Tranzicioni i çmendur i Trump-it

Tranzicioni i çmendur i Trump-it
  • 16 January 2017 - 14:39

Shkruan: Elizabeth Drew

Shprehia e tij që të shkruajë në "Tweeter" rreth çdo teme, i ka vënë në pozitë të palakmueshme ata në Uashington DC

Me inaugurimin e Donald Trump-it në postin e presidentit të SHBA-së, ngjarje që është duke u afruar me të shpejtë, do të marrë fund tranzicioni më i çuditshëm dhe më i çmendur paszgjedhor në historinë e SHBA-së. Kjo periudhë ka ofruar një pasqyrë të qartë të asaj se sa i paparashikueshëm do të jetë jeta nën presidentin Trump. Një president i zgjedhur rëndom e përdorë kohën e tranzicionit për ta përgatitur kabinetin qeveritar dhe për të studiuar çështjet me të cilat do të ballafaqohet së shpejti, por nuk bën deklarata politike derisa ta marrë postin. Por, Trump nuk e ka respektuar aspak parimin se "SHBA-ja në çdo moment e ka vetëm një president". Pak kohë pas fitores së tij, ai filloi me ushtrimin e politikës së tij të jashtme. Pak javë pas fitores së tij, Trump sugjeroi në 'Twitter' që Britania ta emëronte Nigel Faragen, udhëheqësin e kampanjës Brexit, ambasador të Britanisë së Madhe në SHBA. Trump mund të mos e ketë ditur që qeveritë vetë i zgjedhin ambasadorët e tyre dhe se Sir Kim Darroch tanimë ishte caktuar ambasador në SHBA. Pak kohë më pas, Trump mori një telefonatë urimi nga presidenti tajvanez Tsai Ing-wen, gjë që paraqiste një largim të ashpër nga politika e një Kine, të cilën e kanë mbështetur për më shumë se 40 vjet presidentët amerikanë, si republikanë, po ashtu edhe demokratë. Por, përzierja e Trump-it në politikën e jashtme arriti kulminacionin, të paktën deri më tani, në fund të dhjetorit, kur ai tentoi që të përzihej në vendimin e administratës së presidentit Barack Obama, që të përmbahej me rastin e votimit në KS të OKB-së në lidhje me një rezolutë që dënonte Izraelin për vazhdimin e ndërtimit të kolonive në territoret e okupuara palestineze. Tradicionalisht, SHBA-ja ka vënë veton në rezoluta të tilla, por tash e ca kohë, administratat kanë mbajtur qëndrimin se kolonitë e tilla kanë bllokuar progresin kah një zgjidhje me dy shtete, për konfliktin izraelit-palestinez. 

