ALBIN KURTI I AKULLT

ALBIN KURTI I AKULLT
  • 27 June 2017 - 08:13

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ

Mbi jetën dhe veprën e Albin Kurtit, historianët e ardhshëm do ta ndajnë në tri pjesë: a) veprimtaria në Unionin e Pavarur të Studentëve , b) pjesëmarrja në zyrën politike të UÇK-së të udhëhequr nga Adem Demaçi dhe burgosja e tij, c) themelimin e Lëvizjes 'Vetëvendosje', ndërsa pjesa tjetër varet nga aktiviteti i tij, por që përfundon me siguri të ndonjë post i rëndësishëm qeveritar. 

Fillet e ngritjes së Albin Kurtit

Për opinionin tonë Albin Kurti njihet që nga protestat e Unionin të Pavarur Studentor, ku e shoqëronte Bujar Dugollin dhe Muhamet Mavrajn, të cilët dolën mbi sipërfaqe me një opsion politik ndryshe nga Ibrahim Rugova. Asokohe ky tresh konsideroheshin si përfaqësuesit e rinisë kosovare, ku Bujar Dugolli shquhej nga dy tjerët si i vendosur dhe i pjekur politikisht, ndërsa Albin Kurti dallohej me stilin e flokëve që ia kalonin dukshëm proporcionit të kokës se tij dhe që bëhej i veçantë nga tjerët. Më kalimin e kohës Unioni i Pavarur Studentor kishte kaluar kufijtë shqiptarë, e veçmas kontaktet e tyre me ambasadorë të shteteve të huaja në Beograd që në ndërkohë interesoheshin për ngjarjet në Kosovë. Që situate dramatike kosovare të internacionalizohej edhe më, Bujar Dugolli dhe Albin Kurti erdhën në shtëpinë time në Bruksel, ku gjatë qëndrimit të tyre do t'i shoqëronim unë Ekrem Krasniqi dhe Afrim Gjonbalaj. Pas shumë vizitave me ndërkombëtarë dhe një konferencë për medie në IPC (International Presse Centre) me zonjën Anne Marie-Lizin kryetare e politikës se Jashtme në Sentatin Belg, si dhe pas një interviste ekskluzive me gazetarin më të njohur Eduard Van Weltheim, i përcolla nga Brukseli. Natyrisht që asnjëri prej tyre nuk i kanë ruajtur as videokasetën e konferencës për medie e as kopjen e gazetës prestigjioze "Le Soir" , por ato gjendën në Arkivin e Byrosë Informative të R. Kosovës më seli në Bruksel, e një kopje ruhet edhe në Kosovë. Gjatë takimeve në Bruksel gjithnjë kisha kujdes që Bujar Dugolli të shprehej me të huajt, sepse ishte më serioz e fjala e tij dukej më peshë, ndërsa me Albinin bisedonim më shumë gjatë kohës së lirë se dukej më i shoqërueshëm, pavarësisht që qeshte vend e pa vend.

