Shteti mafioz i BE-së

Shteti mafioz i BE-së
  • 28 June 2017 - 10:48

Shkruan: Bálint Magyar

Pas rënies së komunizmit, shumë prej nesh në Evropën Qendrore dhe Lindore kishim shpresuar se regjioni do të lëvizte në mënyrë të qëndrueshme kah demokracia liberale dhe se çdo pengesë, në këtë rrugë, do të mund të tejkalohet. Por, në shumë ish-vende komuniste, sistemet e vjetra të patronimit dhe korrupsionit kanë mbijetuar dhe kanë marrë forma të reja. Ajo për të cilën ne mendonim se ishte një fazë kalimtare, u bë realitet i përhershëm. Ta marrim shembullin e Hungarisë, e cila është shndërruar në një shtet mafioz gjatë shtatë vjetëve të sundimit të Viktor Orbánit si kryeministër. Hungaria është unike për faktin se ka lëvizur kah demokracia liberale dhe i është bashkuar BE-së para se ta ndryshonte kursin dhe të shkonte kah autokracia. Shtetet e tjera mafioze të regjionit, sikur Rusia, Azerbajxhani dhe ish- republikat tjera sovjetike të Azisë Qendrore, ose kaluan nëpër një periudhë të fluksit oligarkik, ose morën një udhë direkte nga diktatura komuniste, te organizatat kriminale. Në këto vende oligarkët dhe nëntoka e organizuar nuk e kanë kapur shtetin, por më shumë një 'mbitokë' e organizuar e elitave kanë kapur ekonominë, duke përfshirë edhe vet oligarkët. Rezultat i kësaj është një përzierje midis një organizate kriminale dhe një shteti të privatizuar, parazit

Regjimet që bëjnë apele populiste

Pjesa më e madhe e analizave të autokracive postkomuniste janë të prira, që të përqendrohen te institucionet politike dhe te ideologjitë që e mbështesin shtetin. Por, derisa këto regjime bëjnë apele populiste, ato nuk udhëhiqen nga ideologjia. Shqetësimi primar i tyre ka të bëjë me konsolidimin e fuqisë së sunduesit dhe pasurisë personale me anë të çdo mjeti të nevojshëm. Në shtetet mafioze të sotmes, vendimet kyçe merren me anë të mekanizmave joformale, të krijuar nga regjimi, në vend se përmes institucioneve formale. Në aspektin e strukturës dhe kulturës, këto marrëveshje ngjajnë me një familje të adoptuar, të cilën regjimi e krijon nga zëvendësimi sistematik i elitave politike dhe ekonomike. Në një vend demokratik, këto elita do të ishin pjesëmarrës autonomë. Por, në një shtet mafioz, pozita e tyre është përfshirë në një sistem të vartësisë të tipit të patronit dhe klientit, shpesh përmes korporatave të udhëhequra nga regjimi, që bëjnë bastisje dhe marrin haraç. Teknika klasike e mafisë, e dhunës fizike, është zëvendësuar nga një formë "ligjore" e detyrimit, e mbikëqyrur nga autoritetet publike. Nuk ka dyshim se korrupsioni është endemik edhe në vendet e tjera post-komuniste, që i janë bashkuar BE-së, sikur në Rumani dhe Bullgari. Por, meqë këto vende kanë sisteme zgjedhore proporcionale dhe ndarje të fuqisë ekzekutive, nuk është paraqitur asnjë rrjet qendror i patronazhit. 

Shteti mafioz i Orbánit do të jetë vështirë të çmontohet

Për dallim nga Jaroslaw Kaczy?ski, lideri de facto i Polonisë me fanatizmin e tij ideologjik, Orbán është cinik. Lloji i regjimit autokratik të cilin ai është duke u përpjekur që ta vendosë në Hungari, është shumë i ndryshëm nga ai i Kaczy?ski-t në Poloni, përkundër ngjashmërive ideologjike. Derisa regjimi i Orbánit kërkon pasurinë, dhe mbështetet nga një familje e adoptuar politike, e cila operon jashtë kufizimeve të institucioneve formale, Kaczy?ski është duke bërë një eksperiment konservativ-autokratik, që udhëhiqet sa nga ideologjia, aq sa nga kërkesa për pushtet. Në zgjedhjet parlamentare të Hungarisë, të vitit 2010, Partia Fidesz e Orbanit mori 53% të votave, respektivisht 263 nga 386 ulëse në Asamblenë kombëtare. Orban e përdori këtë pozicion të fuqishëm për ta ndryshuar kushtetutën, për të caktuar pasues besnikë në institucionet demokratike, të cilat do të duhej ta mbanin nën kontroll pushtetin e tij, sikur që filloi edhe të manipulonte ligjet zgjedhore, me qëllim të forcimit të sundimit të tij. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, Fidesz pati nevojë për vetëm 44% të votave, që ta mbante kontrollin. Shteti mafioz i Orbánit do të jetë vështirë të çmontohet. Rrjeti i tij piramidal i patronazhit, i ngjashëm me atë të krijuar nga Vladimir Putin në Rusi, duket të jetë i pathyeshëm. Duhet të vihet re se, në Ukrainë, kanë qenë të nevojshme revolucionet për ta penguar vënien e një sistemi të tillë. Do të jetë e pamundur që të rrëzohet Orbani nga pushteti me anë të votës, përderisa ai do të mund të manipulojë zgjedhjet në Hungari. Partia Fidesz e ka shtrënguar kontrollin e vet mbi gjyqësorin dhe ka politizuar organet e zbatimit të ligjit, duke shndërruar Zyrën e kryeprokurorit në atë që, në fakt, është degë e partisë. Për më tepër, pjesa më e madhe e gazetave dhe radiostacioneve janë në pronësi të oligarkëve të afërt me Orbánin, derisa TV shtetëror është bërë mjet për propagandën qeveritare. 

BE-ja dhe veprimet ndëshkuese ndaj regjimit të Orbánit

Vlerat e përbashkëta, të cilat i ka krijuar BE-ja për të mbijetuar, janë nënvlerësuar në mënyrë fatale në Hungari. Si reagim, BE-ja mund të kërkojë nga Gjykata evropiane e të drejtave të njeriut që të hetojë shkeljen e rregullave të BE-së nga ana e Hungarisë, apo edhe një prokuror në nivel të BE-së mund të ndërmarrë veprime civile apo penale kundër keqpërdorimit të fondeve të BE-së. Por, deri më tani, BE-ja ka hezituar që të ndërmerrte veprime ndëshkuese ndaj regjimit të Orbánit, meqë ajo nuk dëshiron që të rrezikojë duke e shtyrë Hungarinë edhe më shumë në përqafim të Rusisë. Dhe, pranimi në heshtje i Evropës "me shumë shpejtësi" nga ana e BE-së nënkupton se ajo mund të jetojë me një bufer zonë të përbërë nga shtetet gjysmë-autokratike në kufijtë e saj lindorë. Në pajtim me këtë, Orbán tani ka një strategji vis-à-vis BE-së që është e barabartë me shantazhin. Ai kërkon që fondet e BE-së të jepen pa kushte, duke bërë me dije se, në të kundërtën, ai është i gatshëm që të kthehet kah Rusia. Sikur që ka thënë shkrimtari hungarez, Miklós Haraszti, Hungaria është duke ecur në "një barkë perëndimore, të shtyrë nga erërat lindore". Tani kur ligji i sundimit ka zëvendësuar sundimin e ligjit, anija demokratike e Hungarisë mund të ketë ikur tanimë.

(Bálint Magyar, sociolog, ka shërbyer si ministër i Edukimit) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot

(Kosova Sot)