Sjelljet e Trump-it karshi Putin-it

Trump tanimë ka treguar se dëshironte një marrëdhënie më të afërt me qeverinë e kryeministrit izraelit Binyamin Netanyahu, i cili i mbështetë këto koloni. Për këtë shkak, ai ia caktoi vetes detyrën që t'i telefononte presidentit egjiptian Abdel Fattah el-Sisi, që ta shtyjë miratimin e kësaj rezolute (ajo u shty për vetëm një ditë). Trump emëroi njeriun që do të jetë ambasador i tij në Izrael, një njeri pa përvojë në politikën e jashtme, i cili është mbështetës fanatik i kolonive. Por, ndoshta elementet më bizare të tranzicionit, kanë qenë manifestimet e prirjeve evidente të Trump-it ndaj presidentit rus, Vladimir Putin. Trump thotë se ai, thjesht, provon një qasje të re, pas viteve të tëra të raporteve të ftohta, në mos armiqësore midis SHBA-së dhe Rusisë. Gazetarët janë munduar që ta gjejnë shkakun e kësaj butësie të Trump-it karshi Putin-it. Një shpërthim i vogël ndodhi rreth raportimeve të reja më 10 janar, se agjencitë e inteligjencës tash vonë e kishin informuar Trump-in dhe Obamën rreth pretendimeve se agjencitë ruse posedojnë informata denigruese për Trump-in. Derisa vlera e këtyre pohimeve mbetet shumë në dilemë, është e qartë se tema rreth raportit të Putin-it dhe Trump-it do të vazhdojë që të jetë aktuale. Sido që të jetë, sjellja e Trump-it ndaj Putin-it ka implikime shqetësuese. A dmth kjo se Trump do të pranojë ambiciet e Putin-it që të dominojë mbi Ukrainën? Si do të reagonte Trump nëse Putini do të ndërmerrte veprime agresive ndaj njërit prej shteteve baltike, aleate të NATO-s, të cilën Trump e ka kritikuar rëndë? Pyetja fundamentale është: A është Putini duke luajtur me Trump-in? Një manifestim i sjelljes së butë të Trump-it ndaj veprimeve të Putin-it, ishte refuzimi i tij i gjetjes së 17 agjencive amerikane të inteligjencës, të lëshuar në tetorin e kaluar, se Rusia ishte duke u përzier në zgjedhjet amerikane. Pas zgjedhjeve, agjencitë e inteligjencës i përshkruan veprimet të cilat i kishte ndërmarrë Rusia: hakimi i emailit të Komitetit Nacional Demokratik dhe të kryesuesit të kampanjës së Hillary Clinton-it; ishte angazhuar që këta emaila të publikoheshin nga "Wikileaks"; si dhe kishte produkuar lajme të rreme. Agjencitë deklaruan se, qëllimi i Rusisë, ishte ta dëmtonte kampanjën e Clinton-it.  

Raportet me agjencitë e inteligjencës

Ideja që Rusia mund t'i kishte ndihmuar atij që të fitonte, ishte e papranueshme për Trump-in. I zemëruar nga perspektiva që ndokush do ta konsideronte zgjedhjen e tij si të pavlefshme, ai filloi me sulmet e tij kundër CIA-s, FBI-së, dhe Zyrës së drejtorit të inteligjencës kombëtare. Pjesëtarë të shumtë të Kongresit nga të dy partitë kishin deklaruar se nuk ishte e drejtë nga ana e Trump-it që ta njolloste tërë komunitetin e inteligjencës, të këtyre punëtorëve të përkushtuar, ku shumë prej tyre kryejnë detyra duke e rrezikuar jetën e vet. Për më tepër, disa komentues thanë se Trump, jo vetëm se do të jetë i detyruar që të mbështetet te këto agjenci gjatë krizave në të ardhmen, por ato janë të mbushura me shumë njerëz të cilët dinë si t'i përdorin lëshimet strategjike. Përfundimisht, Trump u pajtua që të bisedonte me agjencitë në lidhje me përzierjen e Rusisë në zgjedhje. I këshilluar nga këshilltarët që ta largonte veten nga pozicioni i tij i vetmuar rreth përzierjes së Rusisë, Trump deklaroi pas bisedës se ai ka "respekt të jashtëzakonshëm" ndaj punës së agjencive të inteligjencës dhe pranon se Rusia, por edhe vende të tjera, sikur Kina, vazhdimisht tentojnë që ta sulmojnë infrastrukturën kibernetike të Amerikës. Me fjalë të tjera, ai tha se nuk ka asgjë të veçantë rreth përzierjes në zgjedhje. Trump po ashtu insistoi se nuk ka pasur asnjë efekt në rezultatet e zgjedhjeve. Shprehia e Trump-it që të shkruajë në "Tweeter" rreth çdo teme, në çdo kohë, i ka vënë në pozitë të palakmueshme ata në Uashington, DC, duke i përfshirë edhe republikanët. Aspekti më shqetë- sues i këtij tranzicioni të çuditshëm është parashikimi që ai sjell rreth asaj se çka do të ndodhë kur Trump ta marrë postin e presidentit.

(Elizabeth Drew shkruan rregullisht kritika të librave) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)