Bojkotimi i zgjedhjeve, akt patriotik i mërgimtarëve!

Bojkotimi i zgjedhjeve, akt patriotik i mërgimtarëve!
  • 25 May 2017 - 08:23

SHKRUAN: FLORIM ZEQA

Në rrethanat në të cilat po organizohen zgjedhjet parlamentare në Kosovë, përveç paqartësive të tjera të shumta, e bënë të paqartë edhe fatin e votave të mërgimtarëve. Mundësia e keqpërdorimeve është e madhe dhe e pakufishme për faktin se Komisioni Qendror Zgjedhor për vite të tëra nuk ka arritur të krijon kushtet dhe formën e duhur të pjesëmarrjes së mërgimtarëve në zgjedhje, në mënyrë që edhe ata të bëhen pjesë aktive e zgjedhjeve dhe me këtë të bëhen pjesë e vendimmarrjes në Kosovë. Shpërndarja e formularëve "online" nga ana e KQZ-së përveçse nuk përshtatet me kushtet, standardet dhe praktikën e shteteve tjera, qëllim ka keqpërdorimin e mërgimtarëve për interesat e pushtetarëve.

Dyshimet e bazuara

Kjo nuk përfundon me kaq, që disa vite më radhë, të njëjtën gjë është duke e bërë edhe Ministria e Diasporës, e cila përveç emrit nuk ka asgjë të përbashkët me Diasporën, me fatin dhe problemet e mërgimtarëve. Kjo ministri që dy mandate rresht, duke u thirrur në emrin e regjistrimit të mërgimtarëve, ka përgatitur lista të posaçme për proceset zgjedhore në shërbim të pushtetarëve. Mërgimtarët të rrëmbyer nga dashuria ndaj atdheut, pa vetëdijen e tyre ua japin të dhënat njerëzve të pushtetit, pa llogaritur fare se lehtësisht mund të cenohet privatësia dhe keqpërdorimi i tyre për nevojat e pushtetarëve gjatë proceseve zgjedhore. Shkaku i këtyre dyshimeve të bazuara, ka rënie të interesimit të mërgimtarëve për të votuar "online" përmes formularëve të KQZ-së. Një mënyrë e tillë e votimit e lë hapur mundësinë e manipulimit dhe keqpërdorimit të votave të mërgimtarëve në njërën anë, ndërsa edhe keqpërdorimin e emrave të mërgimtarëve në listat e votuesve. Përjashtimi i qëllimshëm i mërgatës nga procesi zgjedhor dhe mospërfshirja e Diasporës në institucionet shtetërore, ka bërë që kualiteti qeverisës i vendit tonë të shënojë rënie enorme. Edhe kësaj radhe, asnjë vend i rezervuar në Parlament për diasporën kosovare që nuk ka afërsi me subjektet politike, edhe pse diaspora me të hyrat e saj është duke mbajtur gjallë shtetin e Kosovës, ndërsa serbët që mundohen ta rrënojnë në themel shtetin tonë, i kanë 10 vendet e rezervuara në Parlamentin e Kosovës! 

Mbështetja pa vetëdije e së keqes

Paradoksi tjetër qëndron në faktin se të gjitha partitë politike thirren dhe kërkojnë mbështetje nga diaspora, por asnjëra nga to nuk merret me hallet dhe problemet e mërgimtarëve! Për këto 18 vite, partive në pushtet e tërë koha u shkoi duke u marrë me problemet e serbëve, harruan në tërësi mërgatën dhe problemet e qytetarëve. Shfrytëzoj nga rasti t'iu bëjë thirrje shpirtërore të gjithë mërgimtarëve, që mos të lejojnë të bëhen argat të djallit, të atyre që për 18 vjet rresht na anashkaluan dhe cenuan të drejtat tona, të atyre që na rropën e ç'rropën duke filluar nga pikat kufitare e deri të haraçi i organizuar për nxjerrjen e dokumenteve. Të dashur bashkatdhetar, mos i ndihmoni me votë ata që ua thyen shpresat shqiptarëve për jetë në trojet e veta, ndërsa ne mërgimtarëve na i ndalën në gjysmë ëndrrat për kthim në vendlindje. Bojkotimi i këtij procesi të montuar politik zgjedhor nga ana e mërgimtarëve është përgjigja më e mirë ndaj abuzuesve të djersës dhe gjakut të mërgatës për lirinë e shtetit, i cili është bërë "nënë" për pushtetarët, ndërsa "njerkë" për mërgimtarët dhe qytetarët e rëndomtë që nuk janë mbështetës të pushtetarëve. Vëllezër e motra mërgimtarë, mos bini pre e militantëve partiakë në mërgatë, bojkotoni aktivitetet partiake dhe ato me prapavijë politike. T'ua bëjmë të qartë një herë e mirë pushtetarëve në Kosovë se ne jemi për shtet e jo për pushtet, ne mërgimtarët jemi autonomë dhe për asnjë lloj çmimi nuk bëhemi vegla të politikës dhe se ne nuk u nënshtrohemi siç e mendoni ju formave të presionit dhe shantazhit politik të asnjë subjekti politik. Edhe kjo maskaradë zgjedhore e nxori në shesh të vërtetën e madhe të injorimit dhe anashkalimit të mërgatës nga ana e partive politike. Paturpërisht u injoruan ata që për dekada bënë gjithçka për vendin, po bëjnë sot dhe do të bëjnë edhe në të ardhmen, por asnjëherë nuk do të bien pre e interesave partiake, grupeve të interesit dhe individëve me prapavijë të dyshimtë. Përgjigja më e mirë ndaj maskaradës zgjedhore të 11 qershorit, epilogu e së cilës dihet paraprakisht, do të ishte BOJKOTI i përgjithshëm i mërgatës ndaj këtij procesi të montuar politik, i cili përveç vazhdimësisë së keqqeverisjes, nuk do t'i sjellë gjë të mirë vendit dhe qytetarëve. Megjithatë, mbetet në vullnetin individual të çdo mërgimtari, të vlerë- sojë rrethanat dhe arsyen e pjesëmarrjes apo jo në procesin zgjedhor. Gjëja më e dhimbshme mbetët, mbështetja pa vetëdije e së keqes, ndërsa pendimi është gjithmonë i vonuar dhe i pariparueshëm. Edhe pse bojkotimi i zgjedhjeve është vendim personal, BOJKOTI i zgjedhjeve të 11 qershorit, parandalon pendimin e juaj nesër! Në pamundësi ndryshimi të realitetit të hidhur politik në Kosovë, bojkotimi i zgjedhjeve do të ishte akt patriotik i mërgimtarëve.

(Kosova Sot)