Jostabiliteti financiar EDHE TE BASHKIMI

  • 01 December 2017 - 08:32
Jostabiliteti financiar EDHE TE BASHKIMI

Këtë edicion shumë skuadra të basketbollit po përballen me probleme financiare, dhe kjo dukshëm ka ndikuar në paraqitjet dhe rezultatet e tyre. Pa probleme nuk është as Bashkimi, momentalisht fuqia e dytë në basketbollin e Kosovës. Edhe prizrenasit nuk kanë stabilitet financiar.

Ky edicion do të mbahet mend për krizën e madhe të skuadrave të basketbollit. Te disa është vërejtur më shumë dhe te disa më pak, por shumica e klubeve janë të prekur nga ky 'virus', që ka ndikuar dukshëm në paraqitjet dhe rezultatet e tyre. Kriza u vërejt më shumë te Peja dhe Trepça, megjithatë, as të tjerat nuk kanë shpëtuar lehtë. Me probleme po përballet edhe Bashkimi i Prizrenit, që nuk ka stabilitet financiar, derisa momentalisht është fuqia e dytë në basketbollin e Kosovës, pas Sigal Prishtinës. Portokallinjtë, përveç në garat vendore, marrin pjesë edhe në Ligën Ballkanike.

Stabiliteti financiar, shumë i rëndësishëm

 Kapiteni i kësaj skuadre, Qëndrim Biraj, është shprehur se sigurisht që jostabiliteti financiar ndikon në rrjedhën e garave. "Në përgjithësi, mund të them se deri më tash i kemi arritur pritshmëritë tona që i kemi pasur. Synimet i kemi arritur falë angazhimit dhe durimit të madh që kemi pasur deri më tani nga të gjithë lojtarët. Ndoshta kemi mundur të arrijmë rezultate edhe më të mira, megjithatë kanë ndikuar shumë faktorë, si për shembull ndërrimi i shpeshtë i përbërjes së ekipit dhe po ashtu mossigurimi i stabilitet financiar, i cili sidomos tani në këtë moment që jemi, është shumë i rëndë- sishëm, sepse në të kundërtën do të na sjellë probleme dhe sigurisht do të na pamundësojë arritjen e synimeve tona", ka thënë Qëndrim Biraj për gazetën "Kosova Sot". Prizrenasit edicionin e kaluar ishin në finale të "Play-off"-it, megjithatë u mposhtën nga Sigal Prishtina, derisa trofeu i fundit i Portokallinjve daton nga viti 2001 kur fituan Kupën. Që nga atëherë nuk kanë arritur të fitojnë trofe, edhe pse kanë qenë shpesh në gjysmëfinale dhe finale të "Playoff"-it, dhe finale të Kupës. Prizrenasit nuk e filluan mirë edicionin, derisa më pas ndërruan edhe trajnerin, duke pasur paraqitje më të mirë në IP Superligën e Kosovës në basketboll, si dhe në Ligën Ballkanike.

Ndryshimi me trajnerin e ri

 Në garat e Superligës ndodhen në vendin e dytë me shtatë fitore dhe tri humbje, duke u renditur pas Prishtinës, kurse në Ligën Ballkanike kanë një fitore dhe dy humbje, pasi Kumanova është tërhequr nga garat dhe të gjitha rezultatet janë çregjistruar. Bashkimi ndodhet në vendin e gjashtë në BIBL, derisa në ndeshjen e ardhshme do të përballen me Akademik Bultex më 5 dhjetor në "Sezai Surroi". Biraj ka shtuar nuk e kishin pritur këtë fillim në Superligë. "Nuk e kishim pritur këtë fillim, megjithatë, ka ndikuar edhe trajneri i kaluar, dhe tani me trajnerin e ri, ka ndryshuar gjithç- ka, si dhe kanë ardhur edhe rezultatet pozitive. Gjithashtu edhe atmosfera në ekip është shumë më e mirë. Me ndërrimin e trajnerit besoj se edhe rezultatet do të përmirësohen", ka theksuar Qëndrim Biraj për gazetën "Kosova Sot". Bashkimi pritet të jetë pjesë e "Play-off"-it të Superligës, por në dy ndeshjet ndaj Sigal Prishtinës nuk ka qenë rivale e barabartë dhe do të ketë vështirë që të sjellë trofe në Prizren.

(Kosova Sot)