Laçi, Cetkovic rikthehet në muajin Nëntor

  • 30 July 2015 - 18:06
Laçi, Cetkovic rikthehet në muajin Nëntor

Laçi do ta nisë sezonin e ri pa shërbimet e mesfushorit malazez, Marko Cetkoviç, i cili ishte një nga pikat kyçe të formacionit të Armando Cungut gjatë sezonit të kaluar. 29-vjeçari i është nënshtruar një operacioni në tendinë disa muaj pas përpjekjeve për ta kaluar këtë dëmtim pa nëvojën e bisturisë, por bluzat e bardha kanë vendosur të ndërhyjnë për t’i dhënë fund këtij problemi.

Sipas një komunikate të publikuar nga klubi kurbinas në faqen zyrtare në Facebook, malazezi do të qëndrojë jashtë fushave të lojës deri në muajin Nëntor, çka do të thotë se ai do t’i mungojë Laçit në pjesën më të madhe të ndeshjeve të dy fazave të para të Kategorisë Superiore. Operacioni është kryer në një klinikë kroate gjatë ditës së Martë dhe vetëm pas disa muajsh Cetkovic mund të rinisë stërvitjen me fituesit e Kupës së Shqipërisë, të cilët ndodhen në Strugë për të vazhduar fazën përgatitore në kuadër të sezonit të ri. Cetkovic nuk ishte pjesë e skuadrës bardhezi për ndeshjet e Europa League kundër Inter Baku, duke i hequr jo pak cilësi ekipit në 180 minuta që e nxorrën jashtë Europës.