“Vendimi i Ronaldos për t’u larguar nga Real Madridi ishte fantastik”

  • 18 October 2018 - 14:46
“Vendimi i Ronaldos për t’u larguar nga Real Madridi ishte fantastik”

Vendimi i yllit portugez, Cristiano Ronaldo, për t’u transferuar në Juventus nga Real Madridi është lavdëruar nga ish-mbrojtësi i Bayern Munichut, Markus Babbel, i cili e ka komplimentuar 33-vjeçarin për këtë vendim.

Pesë herë fituesi i Topit të Artë, Cristiano Ronaldo, u largua nga Real Madridi gjatë afatit kalimtar të verës për t’iu bashkuar skuadrës së Juventusit për 112 milionë euro. Ai kishte arritur ta fitonte Ligën e Kampionëve katër herë gjatë kohës së tij në Madrid.

Babbel e ka lavdëruar Ronaldon për vendimin për t’u larguar nga Real Madridi dhe për t’iu bashkuar skuadrës së Massimiliano Allegrit.

“Dua ta komplimentoj Ronaldon. Në moshën 33-vjeçare, ai tha: ‘Unë nuk mund të bëj më shumë në Real Madrid. Kam nevojë për një sfidë të re, dua diçka ndryshe për të arritur ta mbaj sa më të lartë nivelin e performancave të mia”, ka thënë Babbel.

“Ai bëri një transferim fantastik në Itali. Është një ligë me të vërtetë e vështirë, veçanërisht për sulmuesit. Ronaldo nuk është lojtari im i preferuar, por kjo që e ka bërë ai është me të vërtetë e mrekullueshme”.

Ronaldo ka arritur t’i shënojë katër gola deri më tani për skuadrën e tij të re në Serie A. Ai do të rikthehet edhe në Ligën e Kampionëve gjatë javës së ardhshme, pasi që kishte munguar ndeshjen e kaluar për shkak të kartonit të kuq që e kishte marrë në ndeshjen hapëse.

(Kosova Sot)