Politika e jashtme e Obamës, gabim pas gabimit

Politika e jashtme e Obamës, gabim pas gabimit
  • 12 January 2017 - 10:10

Ai nuk besonte se Amerika ka shumë gjëra për t'ia mësuar botës

Shkruan: George F. Will

Fakti që bota është më e çrregullt dhe më pak e ligjshme sesa kur Obama ishte bërë president, është më pak gabimi i tij sesa gabimi i diçka rreth së cilës progresivët janë skeptikë - natyra e fuqishme, e pandryshuar njerëzore. Sikur që e dinte Job, njerëzit janë ambiciozë dhe të prirë që të shkaktojnë trazira dhe konflikte
Kur Barack Obama të zhvendoset 2 milje nga adresa "1600 Pennsylvania Avenue" në "2446 Belmont Road", në lagjen Kalorama të Uashingtonit, ai do të jetojë gjysmë milje nga adresa "2340 S Street", ku Woodrow Wilson kaloi tri vitet e tij pas mandatit presidencial. Dështimi më i madh i politikës së jashtme të Wilsonit kishte të bënte me refuzimin e Senatit në pjesëmarrjen e SHBA-së në realizimin e aspiratave Wilsoniane, Ligën e Kombeve. Obama largohet i kënaqur nga Shtëpia e Bardhë, meqë, sipas tij, "gati çdo vend në botë e sheh Amerikën më të fortë dhe më të respektueshme tani sesa tetë vjet më parë". Dy shtete që nuk duken të impresionuara janë Rusia, e cila është duke e copëtuar një vend evropian (Ukrainën) dhe Kina, e cila është duke shkelur ligjin ndërkombëtar, duke e shndërruar Detin Jugor kinez, në një territor të militarizuar kinez. me Politikat e Obamas që sollën këtë admirim ndaj Amerikës, ashtu si i sheh ai, ishin një amalgamë e elementeve Wilsoniane dhe anti-Wilsoniane. Ambicia e madhe e Wilsonit në lidhje me SHBA-në ishte që ajo ta rirregullonte botën në një mënyrë që ta bënte të panevojshme që Amerika të kishte ambicie të mëdha. Ai mendonte se Amerika mund ta bënte një jetë të qetë pasi që diplomacia e fuqishme t'i kishte shkruar rregullat për lojën e shteteve

Fuqia e diplomacisë së butë

Shumë progresivë besojnë në shoqërimin natyror të njerëzimit. Kjo i shtyn ata që të besojnë se paqja midis kombeve do t'i pastrojë mendjet e tyre nga paragjykimet, të cilat i pengojnë ato nga njohja e vlerës universale të parimeve amerikane. Këto pikëpamje, thoshte Wilson, mbështeten nga çdo njeri përparimtar dhe nga çdo komb modern. Ai po ashtu thoshte se "çdo shtet në botë duhet të futet nën tutelën e Amerikës". Obama dukej se nuk besonte që Amerika ka kaq shumë gjëra për t'ia mësuar botës, përpos modestisë pas Irakiane dhe fuqisë së diplomacisë së butë. Edhe pse as lufta civile në Angli, as ajo në Amerikë, as lufta civile në Spanjë, Rusi, a Kinë nuk kishte mbaruar falë negociatave, dukej se Obama besonte që lufta komplekse civile në Siri mund të përfundonte me masa diplomatike. Në anën tjetër, presidenti rus, Vladimir Putin, zgjodhi njërën palë dhe i ndihmoi asaj që të fitonte. Fakti që bota është më e çrregullt dhe më pak e ligjshme sesa kur Obama ishte bërë president, është më pak gabimi i tij, sesa gabimi i diçka rreth së cilës progresivët janë skeptikë - natyra e fuqishme, e pandryshuar njerëzore. Sikur që e dinte Job, njerëzit janë ambiciozë dhe të prirë që të shkaktojnë trazira dhe konflikte. Në vitin 2014, kur Rusia e aneksoi Krimenë, sekretari i shtetit, John F. Kerry, ishte i zhgënjyer nga Putini, duke i thënë më shumë me keqardhje, sesa me zemërim: "Thjesht, në shekullin XXI nuk mund të sillesh sikur në shekullin XIX". Nëse e bëni këtë, atëherë e vendosni veten "në anën e gabueshme të historisë".

A ekziston "komuniteti i shteteve"?

Ky qëndrim i Kerryt rreth veprimeve të Putinit shprehte një qëndrim të progresistëve rreth progresit: Kalimi i kohës sjell deri te përmirësimi i sjelljes së shteteve. Për këtë shkak, në vitin 1911, botimi i 11-të i Enciklopedisë britanike, në pjesën rreth torturës, thoshte "i tërë ky subjekt ka vetëm rëndësi historike, sa i përket Evropës". Kampi i përqendrimit në Dahau u hap në mars të vitit 1933. Politika e jashtme e Obamës supozonte ekzistimin e "komunitetit të shteteve". Por, kjo frazë është oksimoron: shtetet e ndryshme kanë nocione të ndryshme rreth drejtësisë; një komunitet përbëhet nga njerëzit e bashkuar nga një konsensus rreth natyrës së drejtësisë. Gabimi tjetër i madh i Obamas, pas deklarimit, e më pas të injorimit të vijës së kuqe rreth armëve kimike në Siri, ishte përfshirja e ushtrisë amerikane në ndryshimin e regjimit në Libi. Ndoshta kjo aventurë ishte joshëse për të, meqë e kishte bërë duke "udhëhequr nga prapavija". Sikur që thoshte George Orwell: "Armiku më i madh i gjuhës së qartë, është mungesa e sinqeritetit". Së shpejti, politika e jashtme do të udhëhiqet nga një njeri i cili, përkundër asaj që në vitin 2010 kishte thënë që Assange meritonte dënimin me vdekje, tani duket t'i besojë atij rreth çështjes së hakerëve rusë, më shumë sesa që iu beson institucioneve inteligjente të vendit. Koha kalon dhe, sikur që na kanë thënë, ajo sjell progres. 

(Kosova Sot)