Ngritja e Albin Kurtit

Arrestimi i Albin Kurtit nga policia serbe, ndikoi dukshëm në opinionin tonë duke e karakterizuar atë si një patriot të denjë. Burgosja e Albin Kurtit më kishte prekur thellë në shpirt sepse, përveçse ishte një i burgosur, me të cilin kisha pasur kontakte dhe simpati ndaj punës së tij, por më të kisha përshtypjen që Serbia kishte burgosur tërë Kosovën. Burgosja e tij më shtyri që të veproja ende në internacionalizimin e krizës kosovare duke lobuar për lirimin e Albinit ( dhe të tjerëve). Pas shumë takimeve dhe letërkëmbimeve me personalitete evropiane mbi lirimin e Albinit, më në fund iu drejtuam edhe OKB-së në NjuJork, përmes kryetares së Senatit të Belgjikës zonjës Anne Marie-Lizin më 15 shtator 1999, ku më vonë arrestimi i Albinit u bë temë diskutimi në njërën nga seancat në OKB. Vuajtja e dënimit në burgjet serbe, Albin Kurtit po ia shtonte famën jo vetëm në opinionin tonë, por edhe atë ndërkombëtar. Ne, shokët që kishim pasur rastin të vepronim më Albinin , ndjeheshim krenarë më qëndresën e tij në burg, e veçanërisht kur ai dha intervistë për një televizion të Serbisë. Intervista e tij dhënë në televizionin serb, ndikoi negativisht te shqiptarët, sepse habiteshin se kurrë më pare asnjë i burgosur politik shqiptar, nuk ishte lejuar të shprehje lirshëm para kamerave serbe. Flitej se serbët e kishin lejuar qëllimisht në mënyrë që në popullin tone ta forconin e ta përgatisnin si figurë të ardhshme politike. Pas lirimit nga burgu Albin Kurti iu bashkëngjit Adem Demaçit, i cili ia ofroi një emision në RTK, por i harroi shokët e luftës Bujar Dugollin dhe Muhamet Mavrajn. Bujar Dugolli dhe Muhamet Mavraj ishin më pak të rëndësishëm për qëllimet enigmatike të Albin Kurtit e që mund t'i realizonte, duke e përdorur Demaçin dhe autoritetin e tij të pasluftës.

