Politikanët e pangopshëm e zhvatën pasurinë publike (Video)

  • 03 July 2018 - 08:10
Politikanët e pangopshëm e zhvatën pasurinë publike (Video)

Çdo kompani profitabile u shtrydh nga oligarkët

"Këtu, te ne, askush nuk do të japë llogari për milionat e fituar nga format uzurpuese të kompanive publike dhe nga korrupsioni. Pa ndryshimin urgjent të kësaj klase politike nuk ka zhvillim e as qeverisje, andaj sa më parë që të ndodhë ndryshimi ka gjasa që mund të ndodhë edhe funksionimi i rendit ligjor dhe shtetit", tha Blerim Burjani për Kosova  Sot

Që nga paslufta e deri më sot, mafio-politika po i trafikon kompanitë e tyre dhe të mafio-oligarkëve në sektorët më fitimprurës, qoftë në energjetikë, aeroport e telekom, e të cilët mafio-oligarkë ua japin "hisen" e fitimit. Nga analistët po shtrohet pyetja se si po lejohet nga institucionet e drejtësisë kjo skemë kriminale që po mbush xhepat e një grupi njerëzish, por po varfëron qytetarët kosovarë që duhet të paguajnë gjithnjë e më shumë haraçin e pushtetit. Sipas analistëve, është për t'u habitur se përse qytetarët përveç reagimeve në rrjetet sociale, e që mund të jenë vetëm një shprehje e frustrimit kolektiv, nuk po reagojnë fare si qytetari e organizuar aktive, siç është anekënd botës, ku njerëzit ngrihen në protesta të fuqishme e paqësore. Eksperti i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot", tha se fatkeqësisht për Kosovën që nga koha e luftës grupe njerëzish të organizuar në banda filluan të vrasin politikanë për ta kapur më pas edhe pushtetin dhe pasi arritën që ta bëjnë këtë, këto banda i kapën të gjithë mekanizmat ekonomiko-financiarë dhe institucionalë."Pra, këto banda që erdhën në pushtet i kapën KEK-un, PTK-në, drejtësinë, policinë", u shpreh ai.

Bandat uzurpuan institucionet

Sipas Kelmendit, Kosova fillimisht duhet që të çlirohet nga këto banda politike e më pas t'i çmontojnë të gjitha bandat e sistemuara nëpër institucionet e vendit, në drejtësi, polici, shkencë ekonomi, si dhe të bëhet kthimi i rendit në PTK dhe kudo gjetiu, pra duke i dënuar këto banda dhe duke ua konfiskuar paratë të gjithë atyre që i fituan në mënyrë të paligjshme. Ndërsa për heshtjen e qytetarëve Kelmendi thotë se kjo është e habitshme, sepse një pjesë e këtyre qytetarëve janë lodhur dhe janë topitur kurse pjesa tjetër e qytetarëve po kërcënohet nga bandat që janë në pushtet."Pjesa tjetër e qytetarëve janë bërë kolaboracionistë të pushtetit dhe kanë gjetur pak para e punë, prandaj po heshtin. Kurse shoqëria civile është fund e krye derivat i këtyre bandave politike", ka vlerësuar ai. Sipas Kelmendit, i vetmi reagim do të ishin protestat, por edhe kjo nuk do të funksionojë sepse SHIKu dhe shërbimet e tjera janë ato që po e rrezikojnë sigurinë e vendit dhe po punojnë me të madhe në rast të reagimit të popullit. Ndërsa analisti politik, Arsim Haziri, për gazetën "Kosova Sot" tha se qytetarët jo që kanë mbetur aq pasivë sa politika për të vazhduar me agjendën e saj negative, por qytetarët janë lodhur nga reagimet e shpeshta që i kanë bërë, duke i mbështetur disa nga subjektet opozitare nën idenë se ardhja e tyre në pushtet do të ndikojë në artikulimin e një qeverisje, e cila objektiv të saj themelor do ta ketë nevojën qytetare."Qytetarët tashmë s'kanë më shpresë për ndryshime të mundshme, ata më shumë, sidomos rinia, janë të orientuar drejt Perëndimit, aty ku jeta merr dinjitet dhe respekt", vlerësoi Haziri.

