Kosova pa 'shtëpi'!

  • 24 May 2017 - 09:38
Kosova pa 'shtëpi'!

Projekti për Stadiumin Nacional ka mbetur vetëm në letër  

Një projekt gjigant ishte për ndërtimin e Stadiumit Nacional të Kosovës në Bërnicë të Poshtme me një hapësirë prej 38 hektarësh, në të cilën, përveç Stadiumit Nacional, do të ndërtoheshin edhe objekte të tjera sportive të karakterit nacional, duke përfshirë një palestër sipas standardeve evropiane, një pishinë olimpike, një hotel e parking të madh. Por, deri më tani ky projekt ka mbetur vetëm në letër dhe është larg realizimit. 

Projekti gjigant mbeti vetëm në letër

Për shkak të procedurave të shumta, ky projekt duket larg realizimit. "Financimi i projektit të Stadiumit Nacional të Futbollit, për shkak të natyrës së projektit, duhet të trajtohet në mënyrë të veçantë dhe të negociohet përmes një marrëveshjeje financiare të veçantë. Kostoja totale e projektit pritet të definohet, mirëpo, bazuar në modele të ngjashme të stadiumeve, parashihet të jetë 40-50 milionë euro", thuhej në komunikatën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në atë kohë. Ndërtimi i Stadiumit Nacional do të përmirë- sonte dukshëm gjendjen e përgjithshme të infrastrukturës së sportit e në veçanti të futbollit. Ndërtimi i Qendrës Nacionale të Sporteve do të ndihmonte për plotësimin e kritereve ndërkombëtare dhe do të mundësonte zhvillimin e aktiviteteve sportive ndërkombëtare në Kosovë, dhe një tjetër ndihmesë do të jetë edhe punësimi në Qendrën Nacionale të Sporteve, e cila do të menaxhohet nëpërmjet kushteve të ofruara me ligj nga Qeveria e Kosovës. E, gjitha kjo dukej një projekt madhështor dhe që do t'i jepte fund infrastrukturës së dobët sportive, dhe nga kjo do të përfitonin më së shumti Përfaqësueset e Kosovës, por asgjë deri më tani nuk është bërë dhe e gjitha ka mbetur vetëm në letër. Kujtojmë që Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ndeshjet si vendas i zhvillon në Shkodër, pasi asnjë stadium nuk i plotëson kriteret, kurse ai në Prishtinë është duke u rinovuar. Tifozët duhet të udhëtojnë në Shkodër për të parë Kosovën të luajë si vendas.

Nuk kanë ku të stërvitin

Drejtori i Përfaqësueses së Kosovës në volejboll, Naser Krasniqi ka thënë se është dashur të stërvitin ku të munden, pasi nuk ka palestër që i plotëson të gjitha kushtet. Kjo pritet të ndikojë edhe në rezultate. "Nuk kemi palestra për t'u stërvitur me Përfaqësueset e Kosovës. Në muajin korrik do të mbajmë edhe një Kampionat Ballkanik me vajza, por nuk kemi palestër që i plotëson të gjitha kushtet. Gjithmonë flitet para zgjedhjeve. Më pas ndryshon gjithçka. Por, të gjitha këto do të ketë pasoja më vonë. Infrastruktura do të ndikojë shumë në rezultate e paraqitje në garat ndërkombëtare. Përfaqësueset e Kosovës në volejboll në të dyja konkurrencat kanë stërvitur në Gjilan dhe në Ferizaj, pasi nuk ka palestër nacionale se ku t'i zhvillojmë stërvitjet, por edhe që do ta na shërbente që t'i mbajmë garat. Pallati i Rinisë dhe Sportit në Prishtinë është shumë i zënë dhe nuk kemi mundur të ushtrojmë aty. Nuk kemi mundur t'i zhvillojmë aktivitetet aty", ka thënë Krasniqi për "Kosova Sot". Kosova në volejboll në të dyja konkurrencat do t'i zhvillojë ndeshjet kualifikuese për Kampionatet Botërore, që do të mbahen vitin e ardhshëm, ku Përfaqësueset kosovare kanë pak gjasa për kualifikim. Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ndeshjet në kualifikimet për Kampionatin Evropian i zhvilloi në Mitrovicë, pasi palestra në Prishtinë nuk i plotësonte të gjitha kriteret. 

(Kosova Sot)