Pse qytetet do t'i mbrojnë imigrantët

Pse qytetet do t'i mbrojnë imigrantët
  • 23 February 2017 - 08:09

Suksesi i kombit tonë vazhdimisht është varur nga të sapoardhurit

Shkruan: Martin J. Walsh

Në Boston 48% të fëmijëve kanë të paktën njërin prind që ka lindur jashtë SHBA-së. Edhe unë identifikohem me këta fëmijë, meqë isha njëri ndër ta. Prindërit e mi erdhën nga Irlanda në Boston, për të kërkuar më shumë mundësi. Ata gjetën ëndrrën e tyre amerikane dhe unë jetova ëndrrën time, duke u bërë kryetar i qytetit, i cili na mirëpriti. Familja ime nuk ishte aspak e vetme në këtë drejtim. Në Boston, imigrantët përbëjnë rreth një të tretën e numrit të banorëve. Ne mirëpresim ata që kanë ikur nga shtypja, apo që thjesht janë në kërkim të një jete më të mirë. Ne e dimë se suksesi ynë dhe i kombit tonë gjithmonë është varur nga zelli, talenti, bashkësia dhe kultura e të sapoardhurve. Për këtë shkak u zemërova tepër nga urdhri ekzekutiv i Shtëpisë së Bardhë, i cili kishte për qëllim që t'i privonte qytetet, sikur Bostoni, nga financimi i tyre federal dhe t'ua mbyllte derën refugjatëve të dëshpëruar. Ata dërguan mesazhin se Amerika është duke refuzuar trashëgiminë e saj si komb i imigrantëve dhe është duke hequr dorë nga roli i saj si fanar i shpresës në botë. Për qytetet si Bostoni, këta urdhra mund ta rrezikonin vetë sigurinë publike, ta dobësonin vitalitetin tonë ekonomik dhe të ndanin familjet tona. Reagimi im ka qenë i shpejtë dhe i sigurt. Unë kundërshtova, duke u mbështetur nga shumë liderë të Bostonit, të cilët janë imigrantë të gjeneratës së parë dhe të dytë dhe thash se ne nuk do të heqim dorë nga vlerat tona, e as nuk do t'ua kthejmë shpinën imigrantëve. Unë do të bëj çdo gjë të ligjshme, në kuadër të kompetencave të mia, për t'i mbrojtur fqinjët tanë imigrantë, me apo pa dokumente. Nëse do të ketë nevojë, do ta përdor edhe vetë sallën e kuvendit të qytetit për t'i strehuar dhe mbrojtur ata nga persekutimi. 

Regjionet urbane janë porta për imigrantët

Shpresoj që punët të mos vijnë deri aty. Mbetet fakti se ne kemi vlera amerikane, logjikë të shëndoshë dhe se Kushtetuta e SHBA-së është në anën tonë. Në ndërkohë do të vazhdojmë me forcimin e besimit midis organeve të rendit dhe komunitetit të imigrantëve. Për sigurinë e të gjithëve, si imigrantët me dokumente, po ashtu edhe ata pa to, duhet ta dinë se mund t'i raportojnë krimet pa pasur frikë se mund të kenë pasoja. Departamenti policor i Bostonit ka punuar me mund për ta ndërtuar këtë besim, duke përqendruar energjinë e vet te krimet serioze. Qytetet me "marrëveshje të besimit" ("Trust Acts") janë ndër më të sigurtat në SHBA. Ne nuk do të frikësohemi nga kërcënimet për shkurtim të fondeve federale. Gjykata Supreme ka vendosur që fondet federale nuk mund të ndalohen për shkaqe që nuk kanë të bëjnë me qëllimet për çka ato fonde janë ndarë. Sido që të jetë, nuk do t'iu japim parave përparësi ndaj sigurisë së fqinjëve tanë. Nëse jemi të shqetësuar rreth ndikimeve ekonomike, ne duhet ta dimë se sa shumë varemi nga imigrantët. Në Boston, imigrantët reflektojnë një sasi të konsiderueshme të punëtorëve shëndetësorë dhe shkencorë; më shumë se një të tretën e të gjithë pronarëve të bizneseve; si dhe 22% të studentëve tanë universitarë. Imigrantët po ashtu kanë kontribuuar me 3.5 miliardë dollarë ndaj ekonomisë së qytetit tonë vetëm në formë të shpenzimeve të konsumatorëve. Në aspektin nacional, regjionet urbane - që janë porta për imigrantët - sigurojnë 91% të prodhimtarisë dhe rrogave amerikane.

Budallallëku me murin

Dhe, në lidhje me këtë budallallëkun në lidhje me murin dua të jem i qartë: kalimet ilegale në kufirin jugor kanë rënë në mënyrë dramatike gjatë tetë viteve të fundit. Ndërtimi i murit paraqet humbje parash, një zëvendësim të pavend të reformave të vërteta dhe një simbol të frikës, në një kohë kur kemi nevojë për vetëbesim. Energjitë dhe burimet e qeverisë federale duhet që, në vend të kësaj, të përdoren për zgjidhjen e sfidave serioze të jetës, duke u nisur nga kujdesi shëndetësor, e deri te sigurimi i pensioneve. Si reagim ndaj një apeli të ish-zonjës së parë, Michelle Obama, Bostoni ka bërë me kulm mbi kokë më shumë se 800 veteranë që nga viti 2014, duke i dhënë fund mungesës kronike të strehimit për veteranët në qytetin tonë. Përkundër asaj që thuhet në Uashington, kryetarët e qyteteve në vend kanë një gjuhë të përbashkët, dypartiake, për sa i përket imigracionit. Zgjidhja nuk qëndron te bërja e dallimeve midis imigrantëve me dhe atyre pa dokumente. Së pari, ne refuzojmë pashpirtësinë e prishjes së familjeve dhe të nxjerrjes së studentëve nga fakultetet. Më në përgjithësi, komunitetet e imigrantëve kanë pasur vështirësi të mëdha me statusin e tyre ligjor, për shkak se ligji federal i imigracionit nuk ka pasur parasysh nevojat tona ekonomike për punëtorë të talentuar dhe të vyeshëm nga e tërë bota. Ajo çka na duhet dhe që e kemi kërkuar tash e shumë vjet është një reformë gjithëpërfshirëse e imigracionit. Nëse Uashingtoni dështon të arrijë sukses në këtë drejtim, atëherë qytetet do të veprojnë vetë. Larg injorimit të sfidës, kryetarët e qyteteve janë duke mbrojtur vlerat më të thella amerikane çdo ditë të lume. 

(Martin J. Walsh, demokrat, është kryetari i 54-të i Bostonit)