Mjaft më pazare për kufijtë strategjikë në dobi të fqinjëve e në dëm të Kosovës

Mjaft më pazare për kufijtë strategjikë në dobi të fqinjëve e në dëm të Kosovës
  • 18 May 2017 - 07:58

Shkruan: Dr Hakif Bajrami

Letër e hapur zëvendësndihmëssekretarit të SHBA-së për Evropën dhe Azinë, të nderuarit HOYT BRIAN YEE

Ne i njohim shumë mirë përpjekjet destabilizuese të Rusisë dhe Serbisë, në disa vende të Ballkanit, sidomos në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Kosovë, por shpresojmë që do të na kuptoni se nuk po u shkruajmë nga lakmia, që të imponohemi me ndonjë qëndrim joparimor, por po ju shkruajmë që ta njihni realitetin, se mjaft janë ndarë trojet shqiptare copa-copa, me vendimet e Fuqive Evropiane
Historia jonë është me argumente e njohur, si më e vjetra në Evropë. Megjithëkëtë, ne historianët shqiptarë kurrë nuk kemi shprehur megalomani, arrogancë apo shovinizëm ndaj fqinjëve. Për nacionalizëm nuk mund të garantojë, sepse edhe vetë jam i tillë, por deri aty ku nuk e rrezikoj lirinë dhe sovranitetin e asnjë komuniteti. Historia jonë pellazgo-iliro-arbër-shqiptare është 28 shekuj e vjetër. Fati jonë ishte i njëjtë me popujt tjerë të Ballkanit. Por tragjedia jonë filloi ta marrë epilogun e një tragjedie shfarosëse në Kongresin e Berlinit (1878), atëherë kur fqinjët tanë donin të themeloheshin si shtete dhe në saje se shumica dërmuese e Kombit tim e kishte pranuar Islamin, ne filluam të dënohemi nga diplomacia evropiane, saqë ai dënim deri më 1966 në tokat shqiptare të okupuara nga RSFJ, ishte një kryqëzatë klasike antishqiptare. Si pasojë e asaj kryqëzate sot në Turqinë Kemaliste jetojnë mbi 6-7 milionë shqiptarë, pa asnjë të drejtë elementare. Lidhur me këtë, në Kongresin e Berlinit ne numëroheshim jo si komb që e meritonte shtetin për çka u themelua Lidhja Shqiptare me qendër në Prizren (1878-1881), por si "qytetarë- Mileti myslim-zëimë", të një Perandorie që po vdiste. Dihet se ajo Perandori i kishte humbur dy lufta: një kundër Rusisë (1876) dhe një kundër Serbisë- Rusisë (1877) ku komandonin mercenarët oficerë të gjashtë Fuqive evropiane (Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Austro-Hungarisë dhe Rusisë). Të gjitha nuk e kishin asnjë konsideratë për tragjedinë shqiptare, në fund të vitit 1878 kur në Sanxhakun e Nishit dhe Sanxhakun e Pirotit nuk mbeti asnjë shqiptarë. Atëbotë, për tri ditë do të shfarosen 714 fshatra shqiptare, emrat e të cilave i mbajnë edhe sot (TeplicaToplica) dhe janë pa shqiptarë, nën pushtetin neofashist të Serbisë. Informohuni i nderuari Hoyt Brian Yee, vetëm me protokollin nr. 15. të 8 korrikut 1878, të Kongresit Berlinit se ku ishte caktuar kufiri në mes të Vilajetit të Kosovës dhe Principatës Serbisë. Pika kulmore veriore e atij kufiri u caktua (argument harta me ngjyra e Kongresithb) 3 kilometra në veri të fshatit XHAKE. Të gjithë banorët e deportuar duhej të ktheheshin në vatrat e tyre, sipas vendimeve të Kongresit. Por një vit më vonë (qershor 1879), Komisioni i gjashtë Fuqive evropiane vendosi KUFIJ STRTEGJIK në vijën Perpellc-MerdarVasilefc-Medvexhe-Vrajë. Ka pasur raste kur një pjesë e oborrit të shqiptarit mbetej me Vilajetin e Kosovës, një pjesë në Principatën e Serbisë. (Argumentet në: V. N. Stojançeviq, Toplica, Beograd 1985 , si u sllavizua 1879-1896; Nikola P. Illiq, Oslobodhenje J. Srbije 1877- 1878, Beograd 1977, f 215-220 "Obelezhavanje drzhavne granice; D. M. Petroviq, Borbe u Toplici 1877-1878, Brograd 1979; Janë 22 ditarë në AS që argumentojnë mizori (gjenocidi) të paparë serbiane-hb; R. L. Pavlloviq, Kolonizacija Srba i seoba Arbanasa u ratovima 1876 i 1877-1878, dorëshkrim; Posedohen edhe me mija dokumente për këtë gjencod serbianë-hb). Ndodhte ky krim, vetëm që t`i detyrojë shqiptarët të largohen në shkretëtirat e Anadollit, siç do të ngjajë gati 100 vjet rresht, deri më 1966, gjithmonë duke synuar Serbia kufij strategjikë.

