Kërcënimi i kërcënimeve

Kërcënimi i kërcënimeve
  • 24 March 2017 - 08:03

Shkruan: Dominique Moisi

"Më trego nga çka ke frikë dhe unë do të të tregoj se çka të ka ndodhur ty", shkruante psikologu D.W. Winnicott në fillim të shekullit XX. Kjo duket tepër konkrete, derisa të ndalemi e të mendojmë se sa shumë ngjarje kanë ndodhur dhe sa shumë arsye ka për frikë. Llojllojshmëria e kërcënimeve me të cilat ballafaqohet bota sot na kujton farsat tragjike të Luigi Pirandellos. Në Perëndim, disa përqendrohen te ekstremizmi fetar - në veçanti, te terrorizmi i cili mendohet se kryhet në emër të islamizmit. Të tjerët bëjnë me gisht kah Rusia, duke tërhequr vërejtjen nga rreziku nga një luftë tjetër e ftohtë, që tanimë hetohet në Evropën lindore dhe në rrafshin kibernetik. Disa të tjerë, duke vënë theksin te rritja e populizmit djathtist në SHBA dhe në disa pjesë të Evropës, deklarojnë se rreziku kryesor vjen nga brenda. Edhe ata që pranojnë tërë këto, e kanë të vështirë që të caktojnë prioritete midis tyre, gjë që është vitale për adresimin e këtyre kërcënimeve. Nëse, p.sh. terrorizmi islamik është kërcënimi kryesor, atëherë do të ishte e logjikshme që Perëndimi të rreshtohej me Rusinë, për ta luftuar atë. Por, çka nëse populizmi djathtist, të cilin Kremlini e mbështetë fuqishëm, është rreziku më i madh? Në një rast të tillë, rreshtimi me Rusinë do të ishte destruktiv për demokracinë liberale të Perëndimit. Në fakt, ekzagjerimi i rrezikut nga terrorizmi islamik, duke zvogëluar në anën tjetër rrezikun nga populizmi djathtist, mund të shkojë në favor të presidentit rus, Putin. Përpjekjet për të caktuar prioritetet e kërcënimeve nuk është karakteristikë vetëm e Perëndimit. Në Lindjen e Mesme, vendet janë duke u munduar që ta kuptojnë këtë. Në mesin e kërcënimeve më të mëdha përmenden ISIS, Irani dhe Izraeli.

Nga vjen rreziku?

Për Izraelin dhe Arabinë Saudite, kërcënimi më i madh vjen nga Irani. Për Iranin rreziku më i madh vjen nga Izraeli. Edhe Perëndimi ka mendime rreth këtyre çështjeve: BE-ja është e bindur sot se ISIS duhet të jetë prioriteti kulmor. Disa muaj më parë, SHBA-ja do të mund të pajtohej me këtë, por tani presidenti Donald Trump, përkundër asaj se ka përmendur shkatërrimin e ISIS-it si qëllim madhor politik, mund të jetë i përgatitur që të luftojë edhe në mbrojtje të Izraelit nga Irani. Edhe në Azi vendet janë duke e pasur të vështirë që të klasifikojnë rreziqet me të cilat janë duke u ballafaquar. A duhet ato që të përqendrohen te regjimi i Koresë Veriore? Apo duhet mbajtur një sy hapur ndaj Kinës, e cila kohët e fundit ka shumë pretendime revanshiste? Për Japoninë dhe Korenë Jugore, Koreja Veriore duket të paraqesë kërcënimin më të madh. Por, për Vietnamin, Indonezinë dhe Singaporin, është vështirë të thuhet se a paraqet Koreja Veriore një rrezik më të madh sesa Kina gjigante dhe gjithnjë e më nacionaliste. Këtu as që përmendëm rreziqet e tjera akute, sikur që është rivaliteti bërthamor midis Indisë dhe Pakistanit. 

Caktimi i vështirë i prioriteteve

Kur flitet për caktimin e prioriteteve të kërcënimeve me të cilat ballafaqohet bota sot, nuk ka përgjigje të lehta, Por, nëse nuk bëjmë prioritete të tilla, atëherë rrezikojmë që të përsërisim disa prej rreziqeve më të mëdha të historisë. Filozofi francez, Paul Valéry, besonte se historia nuk na mëson asgjë, "meqë ajo përmban gjithçka dhe ofron shembuj për gjithçka". Por, në këtë aspekt, është vështirë që të mos bëhen krahasime historike, sidomos në Evropë. Në fund të shekullit XIX, rritja e nacionalizmit shkaktoi një epokë të revolucioneve dhe luftërave civile. Gjatë viteve 1930, rritja e populizmit në Evropë hapi rrugën drejt shkatërrimit. Shumë evropianë, që ishin aq të frikësuar nga "të kuqtë", ishin të gatshëm që të arrinin kompromis me "të kafenjtët". Nuk u desh të kalonte shumë kohë për ta parë rrezikun, i cili vinte nga nazistët. Mësimi është i qartë. Në vend që të tentojmë të vejmë prioritete në mesin e kërcënimeve me të cilat ballafaqohemi, ne duhet t'i sulmojmë të gjitha ato përnjëherë. Sikur që thoshte kryeministri i vrarë izraelit, Yitzhak Rabin, "ne duhet ta luftojmë terrorizmin sikur të mos ekzistonte asnjë proces paqësor dhe ta kërkojmë paqen, sikur të mos kishte fare terrorizëm". 

Të injorosh mësimet që na i ofron historia

Lufta kundër terrorizmit islamik është e rëndësishme, por ajo nuk duhet të lejë nën hije imperativin e mbrojtjes së demokracive tona nga rreziku i populizmit djathtist. Pranimi i fitores së Frontit Nacional në Francë, me arsyetimin se një gjë e tillë është më e mirë sesa lejimi i lulëzimit të mëtejmë të islamizmit radikal, d.m.th. të injorosh mësimet që na i ofron historia dhe, në fakt d.m.th. ta injorosh realitetin. ISIS mund të ketë lindur nga një kulturë e poshtërimit dhe i shtyrë nga shpirti i hakmarrjes, sikur që ishte nazizmi, por ai nuk posedon asgjë të ngjashme me burimet industriale dhe ushtarake të Gjermanisë së viteve 1930. ISIS nuk është nazizmi modern nga i cili do të duhej të kishim frikë; ai paraqet terrorizmin të cilin, sipas asaj që thoshte Rabin, ne duhet ta luftojmë. Në ndërkohë, paqja që duhet ndjekur (kërkuar) gjendet brenda vendeve tona. Të lejosh vazhdimin e përparimit të populizmit djathtist, nënkupton dorëzimin para frikës. Kjo është e ngjashme me kompromiset me këmishët e kafenjta, nga frika nga të kuqtë. Ishte një kohë, jo fort moti, kur BE-ja frymëzonte vendet duke filluar nga Amerika latine, e deri te Azia. Sot, Evropa, bashkë SHBA-në, dikur të respektuar, janë model i frikës dhe janë duke i frikësuar të tjerët. Nëse evropianët nuk ia dalin që të gjejnë zgjidhje të mençura ndaj kërcënimeve me të cilat ballafaqohen, atëherë kush do t'ia dalë? 

(Dominique Moisi është këshilltar i lartë i Institutit "Montaigne" në Paris) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)