Karakteri i Albin Kurtit

Emisioni në RTK pyetje e përgjigje, filloi të shndërrohej në debate odash e pa kurrfarë interesi të gjerë kombëtar, mirëpo Albin po e lansonte në opinion. I pakë- naqur me emisionin televiziv, i pakënaqur më politiken ditore, Albini filloi të ndihej superior mbi të gjithë personalitetet politike tona e madje edhe mbi Demaçin, i cili po e përkrahte në çdo aspekt. Albin Kurti e lansoi Lëvizjen më një ideologji të re, e që më hapa të ngadalësuar, por të sigurt, po shpresonte të arrinte majat e pushtetit. Ideologjia edhe sot është temë e studimeve të shumta në botë. Të gjitha këto studime e kanë origjinën dhe temën mbi rolin e ideologjisë, që luan në shtetet e reja të pazhvilluar. Sipas sociologëve botërorë, ideologjia sqaron pse jemi të pazhvilluar ekonomikisht, pse duhet të ndërrohet qeveria dhe ideologjia nuk është diçka abstrakte, por u referohet interesave individuale ose kolektive të menjëhershme. Sociologët e kanë konfirmuar se ideologjitë lindin nga ata me gjendje të fortë psikike e të cilët në të shumtën e rasteve janë të dyshimtë ose latentë. Nëse lideri është në gjendje të ankthit për ndryshime të mëdha në shoqëri gjendja e tij është më e dobët dhe kërkon zgjidhje politike shkallë-shkallë, por kur gjendja e ankthit ndodh pas ndryshimeve të mëdha atëherë lideri është agresiv dhe kërkon zgjidhje me mjete agresive dhe ky tip i ankthit janë liderët konservatorë ose reaksionarë, por jo revolucionarë. Se në cilën kategori bën pjesë lideri Albin Kurti, duhet analizuar vendimet dhe veprimet e tij dhe partisë që ai e udhëheq. Janë të njohura faktet se VV dhe lideri i saj, Albin Kurti, janë rritur duke e manipuluar masën tonë fillimisht gjatë protestave përmes akteve vandaliste, duke thyer vitrinat e dyqaneve dhe kafeneve shesheve të qyteteve tona, pastaj duke rrokullisur vetura e kamionë për të kaluar në përleshje fizike me mbrojtësit e rendit me ç'rast e humbën jetën dy militantët e VV në qendër të Prishtinës. Për familjet ishte një tragjedi dhe humbje e madhe, mirëpo për liderin e VV, Albin Kurtin, ishte një fitore e madhe, sepse nga pikat e gjakut të tyre po i rritej fama e Albinit si personalitet për të cilin mendonim se nuk pajtohet më padrejtësitë që i bëheshin Kosovës. Kudo në botë partitë kanë nevojë për gjakun e derdhur të militantëve, sepse një militant i vrarë ka vlerë sa mijëra anëtarë të gjallë. Albin Kurti dhe Lëvizja e tij kanë ditur që gjakun e derdhur të dy militantëve ta përdorin duke reklamuar formulën se nga një militant i vrarë lindin mijëra militantë të rinj. Më vonë u gjend i vdekur vëllai i Astrit Deharit në banesën e tij, duke e shpallur vrasjen e tij si vetëvrasje gjë që do të ndikonte thellë në shpirtin e Astrit, i cili pa fije dyshim verbërisht do t'i zbatonte urdhrat e shefit të tij Albin Kurtit me bindje se VV dhe shefi i tij janë faktori kryesor, pa të cilët Kosova nuk mund të ekzistojë. Këtë bindje ua ka futur Albin Kurti përmes akteve të tij personale, i cili fizikisht përballej me forcat e rendit tonë. Mirëpo, Albin Kurti e ka ditur vijën e kuqe deri ku duhet të shkojë agresiviteti i tij, dhe e ka keqpërdorur autoritetin e tij, sepse ka ditur që asnjë nga forcat e rendit nuk do ta vrisnin Albin Kurtin. Shkuarja në varrimin e patriotit Ali Aliut, ishte organizim i qëllimshëm, në mënyrë që forcat e rendit ta kapnin, e ikja e tij të bëhej e zhurmshme që t'i