Tyson Fury i dërgon mesazh tronditës Anthony Joshuas

  • S.A /
  • 06 October 2021 - 09:28
Tyson Fury i dërgon mesazh tronditës Anthony Joshuas

Tyson Fury beson se Anthony Joshua duhet të pensionohet nga boksi, nëse e humb rimeçin me Oleksandr Usyk.

Joshua i humbi titujt e botës WBA, WBO dhe IBF në kategorinë e rëndë pas disfatës tronditëse kundër Usyk muajin e kaluar në Londër.

Duke folur menjëherë pas humbjes së dytë në karrierën e tij profesionale, Joshua e pranoi se do ta ushtrojë të drejtën për rimeç në marrëveshjen me boksierin ukrainas.

Por bashkatdhetari i tij, Fury, beson se 31-vjeçari duhet t’i varë dorëzat në gozhdë nëse rrihet përsëri nga Usyk.

“Mendoj se, nëse Joshua nuk e rreh Usykun në rimeç, atëherë ai ka mbaruar, lë të pensionohet, kaq”, tha Fury për Boxing Social.

“Joshua duhet ta fitojë atë luftë, nuk ka rëndësi se si e bën”, shtoi ai.

I pyetur nëse ishte mllefosur nga disfata e Joshuas ndaj Usyk, Fury u përgjigj: “Jo i mllefosur të jem i sinqertë. Nuk kam çfarë të them më shumë për këtë, ai e humbi luftën ndaj një luftëtari më të mirë”.

Fury do ta mbrojë titullin e botës WBC në kategorinë e rëndë kundër Deontay Wilderit më 9 nëntor në Las Vegas. 

(Kosova Sot Online )