Gjithnjë e më shumë po zhytemi në baltën e imoralitetit?

Gjithnjë e më shumë po zhytemi në baltën e imoralitetit?
  • 16 August 2017 - 08:24

SHKRUAN: SKËNDER MULLIQI 

Një shoqëri e cila karakterizohet me moral politik bën përpjekje që amoralitetin politik ta sjellë në suaza të normalitetit. Në Kosovë kësaj çështje të rëndësishme nuk po i kushtohet rëndësi. Thuhet së çdo popull e ka udhëheqjen çfarë edhe e meriton. Dhe, dorën në zëmër kësaj nuk ke çka i shton as nuk ke çka i mungon. Në demokraci pushteti është vullnet i shumicës. Nëse shumica zgjedhin një pushtet e kanë bërë atë punë, duke menduar se një pushtet i tillë iu hyn në funksion dhe i realizon kërkesat e sovranit. Po mos të ishte kështu do të votohej një pushtet i dytë, apo jo? Kjo vlen edhe për Kosovën. Prej fillimit të viteve të 2000 -ta në pushtet pak a shumë kemi pasur njerëz të filozofisë së njëjtë politike. Platformat politike ishin gati të njëjta, pa programe afatgjata qeveritare të zhvillimit ekonomik të vendit. Gati 20 vjet po kalojnë e vendi nuk ka arritur shkallë të duhur të stabilitetit politik dhe stabilitet ekonomik. Përkundrazi kemi stagnacion të të gjitha proceseve. 

Punësimi i familjarëve të ngushtë

Tranzicioni i ka kaluar tashmë të gjitha përmasat e normales. Kanë marrë hov dukuritë negative, e veçmas kriminaliteti politik dhe kriminaliteti ekonomik, si dhe korrupsioni endemik. Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë problem demografik, po bëhet shtet i paperspektivë për të jetuar. Krejt këto na janë bërë stil i jetës. Çka po ndodh këtu në Kosovë? Një lloj paradoksi. Këtyre njerëzve deri vonë u është aplauduar, u janë thurur lavde, i kanë votuar pareshtur, duke qenë kështu të lumtur, duke instaluar logjikën se pushtetet dhe njerëzit në krye mos të ndërrohen ! Çka të thuhet ? Sipas kësaj logjike, populli i këtij vendi e ka pushtetin të cilin edhe e meriton. Logjika tjetër flet së populli nuk ka pasur shumë kujdes për të ardhmen e vet. Parlamenti francez para disa kohe e ka pru ligjin për moralitetin politik, ku politikanët, ministrat dhe vendimmarrësit e ndryshëm lokalë, iu është ndaluar punësimi e familjarëve të ngushtë. Nëse ndodh ta bëjnë këtë punë rrezikohen që të marrin deri në tre vjet burgim. Tek ne sjellja e ligjit të tillë mund të bëhet vetëm në rast të ndryshimeve radikale, kur ndryshohet ambienti në të cilin nuk do të kishim një filozofi politike, e cila thirret gjoja në mbrojtje të interesave nacionale, e në fakt kemi kriminalitet dhe korrupsion të të gjitha llojeve. 

Sa e sa miliona euro kanë humbur pa gjurmë

Derisa kemi vetëm deklarativisht të pranishëm dhe jo edhe të zbatueshëm moralin politik, ëndrrat tona do të mbeten të zbrazëta. Ne gjithnjë e më shumë po zhytemi në baltën e imoralitetit. Kësaj fryme bukur shumë janë duke i fryrë edhe mediat, të cilat do të ishte dashur që temës së moralit t'i kushtojnë rëndësi të veçantë. Morali dhe përgjegjësia politike në Kosovë janë në shkallën më të ulët, nuk përkojnë me rregullat demokratike të sjelljes dhe të veprimit. Politikanët tanë kanë zgjedhur modelin e keq të pasurimit, në mënyrë shumë të paligjshme. Kjo është sjellja dhe veprimi më imoral i mundshëm për një shoqëri e cila pretendon të jetë demokratike. Sa e sa miliona euro kanë humbur pa gjurmë dhe ekzistojnë edhe faktet që janë zhvatur nga njerëzit e pa përgjegjshëm dhe të amoralë politikë? Si është kjo e mundur e pakkush të përgjigjet për veprime të tilla kriminale ?Thjesht, përgjegjësia dhe morali politik shumë po na mungojnë. Për atë edhe gjendja shoqërore është jashtë suazave të normalitetit. Në një shoqëri e cila karakterizohet më moral politik shteti i merr të gjitha masat e duhura kundër veprimeve amorale. Të tilla veprime sigurisht se ndëshkohen edhe rëndë penalisht. Kjo elitë politike po vjedh dhe plaçkit derisa ta zbrazë arkën shtetërore dhe të mirat tjera shoqërore. Kjo që po ndodh në Kosovë me hajni masovike është jocivilizuese. Mungon kontrolli për faktin se ata janë ngritur mbi ligjin. Kësaj klase politike në pushtet po i mungon kodeksi moral, nuk po duan të jetojnë ndershëm, nuk po janë të interesuar të kuptojnë se shteti është mbi të gjitha. Kosova ka rënë në duar të kapadaive politikë, të cilët moralin e kanë të dorës së dytë, apo fare nuk ekziston për ta…

(Kosova Sot)