rritej fama. Nga aktet agresive të vetë Albinit do të shërbenin si nxitje dhe admirim tek militantët, të cilët në vete do të thoshin se lideri nuk ka frikë, e pse ne të kemi frikë. Këto akte personale të Albinit, edhe pse të menaxhuara shumë mirë nga ai, krijonin përshtypje të mira jo vetëm të militantët, por edhe në opinion sa që shumica prej nesh u bindëm se Albin Kurti ishte Skënderbeu i dytë. Në këtë kontekst ngjarjesh e situatash të rrëmbyeshme e të pazakonta i kapte euforia edhe militantët e VV me ç'rast Astrit Dehari do të pësonte vrasjen në burgun e Prizrenit, e cila vrasje do të shfrytëzohej maksimalisht nga VV dhe liderët Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti, i cili gjatë varrimit i shpëtuan lotët e krokodilit duke qenë shumë mire i vetëdijshëm se me lotët e tij do t'i nxiste dhe afronte mijëra militantë të tjerë. Madje, fjalimi i Shpend Ahmetit gjatë varrimit të Astrit Deharit ishte qesharak saqë publiku nuk dinte se a po varrosej Ismail Qemajli apo dikush nga shefat e VV. Më vjen shumë keq nga Avni Dehari me të cilin njihemi shumë e shumë vite më parë ( dhe e di që pas këtij shkrimi do ta përdorin kundër meje), më vjen shumë keq nga nëna e Astritit dhe mbarë familja e tyre, mirëpo Astriti u vra në kushte dhe rrethana enigmatike, andaj nëse nuk shkruaj unë dikush tjetër do të shkruajë, dikush tjetër do të merret seriozisht me ketë temë, sepse vrasja e Astritit u shfrytëzua më shumë për ngritje të VV-ë. Avni Dehari e di kohën tonë të dikurshme se kur u vra Jusufi, Kadriu e Bardhoshi, ne brohorisnim rrugëve të Evropës: "Një u vra, miliona tjerë do të ngriten!". Asokohe Avni Dehari e di se ne ishim të bindur në atë qe thoshim dhe kemi mbetur të tillë, por Kosova e sotme nuk është sikur që ishte Kosova e djeshme nën okupimin serb. Në Kosovën e sotme nuk kemi nevojë të derdhim gjakun e bijve e bijave tona më të mira pavarësisht qeverive tona dobëta. Në Kosovën e sotme nuk kemi pasur e as nuk kemi nevojë t'i lëmë prindërit pa lulen e rinisë për ngritje të disa shefave te partisë. Madje, ku mbeti gjaku i katër militantëve të VV?! Si u trajtuan dhe po trajtohen prindërit e katër militantëve të vrarë të VV ?! Katër militantët e VV nuk mund të trajtohen si dëshmorë që ranë në altarin e lirisë, nga asnjë qeveri e sotme e as e nesërme, sepse Kosova ishte e çliruar. Nga gjaku i katër militantëve, Albin Kurti e ka vënë në praktikë teorinë e Makiavelit dhe filozofëve tjerë. Katër militantët e VV-së ranë për ngritjen e VV-së dhe shefave, e jo për çlirimin e Kosovës. Pse asnjëherë gjer më sot, Albin Kurti dhe VV-ja, nuk treguan interesim institucional për statusin e katër militantëve ?! Ç'po ndodh me familjet e katër militantëve ?! A asnjëri prej këtyre familjeve nuk paska një të mençur sa të bëhet deputet, apo ndoshta këto familje dhe të tjerat Albini po i rezervon që ende t'i sakrifikojnë bijtë e bijat e tyre për t'u vrarë në përleshje të radhës?! A mendon Albin Kurti se Avni Dehari nuk e meritonte të ishte kandidat për deputet në zgjedhjet e qershorit ?! Avni Dehari e ka një biografi të pastër që nga fëmijëria e hershme e deri sot, dhe ka përveç aftësive profesionale edhe bagazh patriotik të ishte deputet i Kuvendit, mirëpo për VV, figura e tij është më vlefshme të jetë prezent në tubime, sesa të jetë pjesë e strukturave vendimmarrëse e VV, siç u shfrytëzua dikur figura e vëllait të Ukshin Hotit.

