Shansi i fundit i Ramush Haradinajt

Shansi i fundit i Ramush Haradinajt
  • 19 June 2017 - 07:59

Shkruan: Reshat Sahitaj

Për gjeneratat e ardhshme jeta dhe vepra e Ramush Haradinajt mund të përmblidhet me një monografi jovoluminoze, në të cilën do shkruhet se ishte komandat dhe luftëtar i denjë i një zone operative, i cili gjatë luftës kundër okupuesit luftoi trimërisht me vëllezërit e tij dhe shokët për çlirimin e Kosovës. Pas përfundimit të luftës për shkak të procesit gjyqësor në Tribunalin e Hagës, figura e Ramushit u shndërrua në legjendë që gati sa nuk u barazua më figurën e Adem Jasharit.

Si do të trajtohet figura e Ramushit nga historianët e ardhshëm?

Në monografinë e pasneshme, historianët nuk do të shkruajnë për akuzat për grumbullimin e haraçit që e akuzonte Albin Kurti, sepse historia nuk merret me thashetheme, e historia merret me prova, fakte dhe vepra konkrete. Historianët e pasneshëm do të shkruajnë duke u bazuar mbi librat e shkruar nga bashkëkohorët e Ramushit, si: Michael O'Reilly dhe të Blerim Shalës, por nga i fundit nuk kanë çka marrin, përveç fakteve që i ka folur Ramushi, e madje ky libër do të merret si subjektivizëm pasi në të dominon vetëm fjala e Ramushit dhe serviliteti i Blerim Shalës. Historianët e pasneshëm do të shkruajnë se ishte kryeministër 100 ditë, ku brenda këtyre ditëve nga fondi i Qeverisë së Kosovës u zhdukën 100 milionë euro pa gjurmë. Historianët e ardhshëm e ndërtojnë kullën e historisë pa imponime, pa frikë nga hakmarrjet klasike të figurave politike, pa kërcënime se po i përjashtojnë nga puna, pa interesa si Blerim Shala …, por ata bazohen në fakte dhe vepra që kanë lënë paraardhësit e tyre. 

Pendat servile në shërbim të personaliteteve

Kjo që u tha ka mundësi të shkruhet edhe sot, mirëpo në Kosovë mungon penda e guximshme intelektuale e pa anshme, dhe nëse ekziston ajo nuk çmohet e nuk vlerësohet nga klasa politike, të cilët i mbiçmojnë pendat servile të pushtetit dhe të personaliteteve politike. Edhe nëse ekzistojnë penda të tilla nga frika ngurrojnë të shprehin mendimet e tyre objektive, sepse do të zhgënjehen si nga shtresa politike edhe ajo mediale, ku çdo ditë debatojnë pjesa dërmuese e servilëve që paraqitën sikur dinë çdo gjë e nuk dinë asgjë. Pendat servile vlerësohen jo vetëm nga Ramushi, por edhe nga të gjithë tjerët, si Hashim Thaçi, i cili gëzohej kur një njëri nga këto penda shkruante se Hashim Thaçi është Gjergj Uashingtoni i shqiptarëve dhe si shpërblim për këtë dikë e emëroi ambasador të Kosovës. Aktualisht askush nuk është i interesuar se çka do shkruhet më vonë, por kush dhe si do ta formojnë qeverinë e re. A do ketë numra të mjaftueshme Ramushi apo do të dështojë nga manipuluesit dhe tradhtitë që mund t'ia kurdisin shefat e PDK-së. Ramushi është mashtruar shumë herë nga liderët e PDK-së si gjatë luftës edhe gjatë viteve të lirisë, duke e lënë më gishta në gojë. Për opinionin janë të freskëta pritja që iu bë Ramushit pas lirimit nga Haga, dhe deklaratat e Ramushit kur thoshte pas një muaj do të bëhem kryeministër, e pastaj thoshte edhe tre muaj. Muajt kalonin e mbushen vite e Ramushi nuk u bë kryeministër, sepse Thaçi e Kadri Veseli arsyetoheshin se nuk mund ta bënin kryeministër për shkak të përqindjes se vogël të AAK-së. Për mashtrimet e tjera që iu kanë bërë Ramushit nga PDK-ja, mund të mësojmë në librat e Blerim Shalës mbi Ramushin.

Kësaj here, a do të jetë Ramushi viktimë e manipulimeve të PDK-së?

