NATO-ja pas ‘Brexit’-it

 NATO-ja pas ‘Brexit’-it
  • 30 June 2016 - 09:56

Shkruan: Bogdan Klich

Perëndimi ballafaqohet me një kërcënim të paprecedent ndaj unitetit

Vendosja e forcave ushtarake në Evropën Qendrore duhet të shqyrtohet me kujdes

Përfundimisht, duhet të vendoset shpërndarja e burimeve të Iniciativës amerikane-evropiane të risigurimit midis vendeve të Evropës Qendrore

Samiti i ardhshëm i NATO-s në Varshavë vjen në një moment kur, pas votës së Britanisë për t’u larguar nga BE-ja, Perëndimi ballafaqohet me një kërcënim të paprecedent ndaj unitetit të cilin e ka ndërtuar përgjatë gati shtatë dekadave. Sikur që ka treguar historia, mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë këtij rreziku është një unitet më i madh dhe kjo d.m.th. më shumë NATO.

Në vitin 2008, në një takim në Londër, ministrat e mbrojtjes të vendeve të NATO-s ranë dakord që ta fillonin një debat rreth forcimit të kapacitetit mbrojtjes të përbashkët të aleancës dhe të parandalimit të konflikteve. Dy vjet më vonë, në Lisbonë, NATO-ja miratoi konceptin e saj të ri strategjik, i cili obligonte vendet anëtare që ta forconin mbrojtjen e përbashkët si detyrë primare të Aleancës. Tani, një përkushtim më i fortë ndaj një bashkëpunimi të tillë nevojitet tepër shumë, derisa liderët duhet të çojnë përpara konkluzionet e arritura në samitin e vitit 2014 në Njuport, Uells. Në rend të parë, agjenda duhet të përfshijë kompletimin e të gjitha elementeve të forcave reaguese të NATO-s, të dakorduara në Njuport. Këtu përfshihen Njësitet integruese të forcës dhe Forca e përbashkët me gatishmëri shumë të lartë, si dhe Trupat multinacionalë të verilindjes, që nevojiten për komandimin e operacioneve. Rirreshtimi i armëve amerikane përgjatë kufijve lindorë të NATO-s duhet të kompletohet, ku SHBA-ja do të koordinojë punët me vendet mikpritëse.

Adaptimi me rrethanat e reja

Por, ekzistojnë edhe çështje më fundamentale, të cilat liderët e NATO-s duhet t’i adresojnë në Varshavë – çështje të cilat do ta formësojnë të ardhmen e Aleancës. Çështja e parë del nga nevoja që NATO-ja të ndjekë trajektoret e ndryshme zhvillimore në kufijtë e saj lindorë dhe jugorë, me qëllim që të reagojë në mënyrë adekuate ndaj llojeve të ndryshme të rreziqeve që do të vijnë nga cilido drejtim.

Veçanërisht, rreziqet nga jugu kanë pasur tendencën që të jenë asimetrike, derisa kërcënimet nga lindja janë më konvencionale. Ky dallim është turbulluar disi nga intensifikimi i konfliktit në Irakun verior dhe në Sirinë jugore; por kjo vetëm sa e nënvizon nevojën që vendet anëtare të NATO-s të përcaktojnë se si të përshtaten ndaj rrethanave të ndryshuara dhe të sigurojnë që adaptimi të zhvillohet mirë. Në jug, çështja kryesore ka të bëjë me rolin e NATO-s në krizën në Irak dhe Siri. Një intervenim i drejtpërdrejtë ushtarak duket se nuk ka të ngjarë të ndodhë dhe kjo është një gjë e mirë. Në fakt, përderisa nuk sulmohet asnjë vend anëtar i NATO-s, do të ishte gabim strategjik sikur Aleanca të përfshihej në operacionet ushtarake në Siri dhe Irak. Në vend të kësaj, “koalicioni i vullnetit” duhet që ta zgjerojë misionin e vet, duke vazhduar me sulme ajrore, e jo me dërgimin e çizmeve ushtarake në terren.

Mbrojtja e kufirit jugor

Po ashtu, nuk ka të ngjarë që NATO-ja të ndërmarrë përgjegjësi të ngjashme me ato që mori në Afganistan në vitin 2003. Fundja, një mandat i tillë zgjati më shumë se një dekadë.