Aftësia e Albinit Kurtit sipas fjalëve të Albinit

Albin Kurti është i bindur që ka aftësi hipnotizuese për ta bindur kë ka dëshirë, e pastaj të manipulojë me të sipas dëshirës. Ky është një fakt i pakontestueshëm, sepse me punën e tij para luftës, gjatë luftës dhe pas arrestimit, emri i tij është ngritur në piedestalin e patriotizmit. Ishte krejt normale që ne t'i kemi besuar Albinit pas tërë atyre që shkruhej në mediet tona për aktivitetin e tij. Ne shqiptarët gjithmonë u kemi besuar figurave tona të ngritur herë nga shtypi i Serbisë e herë nga aktet e tyre individuale. Të këto figura shqiptari ka besuar verbërisht dhe pa hezitim në çdo kohë ishim në gjendje edhe jetën ta japim. Duke i njohur këto rrethana dhe këtë mentalitet, Albin Kurti një ditë prej ditësh gjatë një bisede më një mik të tij të besueshëm (që dikur ishte kryetar i një OJQ e të cilin më vonë e keqpërdor, duke e futur në listë për deputet) i thotë: "Mua më besojnë shqiptarët dhe lehtë e kam të manipuloj me ta". Bisedën me filan ishkandidatin e VV e zhvilluam bashkë më Ekrem Krasniqin (aktualisht analist për një gazetë prestigjioze politike evropiane në Bruksel). Dyshimet mbi Albin Kurtin pastaj vazhduan gjatë një takimi të kërkuar nga Albini ku prezent isha unë dhe Behare Rexhepi. Gjatë këtij takimi Albin Kurti tha: "Qëllimi im është ta rrëzoj Hashim Thaçin, që ai pastaj t'i tregojë padronit të tij se unë e kam rrëzuar!" Beharja e pyeti Albinin se cili është padroni i Hashimit, e Albini nuk tha, por la të nënkuptonim se ishte Serbia. Beharja iu përgjigj: "Kam frikë se mos e paske edhe ti të njëjtin padron, sepse Serbia i përgatit personalitetet tona politike shumë vite më herët!". Pas fjalës së Behares , Albin Kurti e bëri një heshtje të gjatë dhe i shkonin djersët mbi ballë. Nuk dha përgjigje , por e lëshoi një qeshje artificiale siç e ka zakon. Pak vite më vonë, në shtëpinë time bashkë më Adem Demaçin, po e shikonim një seancë të Kuvendit, kur njëri nga foltorja (më dukët se ishte Hashim Thaçi) e akuzonte Albin Kurtin si bashkëpunëtor të Serbisë. Gjatë këtyre akuzave Albin Kurti fshihte kokën pas një deputeti të VV, më duket pas Florin K., e Baca Adem bërtiste: "Këqyre Reshat , këqyre Albinin qysh po struket! Nëse nuk është spiun qysh po e akuzojnë, qysh nuk po shpërthen me kundërshtime, por po struket!". Atë ditë, ishte një akt qyqar i Albin Kurtit, i cili për asnjë sekondë nuk guxoi ta ngriste kokën e ta thoshte fjalën! Jam i bindur që pamjet e asaj seance ende ruhen në arkiv, ku duket fshehja e kokës se Albinit dhe balli i tij i djersitur. Çuditërisht, djersitja e ballit të Albin Kurtit në raste kur ai gjendet pa përgjigje dhe fajtor, ka ndodhur edhe gjatë një bisede në mes Albinit dhe Ekrem Krasniqit, kur Ekremi i tregon një fshehtësi të KFOR-it dhe raportin e tyre mbi Albinin e mbuluar më batanije për të dalë tinëzisht në takim më serbët. Më të dëgjuar këtë Albini djersitet dhe qeshet artificialisht, e disa ditë më vonë në protestën të Dheu i Bardhë, Albini hedh akuza kundër Ekremit, në mënyrë që militantët t'i vërsulën Ekremit, pa e ditur Albini se të gjithë militantët nuk janë besimtarë të verbër të sektit VV të udhëhequr nga Albini. Ekremi dhe unë qe atëherë i kemi kërkuar Albin Kurtit të përballemi në debat televiziv direkt, por ai ka refuzuar dhe ende refuzon. 

Kur laperi bëhet pashë, e burgos babanë e tij

Të gjithë lexuesit e këtij shkrimi e dinë legjendën që ende tregohet se si Sulltani i Perandorisë Osmane kishte vendosur që një laper ta emëronte pasha. Ky në rastin e parë kthehet në Kosovë dhe gjëja e parë që bën e prangos babanë e tij. Unë kam bindje se nëse jo në këtë afat në një afat tjetër Albin Kurti do të bëhet kryeministër, e madje kryetar i Kosovës, dhe gjëja e parë që do të bëjë do të hakmerret kundër të gjithë atyre që kanë shkruar kundër tij e pastaj do t'u lëshohet kundërshtarëve politikë, e më vonë kundër shokëve me të cilët e ka themeluar Lëvizjen. Mirëpo, Albini harron se Kosova nuk është sa Turqia e madhe dhe me pozitë strategjike, dhe se Albini nuk është Erdogan, e aktet antidemokratike të liderëve të tanë nuk u shkojnë gjatë. Po të ishte ashtu siç mendon Albin Kurti, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi qysh moti do t'i kishte vrarë disa kundërshtarë, shumë moti do t'i kishte burgosur disa opinionistë që shkruajnë kundër tij. Për një Kosovë me sistem totalitar Albin Kurti mund ta imagjinojë, kurrë nuk do të guxojë ta ndërtojë një sistem të tillë, sepse do bie vetë në grackën e tij të ndërtuar për tjerët.

(Kosova Sot)