Bonucci pasi u fishkëllye në Milano: Nëna e budallait është gjithmonë shtatzënë

  • 18 November 2018 - 13:29
Bonucci pasi u fishkëllye në Milano: Nëna e budallait është gjithmonë shtatzënë

Qendërmbrojtësi italian, Leonardo Bonucci, ka reaguar pas pritjes me fishkëllima që i bënë tifozët italianë në San Siro, gjatë ndeshjes kundër Portugalisë, duke thënë se për të është më e rëndësishme ta ketë mbështetjen e bashkëlojtarëve.

Bonucci ishte transferuar gjatë verës së vitit 2017 në Milan nga Juventusi. Kuqezinjtë ia kishin dhënë menjëherë atij shiritin e kapitenit, por këtë verë italiani dëshiroi të kthehet përsëri te “Zonja e Vjetër” pasi që nuk ishte i lumtur në Milan.

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, e la Leonardo Bonuccin në bankën rezervë për ndeshjet kundër Milanit në San Siro, në mënyrë që italiani të mos duhet të përballet me një pritje të tillë.

Mirëpo, përderisa ai i shpëtoi fishkëllimave një herë, nuk arriti ta bëjë këtë gjë edhe gjatë ndeshjes së shtunës, kur Italia u përballë me Portugalinë në San Siro, dhe Bonucci e përfaqësoi vendin e tij.

“Nëna e budallait është gjithmonë shtatzënë. Unë e kam besimin e bashkëlojtarëve dhe kjo gjë është e rëndësishme për mua”, ka thënë Bonucci pas ndeshjes.

Italia mori barazim pa gola në këtë ndeshje kundër Portugalisë. Kjo pikë i mjaftoi portugezëve për t’u shpallur fitues të Grupit 3. Italianët do të përballen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një ndeshje miqësore të martën.

 

(Kosova Sot)