Feronikeli e Prishtina me spektakël e mbyllin këtë vit

  • 10 December 2018 - 08:57
Feronikeli e Prishtina me spektakël e mbyllin këtë vit

Favoritet për trofeun e Kupës me lehtësi kalojnë kundërshtarët 

Dy kandidatët kryesorë në luftë për titullin e kampionit, Prishtina e Feronikeli, kanë shkëlqyer edhe në garat e Kupës së Kosovës, duke triumfuar me rezultat identik 4:0 ndaj rivalëve, Lirisë përkatësisht Dukagjinit.

Prishtina, Drita, Feronikeli e Trepça'89, si katër skuadrat më pretendente për ta fituar Kupën e Kosovës, nuk kanë lejuar befasi në rrethin e tretë të kësaj gare, duke arritur të kualifikohen në çerekfinale. Çerekfinalen e kanë siguruar edhe Ballkani, Vëllaznimi, Ferizaj e Kika. Me këto ndeshje njëherësh edhe i është vënë kapaku edicionit të sivjetmë në futboll, kështu që skuadrat tashmë shkojnë në pushimet dimërore për t'u kthyer në mars, atëherë kur edhe fillon stinori pranveror, i cili pritet të sjellë një garë jashtëzakonisht të madhe. Ajo që duhet thënë nga ndeshjet e kësaj fundjave në garat e Kupës, humbësit më të mëdhenj kanë dalë Gjilani e Flamurtari, të cilat u eliminuan me rezultat bindës nga kundërshtarët Ballkani përkatësisht Trepça'89.

Liria, kafshatë e lehtë për Prishtinën

Ditën e shtunë janë zhvilluar katër ndeshjet e 1/8 të finales së Digitalb Kupës së Kosovës. Prishtina është pritur të ketë rivalitet të madh në Prizren në duel me Lirinë, por doli krejt e kundërta. Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa në mënyrën më të mirë të mundshme i ka dhënë fund këtij viti, duke e mbyllur kampionatin në vendin e parë në tabelë, derisa është kualifikuar më shumë lehtësi në çerekfinale të Kupës. Prishtina në Prizren festoi me një fitore me rezultat 4:0 me golat e shënuar nga Meriton Korenica, Ergyn Ahmeti dhe Basid Khalid (dy herë)."Ishte ndeshje shumë e rëndësishme për ne për faktin që pretendojmë në dy anët, qoftë në Kupë, qoftë në kampionat. Gjithashtu ishte e rëndësishme për mbylljen e vitit, sepse e dinim që kjo ndeshje ishte pa kthim mbrapa. Megjithatë, jam i kënaqur në përgjithësi nga komplet impenjimi i lojtarëve gjatë kësaj periudhe dhe gjithashtu do t'ju uroja të gjithëve të kenë pushime të mbara komplet komunitetit futbollistik të Kosovës", ka thënë trajneri i Prishtinës, Mirel Josa, derisa homologu i tij te Liria, italiani Vincenzo Alberto, ishte i zhgënjyer me ekipin e tij. "Lejuam hapësira gjatë pesë minutave të fundit të pjesës së parë, çka dhe pësuam dy gola dhe pastaj ne e dinim që kemi të bëjmë kundër një mbrojtje shumë të fortë e cila i ka pranuar vetëm katër gola. Jam i mërzitur që humbëm 4:0", ka thënë Alberto. Kualifikimin në ditën e shtunë e kanë siguruar edhe Ferizaj që e mposhti Fushë Kosovën, me rezultat 2:1. Golat për Ferizajn i shënuan Mirsad Idrizi dhe Qëndrim Dautaj, derisa golin e vetëm për Fushë Kosovën e shënoi Adonis Breznica. Ndërkohë, Drita ka shënuar fitore kundër Minatorit, me rezultat 5:3. Ndeshja e vetme, e cila nuk pati fitues në 90 minutat e rregullt dhe pas vazhdimeve ishte ajo mes dy skuadrave të Ligës së Parë, Besës dhe Vëllaznimit, e ku në penallti fitoi Vëllaznimi, me rezultat 3:2.

Feronikeli "shkatërron" Dukagjinin

Ditën e diel janë zhvilluar katër ndeshjet e tjera të 1/8 së finales së Kupën e Kosovës në futboll. Feronikeli, Trepça'89, Ballkani dhe Kika kanë kaluar tutje në çerekfinale, pasi kanë eliminuar kundërshtarët e tyre: Dukagjinin, Gjilanin, Flamurtarin përkatësisht Istogun. Nënkampioni vjeshtor Feronikeli ka qenë në superior ndaj Dukagjinit të Klinës, duke e mposhtur me rezultat 4:0. Vendasit rezistuan vetëm në pjesën e parë, ngase në të dytën Feronikeli realizoi katër herë. Serinë e golave e nisi Astrit Fazliu për ta vazhduar Albutrint Morina, Kastriot Rexha dhe Artur Magani . Fitore bindëse ka realizuar edhe Ballkani që e ka mposhtur Gjilanin, me shifrat 3:0. Dy gola për skuadrën nga Theranda i realizoi Blend Baftiu derisa me një gol kontribuoi Visar Berisha. Trepça'89 arriti ta thyejë rezistencën e Flamurtarit vetëm pas vazhdimeve, ngase ndeshja në kohën e rregullt u mbyll baras 0:0, edhe pse Flamurtari nga minuta e 60-të luajti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Andi Shalës. Në vazhdime Trepça '89 u tregua bindëse, duke shënuar tre gola. Djibril Diawara, Martin Mircevski dhe Arbër Pira shënuan për fitoren 3:0 të skuadrës mitrovicase. Ndërkaq, Kika ka kaluar tutje pas penalltive, duke e mposhtur Istogun, 3:1. Tërheqja e shortit për çerekfinale të Digitalb Kupës së Kosovës do të bëhet të martën, më 11 dhjetor, në orën 13:00, në selinë e FFK-së.

 

(Kosova Sot)