Pas katër muajsh, Dardanët kthehen në “Fadil Vokrri” sonte

  • 21 March 2019 - 09:53
Pas katër muajsh, Dardanët kthehen në “Fadil Vokrri” sonte

Katër muaj e një ditë kanë kaluar që nga ndeshja e fundit që Kombëtarja e Kosovës e zhvilloi në stadiumin “Fadil Vokrri”. Sonte, ata do të kthehen përsëri në këtë skenë, për ndeshjen miqësore kundër Danimarkës, me synimin për ta arritur një rezultat të ngjashëm.

Sonte në orën 19:00, djemtë e Bernard Challandes do të luajnë para tifozëve kosovarë në stadiumin “Fadil Vokrri” me njërin prej kundërshtarëve më të vështirë deri më tani, Danimarkën që renditet në pozitën e dhjetë në ranglistën e FIFA-s

Përkundër që Kosova radhitet plot 120 vende më poshtë në këtë listë dhe përkundër që është vetëm ndeshje miqësore, Challandes do të tentojë t’i shmanget humbjes, pasi që nuk ka pësuar disfatë asnjëherë me Kosovën deri më tani dhe këtë ecuri dëshiron ta vazhdojë edhe më tej.

Për trajnerin e Danimarkës, Age Heraide, kjo ndeshje nuk do të ketë shumë rëndësi. Këtë e ka bërë të ditur vetë trajneri, i cili kishte thënë se do të kishte preferuar të mos luante fare në këtë ndeshje, por të stërvitej për ndeshjen e radhës, me Zvicrën. Dje, në konferencën për shtyp, Hareide përsëri se ndeshja me Kosovën do të jetë stërvitore për skuadrën e tij.

As për Kosovën kjo ndeshje nuk është më e rëndësishme se ajo e radhës, kundër Bullgarisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020. Megjithatë, djemtë e Kosovës, të cilat kanë shkëlqyer së fundi për klubet e tyre, e synojnë fitoren gjithsesi.

Se Danimarka ka një ekip të mirë e ka pranuar edhe qendërmbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani. Dje, në konferencën për shtyp, ai tha se Danimarka është ekip shumë i fortë, siç e ka treguar veten duke arritur në çerekfinale të Kupës së Botës më 2018 në Rusi.

“Danimarka ka ekip shumë të mirë, është një ndeshje ndryshe nga ato me ndeshjet e Ligës së Kombeve. Barra nuk i bie vetëm mbrojtësve por është test për gjithë ekipin dhe këtë test do ta kalojmë të gjithë së bashku”, tha Rrahmani i pyetur nëse barra në këtë ndeshje bie mbi mbrojtjen.

Ndwrsa, trajneri Bernard Challandes ka thënë se Kosova ka zgjedhur të luajë kundër ndaj një ekipi të fortë si Danimarka, në përpjekje për të ndryshuar dhe për t’u zhvilluar, pas një periudhe të gjatë futbolli ndaj ekipe të nivelit të ulët.

“Për ne është shumë e dobishme të luajmë tani kundër kundërshtarëve të mirë, sepse në Ligën e Kombeve kemi luajtur kundër ekipeve të Grupit D dhe tani luajmë kundër Danimarkës, ndër ekipet më të mira e 10-ta në renditjen e FIFA-s”, tha Challandes.

“E përsëris dhe do të jem i qartë, mbase disa njerëz mendojnë përse të luajmë kundër të fortëve tani, për mua është e qatë se duhet të ndryshojmë dhe të përparojmë dhe për ta bërë këtë duhet të luajmë kundër ekipeve të forta, mbase për të humbur për të vrapuar pas topit. Kjo do ta na ndihmojë që të zhvillohemi”, shtoi ai.

Përveç dallimit të madh në ranglista, dy skuadrat kanë dallim të madh edhe në vlerën e lojtarëve. Vlera e futbollistëve të Kombëtares së Danimarkës llogaritet të jetë 330 milionë euro. Kurse, ajo e Kosovës vlerësohet me 44 milionë euro.

Derisa Milot Rashica është më i shtrenjti te kosovarët, me 7 milionë euro vlerë, te danezët më i vlerësuari është ylli i Tottenhamit, Christian Eriksen, që ka vlerë prej më shumë se 80 milionë euro.

Lexo edhe këtë: Piktura gjashtëvjeçare e Messit që u kthye në realitet

Edhe pse është vetëm ndeshje miqësore, Kosova do të tentojë ta dëshmojë se forma e mirë e treguar në Ligën e Kombeve nuk erdhi vetëm për shkak të nivelit të kundërshtarëve, por për shkak të formës së lojtarëve dhe taktikave të trajnerit. Ndeshja kundër një skuadre të fortë si Danimarka ua jep “Dardanëve” pikërisht këtë mundësi. 

(Kosova Sot)