Zhvatja dërgon sektorin publik në falimentim

Kurse eksperti i fushës së drejtësisë, Blerim Burjani, për gazetën "Kosova Sot" tha se paligjshmëria , zhvatja e parave publike, rritja e pagave, uzurpimi i PTK-së përmes njerëzve analfabetë, që u bënë drejtorë, pastaj ndryshimet në KEK etj., po i çojnë kompanitë publike drejt falimentimit. "Ky është një realitet që të gjithë e dinë, qoftë ndërkombëtar apo edhe vendor , ku vendorët merren me politikë, me biznes, ngase në këtë shtet ka bankrotuar drejtësia, si edhe organet dhe pushteti gjyqësor përballë krimit politik", theksoi ai."Këtu te ne askush nuk do të japë llogari për milionat e fituar nga format uzurpuese të kompanive publike dhe nga korrupsioni. Andaj pa ndryshimin urgjent të kësaj klase politike nuk ka zhvillim e as qeverisje, ndaj sa më parë që të ndodhë ndryshimi ka gjasa që mund të ndodhë edhe funksionimi i rendit ligjor dhe shtetit", vijoi më tej Burjani.

Qytetarët akuzojnë pushtetin korruptiv e klientelist

Edhe qytetarët e vendit shprehen të pakënaqur me organet e drejtësisë. Ata janë të mendimit se institucionet e drejtësisë po lejojnë mafi-oligarkët me kompanitë e tyre që të kapin sektorët më fitimprurës, qoftë në energjetikë, aeroport e telekom, nga ku po i japin hiset e fitimit edhe për pushtetarët. Ata thonë se si qytetarë përveç reagimeve në rrjetet sociale dhe që mund të jenë vetëm një shprehje e frustrimit kolektiv, edhe nuk mund të reagojnë si qytetari e organizuar aktive, siç është anekënd botës, ku njerëzit ngrihen në protesta të fuqishme e paqësore. Kësisoj, ekonomisti Jakup Hasani, për gazetën "Kosova Sot", thotë se korrupsioni dhe familjarizimi tashmë kanë zënë rrënjë të madhe në Kosovë dhe askush nuk po i ndalon."Kjo ngase drejtësia në Kosovë është e vdekur dhe nuk po funksionon fare ndaj e kemi këtë situatë pa një sistem të drejtësisë dhe pa gjykata funksionale, ndonëse ato ekzistojnë, por nuk janë të pavarura, sepse njerëzit e politikës janë kudo, si në gjykata ashtu edhe në prokurori, dhe ata po i zbatojnë vetëm urdhrat e pushtetarëve dhe nëse nuk i dëgjojnë këto urdhra punëdhënësit e tyre ata do të shkarkohen", theksoi ai."Këta edhe u janë vërsulur PTK-së, KEK-ut dhe kudo po zhvatin. Ngase PTK-ja që dikur kishte vlerën e 1 miliard eurove sot është buzë falimentimit dhe asaj po i përgatitet terreni që ta blejë ndonjë biznes mafioz që është i lidhur me politikën. Populli po vuan kurse pushtetarët po heshtin. Andaj, nuk ka logjikë që pushtetarët ta luftojnë vetveten e tyre. Pa protesta gjithëpopullore nuk ka ardhmëri. Me këta pushtetarë tash 20 vjet ekonomia po shkatërrohet", potencoi Hasani. Kurse qytetari Beqir Koxha për gazetën "Kosova Sot" tha se për institucionet e drejtësisë është momenti i fundit të vetëdijesohen, duke qenë në funksion të kryerjes së detyrave të tyre ligjore, për çfarë qytetari çdo ditë po e kërkon."Mosaktiviteti i gjyqësorit për luftimin e mafio-oligarkëve është në dëm të shoqërisë, ekonomisë, tregut të lirë dhe të zhvillimit ekonomik e veçanërisht perspektivës së Kosovës për në rrugën e saj drejt BE-së. Drejtësia duhet që të fokusohet në luftën ndaj korrupsionit, duke krijuar rend, shtet ligjor dhe juridik dhe duke e respektuar Kushtetutën", u shpreh Koxha. Sipas tij, sistematizimi i njerëzve të politikës në PTK dhe në KEK duhet që të ndërpritet menjëherë, sepse Kosovës i nevojiten njerëzit e duhur në vendin e duhur si asnjëherë më parë dhe që duhet të praktikohet tek ne, duke respektuar vetëm profesionalizmin dhe aftësitë e njerëzve dhe një shoqëri demokratike.

(Kosova Sot)