Problemi me palestrat

  • 11 December 2017 - 08:38
Problemi me palestrat

Klubet sportive në Kosovë vazhdojnë të ballafaqohen me shumë vështirësi, derisa infrastruktura mbetet njëri nga problemet kryesore, sidomos për sportet me dorë, në këto ditë të ftohta dhe kampionati nuk ndalet. Kur temperaturat kanë filluar të bien, palestrat në Kosovë janë shumë të ftohta, dhe ende nuk është gjetur një zgjidhje. Për këtë arsye klubet përballen me shumë probleme, si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje. Sportet me dorë janë në hall të madh se si të luajnë në të ftohtë, pasi mungon ngrohja në të gjitha palestrat anekënd Kosovës.

Objektet, me shumë mangësi

 Trajneri i cili ia kushtoi tërë jetën volejbollit dhe një pjesë të madhe të jetës e ka kaluar në palestra, Naser Krasniqi, thotë se problemi kryesor në sportin kosovar është infrastruktura, sidomos i sporteve me dorë. "Problemi i sporteve me dorë në Kosovë, në përgjithësi është infrastruktura sportive. Përveç mungesës së infrastrukturës së mjaftueshme sportive në Kosovë, edhe ato objekte që janë trashëguar nga e kaluara, por edhe ato që janë ndërtuar në vitet e fundit, po ndërtohen edhe më tutje me shumë mangësi. Duke marrë parasysh se ne jetojmë në një vend, që ka dimër të gjatë dhe të ashpër, atëherë duhet që palestrat për zhvillimin e aktiviteteve sportive të jenë të ngrohta dhe gjatë verës të kenë klimatizim, por as njëra dhe as tjera nuk ekzistojnë në Kosovë, në asnjë palestër", ka thënë Naser Krasniqi për gazetën 'Kosova Sot'. Klubet në volejboll, por edhe në sportet tjera, po e kanë shumë vështirë të luajnë në këso kushte dhe të përgatiten për ndeshjet e rëndësishme që i kanë. Madje, ka ndodhur në shumë raste, që i kanë ndërprerë stërvitjet, pikërisht për shkak të ftohtit, dhe që nuk kanë arritur të stërvitin në kushte të tilla.

Nuk i plotësojnë as kushtet minimale

 Nga ky problem nuk kanë mundur të 'ikin' as klubet e kryeqytetit. "Dy palestrat në kryeqytet përballen me të njëjtin problem. Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë nuk ka ngrohje, edhe pse është bërë tek ne procesi i koogjenerimit dhe gjithkund në objekte publike ekziston ngrohja qendrore, por në pallat akoma ka problem, dhe ngrohja bëhet sa për sy e faqe, me kalorifer me rrymë, kurse ngrohja e qytetit nuk funksionon, derisa arsyeja është shumë banale! Nuk ka mundësi me u ble një këmbyes, i cili e rregullon nxehtësinë që vjen nga ngrohja e qytetit në palestër edhe kostoja e këtij këmbyesi nuk kalon shumën e 5000 euro. Kurse problemi i palestrës '1 Tetori' që vazhdon të menaxhohet nga Qendra e Studentëve është se, aty mungon investimi në ndërrimin e disa instalimeve, si për shembull disa pompa të ujit që janë të stërvjetruara, kurse ngrohja e qytetit e ka një nënstacion të vetin bash tek palestra. Do të thotë palestra nuk i plotëson as kushtet minimale për një aktivitet sportiv. Në tërë Kosovën palestrat të tjera e kanë ngrohjen vetjake dhe aktivizimi i ngrohjeve në këto palestra, ka një kosto marramendëse dhe klubet nuk kanë mundësi të mbulojnë harxhimet e tyre", ka përfunduar Naser Krasniqi për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)