Në vitin 1910 Kosova u kthye në kamp përqendrimi

Kufiri i përcaktuar në vitin 1879 ishte në aspektin strategjik përgatitje për okupimin e viseve shqiptare në radhë. Erdhën vitet 1908-1912 sidomos shqiptarët e Vilajetit të Kosovës, do të luftojnë kundër një Perandorie që nuk u lejonte shkolla shqipe, nuk u lejonte asnjë të drejtë elementare për kombin shqiptar. Bile më 1910 Kosova u kthye në kamp përqendrimi. Nga Shkupi e deri në Perpellac, u vendosën hunjtë për t`i ngulur shqiptarët e gjallë në ta (u dënuan mbi 25000 shqiptarë më 1910) dhe për ta tmerruar kombin me dhunë, sepse Shefqet Turgut Pasha e vendosi diktaturën ushtarake (Errfinë). Posedohen argumentet arkivore. Në gusht të vitit 1912 pas një lufte të suksesshme Hasan Prishtina, një intelektual dhe tribun popullor me luftëtarët e tij shqiptarë e çliroi edhe kryeqytetin e Vilajetit Kosovës -Shkupin. Por, pas dy ditësh në Shkup erdhën tre misionarë: një francez, një austriak dhe një rus dhe urdhëruan: "Çfarëdo rezultati të ketë lufta juaj, ndryshim të kufijve të Perandorisë turke nuk ka"!!. Çka ndodhi pas dy muajsh (tetor 1912), kur ushtritë kryqëzatë të Serbisë, Bullgarisë, Malit të Zi dhe Greqisë, të ndihmuara nga 620 oficerë të lartë e munden ushtrinë e Turkut, e ku shqiptarët e çarmatosur dhe të djegur kishin mbetur anash. Madje në Luftën e Kumanovës komandën e luftës kundër Ushtrisë Turke e mori një oficer i lartë Gjerman. Tani, po ato gjashtë Fuqi evropiane, në Londër më 1913 vendosen prapë KUFIJ STRATEGJIKË në dëm të trojeve shqiptare, duke i okupuar tani mbi 52000 kilometra katror. ( Argumenti: Rusija uspela zadobiti Englesku i Francusku za poparvku serpskoarbanashke granice , na taj naçin shto çe strategiske taçke pripasti Srbiji-Rusia ka arritur ta bindë Enagloinë dhe Francën për përmirësim të kufirit serbo-shqiptar, në atë mënyrë që pikat strategjike do t` i takojnë Serbisë"). Kjo praktikë po vazhdon edhe sot. 

Shkombëtarizimi me dhunë

Dhe deri kur më të durojë ky popull për pazaret nëpër tavolina?!!! Posedohen dokumentet. Prapë filloi shpërngulja (1912-1914), çkombëtarizmi me dhunë për ta ndryshuar edhe fenë katolike dhe myslimane në ortodokse, në mënyrë që shqiptarët që nuk duan të ndërrojnë fenë (katolikë dhe myslimanë), të shporrën nga trojet e tyre në Anadoll. Lufta e Parë Botërore e ndali hovin, që 395 anije evropiane të bartin më tutje shqiptarë në Anadoll (1912-1914). (Argumenti: Justin McCarthy, DEATH AND EXILE,The Etnik Cleansing off Ottoman Muslims 1821- 1922, pag. 195; "Spisak iseljenika muslimana koji preko Solluna otisli u Turksu od vremena OKUPACIJE do sad". Dok i botuar-posedohet në detaje, ku 240 000 shqiptarë Evropa dhe Serbia i shpërngulën me 395 anije; ku nuk llogariten fëmijët nën 6 vjeç; ku thuhet se edhe 40 000 shqiptarë kanë migruar nga dhuna përmes rrugës tokësore 1912-1914). Madje në Londër (1913), u prezantuan aso falsifikimesh që kinse "popullsia e Pejës, Gjakovës, Prizrenit dhe Dibrës, flet në familje serbisht, serb e ndiejnë veten dhe duan të mbesin me Serbi". Këtë hipokrizi politike nuk e gjen dot në asnjë kuvend ndërkombëtar. Pa ditur populli fare për këtë falsifikim serbian, diplomacia kriminale evropian e këtij atentati i besoi me pedigre!! Vetëm në Kosovë 1912-1914 Serbia dhe Mali i Zi i bombarduan 132 fshatra shqiptare, pa asnjë shkak, vetëm që popullsia të arratiset në Anadoll. Vijmë në vitin 1919 në "Paqen" e Versajit. Po mos të reagonte Presidenti famëlartë Uillosn, Shqipëria u nda në mes fqinjëve tanë. E në Versaj nuk ishin përfaqësuesit e Rusisë fare. Por të tjerët e ushtruan copëtimin e tokave shqiptare, pa mëshirë. Po të gjendej vetëm një ABETARE në ndonjë fshat shqiptar gjatë viteve 1918-1941, do të digjej dhe bombardohej i tërë fshati dhe ato për rreth. Madje në Nish. Leskofc (1921-1923) u krijuan kampet e përqendrimit për shqiptarë, para nazistëve të Luftës Dytë Botërore. Edhe për këtë ka me mijëra fakte, duke ua grabitë shqiptarëve 281 718 hektarë prona e duke i kolonizuar me dhunë 172 825 familje sllave.

