë Republikane". Pse gjithë kjo histeri? Kjo gjë ka nxitur menaxherin e kampanjës së Sanders-it, Jeff Weaver, që ta akuzojë Clinton-in dhe mbështetësit e saj për "përdorim të gjuhës së rezervuar për tradhtarët e vendit tonë". Pse gjithë kjo histeri? Nuk ka rëndësi nëse Sanders-i e vazhdon kandidaturën e tij deri në votat e fundit, që do të hidhen në muajin qershor. E rëndësishme është që ai të tërhiqet me dashamirësi dhe duhet të ekzistojë çdo pritshmëri që ai do ta bëjë një gjë të tillë, për arsyen e thjeshtë: Sanders nuk është i marrë. Sanders nuk ka shfaqur as shenjën më të vogël të dorëzimit mbrëmjen e së martës, përkundër asaj që Clinton ka fituar 'çmimin kryesor' të mbrëmjes - Pensilvaninë - si dhe Merillëndin, Delauerin dhe Konektikëtin; Sanders ka fituar vetëm në Rod-Ajllënd. Ai më tutje ka mbajtur një fjalim të gjatë, 'triumfues'. Sanders tingëllonte si shantazhist mbrëmjen e së hënës kur ka thënë që Clinton, në rast se do ta fitojë nominimin, do të duhet ta fitojë mbështetjen e votuesve të tij duke përkrahur kujdesin shëndetësor me një financues, shkollimin pa pagesë dhe taksat mbi karbonin - gjëra këto që Clinton i ka refuzuar në kampanjën e saj (të suksesshme) kundër Sanders-it. Mirëpo, disa sekonda më vonë, pas ndërhyrjes së moderatorit Chris Hayes, Sanders ka shtuar: "Do të bëj gjithçka që kam mundësi për t'u siguruar që republikanët nuk do ta fitojnë Shtëpinë e Bardhë në këtë cikël zgjedhor". Sanders nuk dëshiron t'i shohë për president Trump-in apo Cruz-in Kjo është pjesa më e rëndësishme. Sanders mëton të bëjë gjithçka që është e mundur për ta nxitur Clinton-in drejt mbështetjes së politikave të tij populiste. Ai është një njeri praktik dhe ai nuk dëshiron t'i shohë për president Trump-in apo Cruz-in. Pikërisht për këtë arsye kritikat që shkojnë drejt tij për shkak se ka vendosur të qëndrojë në garë derisa të eliminohet matematikisht janë të paqëndrueshme. Eliminimi po troket. Edhe para se Clinton-i ta rriste përparësinë e saj me fitoret e së martës, Sanders-it i nevojiteshin 59 për qind e delegatëve të mbetur, ose 71 për qind, nëse përfshihen superdelegatët. Kjo gjë nuk do të ndodhë. Mbështetësit e Clinton-it druhen që ajo do të ketë probleme në zgjedhjet e përgjithshme për shkak të pretendimeve të Sanders-it që ajo nuk është e kualifikuar dhe është në xhepin e 'Wall Street'-it. Është e vërtetë që Trump-i i ka dhënë jehonë këtyre gjërave dhe që ka thënë se do të dëshironte që Sanders-i "të vazhdonte me atë që është duke bërë". Megjithatë, kjo gjë nuk e kualifikon kampanjën si të shëmtuar - veçanërisht kur krahasohet me garën e republikanëve, në të cilën kandidatët e kanë quajtur 'gënjeshtar' njëritjetrin dhe kanë debatuar për madhësinë e organeve gjenitale. Ose, krahasojeni këtë me garën Clinton-Obama në vitin 2008. Në mbledhjen e 31 majit të vitit 2008, në Komitetin Kombëtar të Partisë Demokratike, që të dy kampanjat e kishin akuzuar njëratjetrën për vjedhje. Ka pasur britma të mëdha e përdorim të gjuhës së ultë, për më tepër, ishin ftuar edhe pjesëtarë tjerë të sigurimit, për ta ruajtur rendin. Atëbotë, ndihmësit e Clinton-it, që tingëllonin pak a shumë sikur ata të Sanders-it sot, kërcënonin që Obama kishte shumë punë për të bërë për t'i bindur mbështetësit e Clinton-it që ta votonin. Mirëpo, një javë më vonë Clinton-i ishte larguar nga rruga dhe partia ishte rrugës së duhur drejt unifikimit. Kësisoj do të ndodhë edhe kësaj here. Sanders, në momentin kur të dalë jashtë garës, me të drejtë mund të cilësohet fitues për faktin që ka arritur ta zhvendosë debatin - edhe Clinton-in - në drejtim të tregtisë, 'Wall Street'-it, pabarazisë në të ardhura, financimin e kampanjës dhe energjisë. Kampanja e tij i ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë dhe ai nuk e ka ndërmend që ta vërë në rrezik gjithë lëvizjen e tij duke ia dhënë presidencën Trump-it. (Dana Milbank është kolumnist në "The Washington Post")

(Kosova Sot)