Shefat e PDK-së janë të njohur për shkathtësitë e tyre manipuluese, të cilët dinë shumë mirë të japin premtime boshe e të mos i plotësojnë ato, janë të njohur për kurdisje të vrasjeve pas shpine të shokëve më të mirë të tyre e t'i vajtojnë ditën e varrimit, janë të njohur për anashkalimin dhe injorimin total të shokëve luftëtarë të tyre dhe aktivistëve më të devotshëm të çështjes kombëtare, janë të njohur edhe për shumë gjëra të tjera të pista antikombëtare, të cilët për karrierë nuk njohin shtet as atdhe. Të gjitha këto i kanë mësuar nga Shërbimi Sekret i Shqipërisë, ku shumë kohë para se të fillonte lufta, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi dërgohen zyrtarisht nga LPK-ja në Shqipëri , që të ushtrohen disa muaj dhe posa kthehen në Zvicër hetimet e para i fillojnë kundër shefit të LPK-së se asaj kohe e jo kundër njerëzve të UDB-së. Qe nga ajo kohë e deri më sot SHIK-u e ka shtrirë rrjetin e tyre, por veprimet i kanë të kufizuara vetëm në zbulimin e shokëve e aspak për zbulimin e operacioneve serbe në Kosovë. Duke u bazuar nga praktika shumëvjeçare e veprimeve të PDK-së, të cilët premtojnë, tinëzisht kërcënojnë e shantazhojnë deri në zhdukje fizike, ekziston mundësia që Ramush Haradinaj të tradhtohet nga ata që gjithnjë e tradhtuan: Hashimi alias Gjarpri, Kadriu alias Luli, Xhaviti alias Zeka e të tjerët. 

Si do veprojë Ramushi, nëse nuk zgjidhet kryeministër? 

Çka i mbetet Ramushit nëse edhe kësaj here do të tradhtohet nga Gjarpri, Zeka, Luli me rrjetin e tij? Për të pasur një përgjigje më komplete duhet të rikthehemi në fillim të ngjarjeve për rrëzimin e qeverisë. Rrëzimi i qeverisë ishte dëshirë e tërë partive të mbetura në opozitë e të tradhtuar nga Isa Mustafa, i cili pa fije turpi dhe moral lidhi koalicion më PDK-në, duke i lënë Ramushin, Albinin dhe Fatmirin si gjynahat e zotit që thoshte populli ato ditë. Në shenjë hakmarrje që u tradhtuan këta tre bashkërisht vendosën ta rrëzonin qeverinë dhe po ia tundeshin themelet çdo ditë e më shumë. Në momentet e fundit ku faktikisht qeveria ekzistonte vetëm në listën e rrogave, PDK-ja arriti ta joshte Ramushin që të largohej nga Albini duke i premtuar edhe PDK-ja ishte për ta rrëzuar vetveten nga qeveria, por të gjenin një modus që përsëri të jenë në pushtet e Ramushin do e bënin kryeministër. Kjo ide i përshtatej Ramushit, i cili pa hezitim e pranon, e në anën tjetër veprimet e VV me gaz lotsjellës dhe akte tjera primitive e larguan AAK e NISMA nga Albini, për t'i dhënë hapësirë koalicionit më PDK. Koalicioni PDK/NISMA/AAK nuk është aspak i natyrshëm siç deklarojnë disa analistë politikë injorant, të cilët bazohen duke i klasifikuar si krahu i luftës. Në fakt këta as gjatë luftës nuk kanë qenë mirë mes veti e as pas luftës. Si është mundur të pajtohen mes veti kur as lufta nuk i ka bashkuar?! Tani janë bashkuar tre atllarë ! Tre shefat më të dalluar të luftës, të cilët secili e ndien veten më mbret se tjetri. Dy atllarë nuk lidhën në një kunxh, thotë populli, e tre hiç e më e hiç. Atllarët edhe pse janë kafshë e kanë krenarinë dhe xhelozinë dhe nuk e durojnë atin tjetër të lidhët afër tij. Njeriu e ka instinktin shtazarak dhe nuk dallon shumë nga kafshët përveç logjikës dhe të folurit, andaj në rastin tanë atllarët janë bashkuar, sepse nuk kanë alternativë tjetër për të qenë në pushtet. Sikur të mos ekzistonte Albin Kurti dhe rritja e VV në dyfishim, plani i tre atllarëve tanë ndoshta do të kishte funksionuar përkryeshëm ashtu siç e ka projektuar Kadri Veseli para rrëzimit të qeverisë për ta rrëzuar qeverinë. 