Vargu i pushkatimeve nuk ka pushuar

Pas Luftës së Dytë Botërore, më 1946, në Konferencën e Paqes në Paris, përpos SHBA-së, Britanisë dhe BRSS-së, ishin shqiptarët i vetmi komb i vogël në Evropë që u çlirua me forcat e veta. Dihet epilogu i Parisit, po mos të intervenonte prapë presidenti famëlartë Harri TRUMAN, prapë Korça, Gjirokastra, Theranda u provua t`i falen Greqisë, sepse për Kosovë dhe pjesën Perëndimore të Maqedonisë me 95% shqiptarë, as që ka biseduar ndokush në Paris më 1946. U bë Maqedonia shtet, pa qenë kurrë në dëm të tokave shqiptare, duke përvetësuar Shkupin, i cili deri më 1962 ishte qyteti më i madh shqiptar në Ballkan; u përvetësua Manastiri dhe tërë Maqedonia Perëndimore, pa i pyet shqiptarët fare. Malazezët dhe Serbianët në anën tjetër e ndanë Sanxhakun e Jeni Pazarit, i cili për 22 shekuj ka frymuar shqip. Për Kosovë as që ka guxuar dikush të flasë. Dhe ai që ka folur se duhet Kosova t`i takojë Shqipërisë, është pushkatuar dhe vargu i pushkatimeve nuk ka pushuar, por as lufta për liri në forma të ndryshme jo. Lidhur me këtë, për t`e qitë çështjen e Kosovës para aktit të kryer shih në kohën kur po mbahej Konferenca e Krimesë shkurt 1945, në Kosovë TitoRankoviq-Gjillas vendosin diktaturën ushtarake duke krijuar mundësi që të pushkatojnë pa ligje e pa gjyqe afro 49000 shqiptarë civilë. Deri në vitin 1999 mbi 850 000 shqiptarë kanë kaluar nëpër tretmanë të UDB-së famëkeqe jugosllave. Zotëri i nderuar Yee, në vitin 2002 Maqedonia i përvetësoi mbi 4000 hektarë pyje dhe kullosa në Debellde që ishin gjithmonë prona shqiptare, gjithnjë në "Emër të çështjes strategjike për ta siguruar Shkupin"!!!. Vijmë te çështja e fundit e DEMARKACIONIT Kosovë-Mali i Zi 2014-2017. Ku e keni hallin zotëri Brian Yee, pse insistoni në kufijtë strategjikë, kur fare mirë e dini se ku ishte kufiri deri në 1999? Dhe duhet të dihet i nderuri Brian Yee, se dy vite Komisioni shtetëror i Kosovës, me atë të Malit Zi kanë punuar prapa shpinës së opinionit shkencor të Kosovës. Flas për Komisionin e Kosovës, kurrë-kurrë në punën e tyre profesionale nuk janë marrë me çështje të kufijve. Kush ua imponoi gabimin dhe kush e përkrahu gabimin e tyre me nënshkrimin e Hashim Thaçit dhe Skënder Hysenit, pa asnjë përvojë profesionale në punë të tilla? Dihet dhe për këtë gabim "të imponuar strategjik" nga kush nuk e dimë, por po bëhen dy vite që Kosova është e destabilizuar nga shkaku se: Asociacioni për komunat serbiane disi u la në hije, sepse Gjykata Kushtetuese e Kosovës i gjeti 23 shkelje në marrëveshje. Por, Demarkacioni mbeti si çështje që duhet zgjidhet me çdo kusht, kuptohet në favor të Malit të Zi. Pse, si dhe ku janë arsyet që si historian ato e di që nuk ekzistojnë. Nuk ka asnjë teori politike që ai dokument të zyrtarizohet në Parlamentin e Kosovës. Lidhur me këtë, në dokumentin për Demarkacionin, të cilin e posedojmë, janë mbi 82 shkelje të normave elementare faktografike që janë shkelur, me duar e me "këmbë" në dëm të Kosovës dhe Ju prapë insistoni që para gabimit t`i mbyllim sytë se Mali i Zi na duhet në NATO. Vallë pse këtë hyrje ta "paguajnë shqiptarët" duke i dhuruar pika strategjike Malit të Zi. Po a nuk është e mjaftuar që ato pika të mbesin të Kosovës sepse të saj ishin. 