Kjo nuk d.m.th. se Aleanca nuk ka përgjegjësi në Irak dhe Siri. Përkundrazi, ajo duhet të jetë e gatshme që të mbështetë ata aleatë që kanë vendosur të intervenojnë ushtarakisht dhe, më vonë, ata që do të vendosin të kontribuojnë në përpjekjet vitale të stabilizimit.

NATO-ja po ashtu duhet të ofrojë mbështetje për mbrojtjen e kufirit jugor të Evropës, i cili është vërshuar nga vlugu i refugjatëve, një situatë të cilën mbështetësit e ‘Brexit’-it e përdorën për t’i manipuluar votuesit. Vendimet e marra tash vonë për dërgimin e fluturakeve vëzhguese AWACS në kufirin e Turqisë dhe për të filluar misionet patrulluese përgjatë Detit Egje, është një fillim i mirë, prandaj Samiti i Varshavës duhet që t’i përfshijë këto masa dhe të ngjashme në një Strategji speciale për Evropën.

Rivaliteti i “miut dhe maces” me Rusinë

Sa i përket lindjes, etja e Rusisë për ta rikthyer ndikimin mbi pjesën më të madhe të ish-BRSS-së ka bërë që të ketë një rivalitet “të miut dhe maces” me NATO-n. Manovra të tjera të rrezikshme janë zhvilluar afër avionëve dhe anijeve të NATO-s, sidomos në Lindje, por po ashtu edhe në kufijtë veriorë dhe perëndimorë të NATO-s. Duke pasur parasysh që një sjellje e tillë lehtë mund të eskalojë, ajo duhet vërë nën kontroll, sidomos me anë të implementimit të të ashtuquajturës “prani paraprake” të NATO-s. Marrëveshjet e arritura në Samitin e Varshavës duhet që sa më shumë që të jetë e mundur, ta sigurojnë një prani të përhershme të forcave të aleancës në vendet relevante.

Një çështje tjetër me rëndësi që duhet adresuar, është gatishmëria dhe roli i anëtarëve të NATO-s që të reagojnë ndaj sfidave të reja. Kjo kërkon një rishikim të Planit të gatishmërisë për veprim, i cili ishte dakorduar në Njuport, duke përfshirë si “masat e sigurisë”, po ashtu edhe “masat e përshtatjes”. Respektimi i Deklaratës së Uellsit rreth Lidhjes transatlantike, e cila e ven theksin te nevoja për një ndarje më të madhe të barrës midis vendeve aleate të NATO-s, është një gjë që po ashtu duhet të inkurajohet. Është e nevojshme që, në aspektin ushtarak, të definohen detajet e një pranie multinacionale të NATO-s. Në lidhje me vendosjen rotative të forcave në Evropën qendrore, SHBA-ja ka bërë me dije se, deri në një masë, çka është e gatshme të ofrojë. Por, duhet të përpilohet një plan më i qartë, duke përfshirë kontingjente nga aleatët e tjerë dhe të mbështetur nga veprimet praktike.

Vendosja e forcave ushtarake në Evropën qendrore duhet të shqyrtohet me kujdes, me qëllim të sigurimit që shpërndarja e njësive të mos e rrezikojë aftësinë operacionale të forcave të vendosura si tërësi. Ngjashëm, rotacioni i forcave nuk duhet të lejojë ta dobësojë aftësinë operuese të kontingjenteve të vendosura.

Përfundimisht, duhet të vendoset shpërndarja e burimeve të Iniciativës amerikane-evropiane të risigurimit midis vendeve të Evropës qendrore. Meqë 310 milionë dollarët e ndarë për përmirësimin e kapaciteteve të partnerëve, nuk janë kushedi sa shumë marrësit potencialë, duke përfshirë edhe vendin tim, Poloninë, janë të gatshme që të sigurojnë sa më shumë që të investojnë në infrastrukturën e tyre.

Nëse plotësohet kjo agjendë ambicioze, atëherë Samiti i NATO-s në Varshavë mund të ndihmojë në rikthimin e unitetit të Perëndimit, në mënyrë që Aleanca ta ofrojë pa problem sigurinë afatgjatë të Evropës. Asnjë vend anëtar i NATO-s nuk mund ta lë t’i ikë kjo mundësi.

(Bogdan Klich është lider i pakicës në Senatin e Polonisë)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”