VV-ja ua prishi planet listës PDK/AAK/NISMA

Ra Albin Kurti e ua prishi planet mafioze shtetërore Lulit, Gjarprit dhe Zekës me kompani. Është besuar në rritjen e VV, por askush nuk e ka imagjinuar në dyfishimin e saj. Rrëzimin e qeverisë së vet nga vetvetja është planifikuar që tri partitë bashkërisht do bëjnë përafërsisht 50 % e duke llogaritur në këtë përqindje të imagjinueshme, ata kanë thurur strategji të reja më njerëz të vjetër e më shpresa mbi legjendën e komandantin legjendar Adem Jasharit. Krahu i luftës nuk ka bërë renovime në strukturat partiake, duke mbajtur shpresa se do t'u dalë në ndihmë legjenda e Adem Jasharit, të cilin e kanë tradhtuar pikërisht krahu i vetëquajturi i luftës. Kadri Veseli si shef i PDKsë, i mësuar nga koha e ilegales të punojë tinëzisht dhe të merret më gjera sekrete ka mbetur thjesht një katundar hiç më i zgjuar se qindramijëra katundarësh tanë, por më paraqitjen e tij në medie i ka hyrë vetja në qejf se është më i mençuri i vendit. Duke vepruar më mentalitet të katundarit që i rritet mendja, e ka futur thellë në struktura partiake Arbana Xharrën e cila përveç shkrimeve të guximshme antiislamiste ajo ende nuk ka arritur të largohet nga gjuha provinciale, e cila është më katundare se vetë Kadri Veseli. Frika nga renovimet partiake dhe dëshira për të zhvatur pushtetin kanë ndikuar që tri partitë bashkë si dhe pesëmbëdhjetë tjera të vogla të mos i afrohen VV, e cila tani është faktor kryesor për zhvillimet e reja politike. Kadri Vesli do të duket transparent që Ramushi të tentojë të bëhet kryeministër, mirëpo ka shumë gjasa që një pjesë e madhe e deputetëve të tij do të porositën të mos ia japin votën Ramushit, në mënyrë që në tentimin e dytë të dalë dikush nga PDK-ja, e ai sigurisht që do të jetë Kadriu. Tani jemi afër përgjigjes në pyetjen se çka i mbetet Ramushit nëse dështon. Nëse dështon Ramushi të bëhet kryeministër, është zhgënjimi më i madh në jetën e tij që ia kalon të gjitha akuzave të Serbisë ndaj tij, që ia kalon të gjitha vuajtjeve gjatë luftës dhe jetën në burgun e Hagës. Ramushi do të jetë i zhgënjyer dhe në vete do të pendohet që u ka besuar të pabesëve, siç jam i zhgënjyer edhe unë jo vetëm nga njëra parti, por nga të gjithë. Zhgënjimi i Ramushit do të jetë i fortë, sepse ai do ta humbë shansin e fundit të jetës politike. Moszgjedhja e Ramushit kryeministër në afatin e parë do të ketë pasoja dramatike me ç'rast AAK-ja do të zvogëlohet që as pragun të mos mund ta kalojnë. Kurrë më në jetë Ramushi dhe AAK nuk do mund të bëhen faktor politik. Përballimi me realitetin e ri të krijuar në skenën politike do ta shqetësojnë thellë Ramushin, i cili do t'i shtrojë pyetje të shumta vetvetes se pse ka luftuar heroikisht për këtë popull, nga i cili nuk e mori votëbesimin. Këto shqetësime do të ndikojnë që Ramushi të mbledhë të gjitha forcat e fundit e të bëjë çmos ta krijojë qeverinë që në seancën e parë të Kuvendit. Tani Ramushit nuk i interesojnë përfitimet materiale që do t'i ketë nga zhvatjet e ndryshme gjatë qeverisjes, por në pyetje është krenaria e tij personale. Mozgjedhja kryeministër është sinjifikim i humbjes së krenarisë se tij dhe partisë që ai e dirigjon. Andaj Ramushi do t'i bëjë përpjekjet e tij të fundit dhe shumë vendimtare për karrierën e tij politike të mëvonshme, që me çdo kusht të bëhet kryeministër. Nga tre kandidatët potencialë për shef të qeverisë, më adekuat për kushtet dhe situatës që gjendet Kosova Ramush Haradinaj është më i përshtatshmi dhe më njeri i fjalës dhe i besës. Nëse Ramushi do të arrijë numrin e mjaftueshëm dhe bëhet kryeministër, ky duhet të bëjë ndryshime radikale dhe vendime të rëndësishme kombëtare. Duhet ta ndërrojë stafin e tij të këshilltarëve dhe t'i kërkojë më të fortët e të gjitha fushatave, pavarë- sisht cilës parti i takojnë. Nëse arrin t'i bëjë këto ndryshime, në biografinë e tij historianët e pasneshëm kanë material të shkruajnë për vendosmërinë e tij dhe vendimet në interes te qeverisë. Në të kundërtën do të mbetët vetëm një luftëtar i denjë, por që pas luftës u shndërrua në milionerë si shumë nga shokët e tij. 

(Kosova Sot)