Fizkultura politike

I nderuari Brain Yee, me insistimin e ambasadorit tuaj të nderuar, presidentja e Kosovës do ta "themelojë" një "komision ad hoc", prej: një amerikani, një gjermani dhe një britaniku. Ata do të vijnë në Kosovë, do t`i marrin mëditjet dhe do të konstatojnë "çdo gjë është në rregull". Pushtetarët tanë po mbështeten tek ata, në autoritetin e tyre shtetëror e jo në faktet në terren, e ata nuk kanë qenë në terren fare, nuk kanë biseduar me popullin, në të dy anët e kufirit, por kanë mbetur në pozicionet që Kosovës i janë imponuar nga "lart si kufij strategjikë"!!! Por hovi i gabimeve lidhur me këtë problem ndërkombëtar nuk do të ndalet. Kryetari i Qeverisë Kosovës në vijim do ta themelojë një Komision për ta shkelë autoritetin e dy të palëve (Komisionit shtetëror dhe Komisionit ad hoc) dhe për ta përsëritur gabimin e tyre, në emër, se pas tyre qëndron një institucion i njohur: Akademia e Kosovës. E vërteta kjo fizkulturë politike i përngjan "Urithit të Ezopit", që do të thotë se i tërë procesi nuk është tragjik që është vepër qorre, por është tragjik që është përpjekje për të rrejt, për ta ndrydhur realitetin para syve të popullit. Ken po provohet ta frikësoni, sepse pa ndërprerë po përsëritni se "demarkacioni duhet të ratifikohet në këtë version". Dhe, nëpër Kosovë flitet se këtë BE, SHBA, madje edhe NATO po e bëjnë se: "Mali i Zi po hyn në NATO". Po Mali i Zi po hyn në NATO dhe ne jemi shumë të kënaqur me këtë realitet. Por, Mali i Zi ka kontest kufitar me Kroacinë në Prevllakë dhe ai problem që ishte i vitit 1992, dhe nuk është "zgjidhur" kurrë, askush nuk e diskuton. Pse, vetëm tokave shqiptare t`u copëtohen pjesët, madje nuk mbahet në mend se ndokush ndonjëherë në histori, ka provuar ta ndajë ndonjë pjesë të, Rugovës. Pse ndodh ky fenomen tani, që kufijtë strategjikë të Kosovës dhe Malit Zi të mbesin në Kullë-Çakor, por u bartën 6 kilometra në brendi të Rugovës, duke grabitur 8500 hektarë tokë, kullosa dhe pyje rugovase që kurrë në histori nuk janë quajtur ndryshe, e ky fenomen për mua si ekspert i historisë së Ballkanit nuk është i shpjegueshëm. U drejtohem JUVE zotëri Yee, sepse në kontinuitet po insistoni të ratifikohet Demarkacioni, e kështu çështja nuk zgjidhet, sepse nuk është zgjidhje e drejtë. Dhe, ne nuk po hyjmë të kërkojmë kufij etnografikë, apo strategjikë përtej Plavës dhe Gusisë që janë territore shqiptare denbabaden, e që i takojnë Malit të Zi me pazaret e Fuqive Evropiane. Nuk po kërkojmë pra kufij strategjikë, por për mos me krijua probleme, po kërkojmë të na pranohen kufijtë që ishin të vizatuar nga viti 1945/6 nga vetë zyrtarët e të dy anëve të kufirit. I nderuari Yee, ne i njohim shumë mirë përpjekjet destabilizuese të Rusisë dhe Serbisë, në disa vende të Ballkanit, sidomos në Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë, por shpresojmë që do të na kuptoni se nuk po u shkruajmë nga lakmia, që të imponohemi me ndonjë qëndrim joparimor, por po ju shkruajmë që ta njihni realitetin se mjaft janë ndarë trojet shqiptare copa- copa, me vendimet e Fuqive Evropiane. Hartat, fletoret zyrtare dhe ndërtimi i rrugëve, nga ana e Kosovës, deri në Kullë dhe Çakor, flasin më shumë se çdo detyrim nga pozicioni i fuqisë, për kufij strategjikë duke favorizuar në këtë rast Malin e Zi. Pse kur edhe ne jemi të dëshmuar dhe të palëkundur në orientimet e drejta euroatlantike, e sidomos kah demokracia amerikane, orientim ky që është rreshtuar fuqishëm në traditë, me BESË shqiptare. 

(Kosova Sot)