Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre stërgjyshore

Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre stërgjyshore
  • 19 March 2019 - 09:19

Shkruan: Mehdi Hyseni

Duke e ndjekur shembullin pozitiv të Kishës Ortodokse Serbe (nëse kjo ka hequr dorë nga përzierja në politikën shtetërore, në Akademinë e Shkencave dhe në Universitetin e Serbisë, si dhe në propagandën e masmediave informative dhe publicistike serbe në Ballkan) për zgjidhjen e problemit kolonial me shqiptarët, atëherë edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve Serbe, në vend të Memorandumit famëkeq të vitit 1986 për shfarosjen e popujve joserbë, si dhe për grabitjen e territoreve të tyre me agresion dhe me gjenocid (1989-1999), duhet të nxjerrë një Platformë të Re Nacionale Antikolonialiste, Progresive Demokratike dhe Koekzistenciale ndaj shteteve fqinje, pikërisht ndaj shqiptarëve dhe ndaj territoreve të Shqipërisë Etnike. Mirëfilli, miratimi i një Platforme të këtillë, do të parandalonte erozionin e veprave kuazishkencore , të pamfleteve, të publicistikës, të politikës propagandistike me përmbajtje armiqësore, urrejtëse, raciste, fashiste dhe gjenocidale, me mesazh të saktë historik dhe politik, se shqiptarët janë NJË KOMB, që ka histori, flamur, abetare, kulturë, gjuhë, tradita, gjak dhe territor të përbashkët që quhet SHQIPËRIA ETNIKE.

Pra, si Kisha, si Shteti, ashtu edhe Akademia serbe me veprimtarinë e tyre publicistike e shkencore, duhet t'I bindin fëmijët, nxënësit, studentët, mësuesit, profesorët, klerikët dhe akademikët se shqiptarët nuk janë emigrantë e as migrantë qoftë në Kosovë, në Preshevë, në Bujanoc e Medvegjë, por popull autokton në trojet e tyre stërgjyshore. Këtë të vërtetë historike dhe faktike, do të duhej ta mësonin fëmijët dhe rinia serbe nga klerikët, nga mësuesit, nga profesorët, nga akademikët, nga shkenca, nga publicistika dhe nga propaganda e masmediave serbe, në mënyrë që të mos bëhen armiq dhe vrasës të shqiptarëve, ashtu sikurse në shekujt e kaluar (XVIII, XIX, XX) të historisë së përgjakshme serbo-shqiptare.

Roli i shtetit serb Krahas Kishës dhe Akademisë, nëse këto kanë ndryshuar kursin e politikës së tyre destruktive shumëshekullore ndaj shqiptarëve dhe ndaj Kosovës, atëherë edhe shteti, duhet të vegjetojë objektivisht dhe realisht për të mbyllur konfliktin kolonial shekullor me Kosovën, përkatësisht me Shqipërinë, pavarësisht se cilët janë drejtuesit e sotëm të shtetit të Serbisë, sepse derisa kryepatriarku serb Irinej deklaron se "Kosova është koka e Serbisë, trupi i ndarë i së cilës nuk mund të jetojë pa të", atëherë realisht nuk mund të ketë kurrfarë dialogu ose multidialogu paqësore mes Beogradit dhe Prishtinës, pavarësisht nga interesimi, kontributi dhe ofrimi i shërbimeve të vullnetit të mirë të BE-së, të Amerikës, të NAT-s dhe të OKB-së, që të arrihet ndonjë marrëveshje gjithëpërfshirëse paqësore në kuadrin e Dialogut të Berlinit (2019). Në këtë vështrim, shtetiSerbia së bashku me kishën dhe me akademinë serbe, patjetër, do të duhej të ndërtonte Platformën e re të strategjisë politike nacionale dhe shtetërore, me qëllim që politika e re serbe, të "shkurorëzohej" nga recidivat kancerogjenë të kolonializmit dhe të neokolonializmit të Serbisë së Madhe ndaj Shqipërisë dhe ndaj shteteve të tjera fqinje në Ballkan.

Pa dyshim se, një politikë e këtillë e re serbe me përmbajtje realiste, të drejtë, demokratike dhe paqësore, do ta shpëtonte popullin serb nga të gjitha tragjeditë e deritashme të shkaktuara ndaj popujve të tjerë fqinjë në Ballkan, pikësëpari ndaj popullit shqiptar. Çelësi i zgjidhjes së konfliktit kolonial serbo-shqiptar është në Beograd, Serbia e ka fjalën kryesore, askush tjetër Pra, nëse lidershipi i qeverisë serbe së bashku me Kishën Ortodokse Serbe dhe me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve Serbe, tanimë kanë hartuar një PLATFORMË të Re Nacionale Antikolonialiste, Progresive Demokratike, Koekzistenciale dhe Paqësore ndaj popujve dhe ndaj shteteve fqinje, pikërisht ndaj shqiptarëve dhe ndaj territoreve të Shqipërisë Etnike, atëherë nuk ekziston nevoja të vazhdohet kurrfarë Dialogu as në Bruksel e as gjetkë, por pa vajtur askund, Beogradi ta njohë zyrtarisht de fakto dhe de jure Republikën e Kosovës! Kjo do të ishte Marrëveshja historike paqësore e pajtimit të popullit serb dhe shqiptar në Ballkan. Ndryshe, vazhdimi i Dialogut të dështuar në Bruksel (2011-2019), është vetëm humbje kohe, vetëm mashtrim, kush, kujt do t'ia "hedhë". Kjo do të thotë nuk ka ZGJIDHJE TË KONFLIKTTIT KOLONIAL SHEKULLOR SERBOSHQIPTAR NË BALLKAN.

Prandaj, as pala negociuese e Kosovës e as faktorët e tjerë ndërkombëtarë të involvuar në Dialogun e Brukselit, nuk duhet të nxitojnë fare, që të ballafaqohen me "formulat" dhe me "skenarët" e politikës dhe të diplomacisë serbe të Beogradit, të cilat paralajmërojnë arritjen e një kompromisi të keq politikshkëmbimin e territorit, kur Kosova do të humbiste veriun e saj me gjithë "Trepçën" dhe Ujëmanin. Fundja, nëse në Bruksel do të arrihet ndonjë marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës, ajo, në asnjë formë nuk zgjidh problemin kolonial shekullor mes Kosovës dhe Serbisë, por do të mbetet "i konservuar" sikurse këtu e 100 vjet më parë. Përkundrazi, do ta bëjë edhe më të mprehtë sikurse "sarkofagun bërthamor" të Centralit Çernobilit të Rusisë, për të cilin nuk mund të garantojë askush, se nuk mund të shpërthejë brenda "100 vjetësh", edhe pse që nga shpërthimi i tij më 1986, është hermetizuar dhe konservuar me betonarme të çeliktë, që mos shkaktojë ndonjë katastrofë

(Kosova Sot)