SHBA-ja në një dekadë të re të luftës

SHBA-ja në një dekadë të re të luftës
  • 29 June 2017 - 09:45

Shkruan: Fareed Zakaria 

Derisa kemi qenë të fokusuar rreth rezultateve të zgjedhjeve speciale, te ngritjet dhe rëniet e hetimeve rreth Rusisë dhe te postimet më të fundit të presidentit Trump, duket se është duke ndodhur një shkarje e gjerë dhe me pasoja në politikën e jashtme të SHBA-së. Thënë më thjesht SHBA-ja është duke ngecur në një dekadë tjetër të luftës në një hapësirë më të gjerë të Lindjes së Mesme. Dhe, kjo dekadë e ardhshme e konfliktit mund të dëshmohet të jetë edhe më destabilizuese sesa ajo e kaluara. 

Trump, njeri i ashpër

Trump mori postin me një skepticizëm të freskuar rreth politikës së SHBA-së karshi rajonit. "Kushdo që e ka prekur Lindjen e Mesme, ka ngelur në të. Ne kemi ngelur në të", kishte thënë ai gjatë kampanjës. Por, Trump po ashtu e sheh veten edhe si njeri të ashpër. Në tubimet e tij, ai vazhdimisht përbetohej se do t'ua shqyente zorrët pjesëtarëve të ISIS-it. Tani, kur ai gjendet në Shtëpinë e bardhë dhe është i rrethuar nga një numër i madh gjeneralësh, duket të ketë triumfuar instinkti i tij maço. Administrata ka përforcuar operacionet e saj ushtarake në tërë regjionin më të gjerë të Lindjes së Mesme, në Siri, Jemen, Afganistan, Somali - më shumë trupa, më shumë bombardime, më shumë misione. Por, cila është strategjia në prapavijë? Gjatë luftës kundër ISIS-it, forcat amerikane kanë filluar në mënyrë agresive sulmet, duke rezultuar me një rritje të madhe të vdekjeve të civilëve në Irak dhe Siri. Dhe, gjatë një eskalimi dramatik, këtë javë forcat amerikane rrëzuan një avion ushtarak sirian, duke e vënë Uashingtonin në një kurs të kundërt me aleatin e Sirisë, Rusinë, me një mundësi reale të armiqë- sive ushtarake SHBA-Rusi. Edhe më keq, është e paqartë sesi ky qëndrim luftënxitës karshi regjimit të Bashar al-Assadit do ta arrijë qëllimin e vetëm, të deklaruar, të përfshirjes së SHBA-së në Siri: mposhtjen e ISIS-it. Sipas logjikës, nëse Assad dobë- sohet, atëherë forcat kryesore opozitare - grupet e ndryshme islamike, duke përfshirë edhe Shtetin Islamik - do të bëhen më të forta. Duke e rritur edhe më shumë inkoherencën, administrata deklaroi se, edhe pse ka sulmuar forcat e Assadit, ajo nuk ishte duke luftuar kundër regjimit të Assadit dhe se rrëzimi i avionit ishte akt i "vetëmbrojtjes kolektive". Vetëm edhe disa akte të tilla të vetëmbrojtjes dhe forcat luftarake të SHBA-së mund ta gjejnë veten në terren, në Siri. Në Afganistan, Trump ka deleguar detajet e një mini-rritjeje prej 4,000 trupave shtesë te Sekretari i mbrojtjes, Jim Mattis dhe te liderët e tjerë të lartë ushtarakë. Por, ekzistojnë limite ndaj perspektivës qoftë edhe të gjeneralëve të dalluar. Oficerët ushtarakë mund t'ju tregojnë se kur mund ta marrin një kodër. Por, a i shërben marrja e asaj kodre strategjisë më të gjerë të Amerikës? A mund të mbahet ajo kodër me një kosto të arsyeshme? A ndikon ky mision që të na e largojë vëmendjen nga interesat tjera, më të gjera të SHBA-së në botë? Në këto pyetje duhet të përgjigjet komandanti i forcave të armatosura. SHBA-ja ka 16 vjet që është në Afganistan. Ajo ka pasur disa ngritje të trupave dhe ka shpenzuar gati 1 trilion dollarë në atë vend. Vitin e kaluar, ndihma e SHBA-së për Afganistanin ishte ekuivalente me rreth 40% të GDP-së së atij vendi. Dhe, përkundër kësaj, Mattis pranon se SHBA-ja "nuk është duke fituar". Çka mund të arrijnë 4,000 trupa shtesë tani, që nuk mundën të arrinin 130,000 trupa?

Shitja e armëve

Në Jemen, SHBA-ja është më aktive e përfshirë në një konflikt i cili thuajse nuk ndihmon fare për të çuar përpara luftën kundër terrorizmit radikal islamik. Me shitjen më të re të armëve, Uashingtoni vetëm sa është duke nxitur edhe më shumë luftën 'proxy' të Arabisë Saudite kundër Iranit - një luftë e re e cila e ka çuar mbretërinë deri te një aleancë, de fakto, me Al Kaidën në Jemen. Princi i ri i kurorës i Arabisë saudite, Muhammed bin Salman, ka të ngjarë që të vazhdojë me këtë konflikt edhe pse ai ka shkuar shumë më keq sesa që ishte pritur dhe ka rezultuar me një katastrofë humanitare. UNICEF bën me dije se, çdo dhjetë minuta, në Jemen vdes nga një fëmijë, për shkaqe që do të mund të parandaloheshin. Vendi më i varfër në Botën Arabe është shndërruar në një fushëbetejë, në të cilën grupet e ndryshme terroriste do të luftojnë midis veti edhe për dekada të tëra. Gati në çdo situatë në të cilën janë të përfshira forcat amerikane, zgjidhjet janë më shumë politike sesa ushtarake. Kjo është bërë e vërtetë sidomos në vendet sikur Siria dhe Afganistani, ku shumë fuqi regjionale me interesa të mëdha kanë zgjeruar ndikimin e tyre. Forca ushtarake pa një strategji, apo një proces thellësisht të angazhuar politik dhe diplomatik, është e destinuar që të dështojë, apo edhe të shkaktojë pasoja të padëshirueshme - ku dëshmia më e madhe mund të gjendet në 15 vitet e fundit. Gjatë kampanjës, Trump dukej të ishte me të vërtetë reflektiv rreth rolit të Amerikës në Lindjen e Mesme. Por, pas 16 vjetësh të luftimeve të vazhdueshme, me qindra mijëra të vdekur, me trilionë dollarë të shpenzuar dhe me një jostabilitet më të madh në regjion, para se të ndërmerren sulmet e ardhshme, apo para rritjes së trupave në terren, dikush në Uashington duhet të pyet: Çka është duke ndodhur?

(Kosova Sot)