Besa favorizohet PËR TITULL

  • 20 March 2018 - 09:49
Besa favorizohet PËR TITULL

SUPERLIGA E KOSOVËS NË HENDBOLL PO BËHET SHUMË INTERESANTE 

Pejanët kanë dy pikë më shumë se prishtinasit 

Ndeshjet në elitën e hendbollit të Kosovës po bëhen shumë interesante, derisa derbin e fundit e ka fituar Besa FamGas ndaj Prishtinës, duke kryesuar me dy pikë më shumë në renditje. Ish-hendbollisti i njohur, Alban Dobroshi e favorizon ekipin pejan për titullin e kampionit

Besa FamGas të shtunën iu hakmor Prishtinës, që ia kishte shkaktuar humbjen e vetme pejanëve në tri vitet e fundit. Pejanët triumfuan me rezultat 23:17, dhe tashmë kryeson e vetme në renditje me 38 pikë, dy më shumë se prishtinasit që gjithashtu po luftojnë për titullin e kampionit. Takimi i kishte takuar javës së 20-të të Superligës A. Pjesa e parë e kësaj sfide ka qenë shumë interesante, me vendasit që kishin një gol epërsi, 10:9, por në atë të dytë pejanët u shkëputën, duke fituar në fund me gjashtë gola epërsi, dhe për të bërë një hap të madh drejt titullit të kampionit. Ndeshja kishte edhe episodet e veta, pasi Prishtina mbeti e hendikepuar qysh në pjesën e parë kur për shkak të tri përjashtimeve me karton të kuq u ndëshkua Lindrit Fetahu. Ndërkohë, për ndërhyrje të ashpër me karton të kuq në fillim të pjesës së dytë u ndëshkua Drilon Tahirukaj i Besës. Prishtinasit janë ankuar në mikpritje nga ana e vendasve, sidoqoftë, tani mbetet të fokusohen në ndeshjet e ardhshme.

Edhe këtë vit titulli në Pejë

Ish-hendbollisti i njohur i disa skuadrave kosovare, Alban Dobroshi, ka theksuar se Besa është më favorite për titull. "Nëse skuadra pejane ka goldallim më të mirë se kryeqytetasit në ndeshjet direkte, mendoj se ekipi nga Peja do të shpallet kampion. Unë edhe për këtë vit e favorizoj ekipin pejan, përkundër se prishtinasit janë përforcuar me maqedonas. Unë besoj se Besa FamGas do të mbrojë titullin e kampionit dhe nuk do të lejoj që t'i ikën titulli nga duart. Prishtina ka treguar ndeshje të mira në këtë kampionat, madje duke mundur edhe Besën, megjithatë, besoj se skuadra pejane ka më shumë përvojë dhe do të stoliset me titullin e kampionit", është shprehur Alban Dobroshi për gazetën "Kosova Sot". Besa ka dominuar në vitet e fundit në hendbollin kosovar, madje, duke përfunduar garat vendore pa asnjë humbje të vetme.

Përparësia në anën e pejanëve

Pejanët nuk e kanë pasur problem të stolisen me titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës, dy trofetë në hendbollin kosovar, megjithatë, këtë edicion pësuan humbjen e parë në tri vitet e fundit. Dobroshi ka theksuar se për një nuancë, pejanët janë në përparësi. "Besoj se në përparësi për titullin e kampionit është skuadra pejane. Prishtina ka arritur ta mposhtë një herë Besën, megjithatë, pejanët i shoh më të favorizuar. Sa i përket edicionit të sivjetmë nuk kam parë ndonjë ndryshim, edhe pse prishtinasit mundën një herë pejanët, dhe sigurisht se kjo e ka bërë kampionatin më interesant dhe kjo është në të mirë të hendbollit kosovar", ka theksuar ndër të tjera Alban Dobroshi për gazetën "Kosova Sot". Dobroshi ka luajtur për këto dy skuadra, si dhe Vëllaznimin, Kastriotin e Vushtrrinë, duke qenë një nga vendorët më të mirë pasluftës. Në vitet e fundit, Superliga e Kosovës në hendboll, ka kaluar një krizë, pasi nuk është investuar shumë në klube, derisa cilësia dhe shikueshmëria kanë qenë në rënie dhe gjithashtu edhe gara për titull e Kupë, nuk ka qenë në nivel, për shkak të dominimit të Besa FamGas.

(Kosova Sot)