Silva mohon spekulimet për transferimin e tij në Milan

  • 15 August 2018 - 14:18
Silva mohon spekulimet për transferimin e tij në Milan

Mbrojtësi Thiago Silva ka bërë të ditur se ai dëshiron të pensionohet në Paris Saint-Germain dhe ka thënë se Milani nuk e kanë kontaktuar atë për një transferim të mundshëm.

Silva, të cilin kontrata e mbanë në PSG deri në vitin 2020, ka qenë një ndër lojtarët më të rëndësishëm për suksesin e klubit që kur u transferua nga Milani në vitin 2012.

Në një intervistë për Canal+, braziliani ka treguar se ai nuk dëshiron të largohet nga kampioni francez pasi që është i lumtur aty.

“Jam në PSG dhe jam i lumtur në Paris. Kam një kontratë me klubin dhe shpresoj se do të pensionohem këtu”, ka thënë Silva.

Është përfolur se 32-vjeçari do të kthehet në Milan këtë verë, por ai ka insistuar se askush nga San Siro nuk e ka kontaktuar atë.

“Drejtori sportiv i Milanit, Leonardo, nuk më ka thirrur për të shkuar në Milan”. 

(Kosova Sot)