Mesfushori i Man Unitedit e zbulon arsyen e zënkës mes Mourinhos dhe Pogbas

  • 18 October 2018 - 12:23
Mesfushori i Man Unitedit e zbulon arsyen e zënkës mes Mourinhos dhe Pogbas

Mesfushori i Manchester Unitedit, Andreas Pereira, e ka konfirmuar se arsyeja e zënkës mes trajnerit Jose Mourinho dhe mesfushorit Paul Pogba, ishte videoja të cilën francezi e postoi në Instagram.

Muajin e kaluar, Sky Sports News e kishte publikuar një video ku shihej Mourinho dhe Pogba duke u fjalosur gjatë një seance stërvitore në Carrington, një ditë pasi portugezi i kishte thënë francezit se nuk do ta mbante më shiritin e kapitenit.

Mourinho dukej e pakënaqur me sjelljen e Pogbas, i cili e kishte postuar një video në Instagram një natë më parë nga tribunat e Old Traffordit duke qeshur, gjatë ndeshjes së Manchester Unitedit kundër Derby Countyt, kur “Djajtë e kuq” u eliminuan nga Carabao Cup.

Pereira, i cili kishte qenë pjesë e kësaj videoje, bashkë me Luke Shaw, e ka konfirmuar se kishte qenë pikërisht kjo video shkaktarja e zënkës mes trajnerit dhe mesfushorit.

“Ishte një ndeshje e kupës. Pogba e postoi një video para se të përfundonte ndeshja, dhe ishim ai, unë dhe mbrojtësi i krahut të majtë, Luke Shaw, duke qeshur. Ne ishim duke fituar 1-0 kur e incizuam videon”, ka thënë Pereira.

“Pastaj ne e humbëm ndeshjen dhe njerëzit thanë se Pogba e kishte postuar atë pas humbjes. Por, ai e kishte postuar para se të përfundonte. Edhe trajneri mendoi se Pogba e kishte postuar më vonë. Ai e pyeti se çfarë kishte ndodhur dhe ndodhi ajo që ndodhi”. 
 

(Kosova Sot)