Pasojat e mëdha të sulmeve me automjete, që nga viti 2014

Pasojat e mëdha të sulmeve me automjete, që nga viti 2014
  • 23 August 2017 - 09:44

Shkruan: Peter Bergen

Sulmi në njërën prej rrugëve historike të Barcelonës, është më i fundit në serinë e incidenteve me automjete që janë kryer në Perëndim dhe që, që nga viti 2014, kanë vrarë 128 njerëz. Të paktën 13 njerëz janë vrarë dhe 80 janë lënduar kur një furgon, për të cilin dëshmitarët thonë se ishte duke ecur me shpejtësi të madhe nëpër zonën e turistëve, shkeli kalimtarët në Barcelonë. Sipas llogaritjeve të grupit të pavarur të ekspertëve, "New America", që nga viti 2014, në Perëndim ka pasur 14 sulme të këtilla me automjete. Sulmet me automjete janë bërë metodë e preferuar për terroristët gjatë tri viteve të fundit, meqë për sulme të tilla nuk nevojitet asnjë trajnim apo mjeshtëri e veçantë dhe për shkak se ato shkaktojnë po aq tmerr sa edhe teknikat konvencionale, sikur që janë sulmet me bomba. Tri vjet më parë, Abu Muhammed al-Adnani, zëdhënës i ISIS-it, apeloi për sulme në Perëndim, duke përdorë automjetet si armë. Përgjigja më vdekjeprurëse ndaj kësaj thirrjeje ndodhi në Nicë të Francës, më 14 korrik të vitit 2016. Një terrorist vrau 84 njerëz kur hyri me kamionin e tij në turmën e njerëzve që festonin Ditën e Bastijës, përvjetorin revolucionar të Francës. Pjesa më e madhe e këtyre sulmeve të kryera me automjete, kanë qenë të frymëzuara nga ISIS, por taktika në fjalë tash së fundmi është përvetësuar edhe nga terroristët e ideologjive tjera.

Spanja nuk ka dhënë numër të madh të 'luftëtarëve të huaj' në ISIS

Në qershor, një fanatik antimysliman vrau një njeri dhe lëndoi 11 të tjerë, kur sulmoi me veturë një grup myslimanësh të cilët festonin Ramazanin jashtë një xhamie në veri të Londrës. Sipas dëshmitarëve, njeriu kishte bërtitur: "Dua t'i vras të gjithë myslimanët... unë e dhashë kontributin tim". Të shtunën e kaluar, një ekstremist i krahut të djathtë vrau një femër kur sulmoi me veturë një grup njerëzish që protestonin kundër një tubimi të nacionalistëve të bardhë në Çarlotsvill të Virxhinias. Sulmet me vetura nuk janë gjë krejtësisht e re. Al-Kaida e Gadishullit Arabik, me seli në Jemen, kishte apeluar për sulme të tilla që në vitin 2010, në revistën e tyre elektronike në gjuhën angleze, "Inspire". Në vitin 2006, Mohammed Taheri-Azar lëndoi nëntë njerëz kur me veturën e tij "Jeep Cherokee" sulmoi një grup njerëzish në kompleksin e Universitetit të Karolinës Veriore. Edhe terroristët palestinezë shpesh e kanë përdorë këtë taktikë. Por, ajo që është e re, është shpeshtësia e këtyre sulmeve. Agjencia zyrtare informative e ISIS-it, "Amaq", ka informuar se sulmi në Barcelonë është kryer nga "ushtarët e ISIS-it". Ky është një formulim të cilin ISIS e përdorë kur militantët e frymëzuar nga ISIS, por jo të stërvitur nga ky grup, bëjnë ndonjë sulm. Edhe në këtë rast nuk ka ndonjë burim të pavarur që do ta konfirmonte këtë pohim. Spanja nuk ka përjetuar ndonjë sulm terrorist xhihadist që nga sulmet e shumëfishta me bomba kundër sistemit të trenave të udhëtarëve në Madrid, me ç'rast, në vitin 2004, vdiqën 191 njerëz. Spanja po ashtu ka qenë disi e kursyer nga terrorizmi i frymëzuar dhe i organizuar nga ISIS, i cili ka prekur vendet e tjera evropiane, sikur Francën, Belgjikën dhe Britaninë. Kjo ka qenë kështu pjesërisht për shkak se Spanja nuk ka dhënë numër të madh të 'luftëtarëve të huaj', krahasuar me shtetet e tjera evropiane. Franca ka dhënë më shumë se 1,500 luftëtarë për ISIS-in. Në korrik, autoritetet franceze kanë deklaruar se 271 prej këtyre luftëtarëve të ISIS-it janë kthyer në Francë.

Si të parandalohen sulmet e tilla me automjete në të ardhmen?

Sipas vlerësimeve të vitit 2015, të bërë nga "Soufan Group", i cili përcjell luftëtarët e huaj, numri total zyrtar i luftëtarëve nga Spanja që kanë shkuar për të luftuar me ISIS-in, ishte 133, derisa një vlerësim jo zyrtar thotë se ky numër është 250. Pas sulmeve në Çarlotsvill dhe Barcelonë, shumë do të pyesin si të parandalohen sulmet e tilla me automjete në të ardhmen. E vërteta e hidhur është se, duke pasur parasysh numrin e madh të caqeve potenciale, si dhe duke pasur parasysh lehtësinë me të cilën kryhen këto sulme, autoritetet nuk mund të bëjnë shumë, pos ta kufizojnë trafikun rreth ngjarjeve të profilit të lartë dhe caqeve me simbolikë të fortë. Çelësi për parandalimin e sulmeve të tilla në të ardhmen qëndron te rekrutimi i moshatarëve dhe anëtarëve të familjes, të cilët rëndom janë të parët që ta hetojnë radikalizmin dhe planifikimin e sulmeve, me qëllim që ata t'i informojnë autoritetet rreth shqetësimeve të tyre.

(Peter Bergen është analist i sigurisë i CNN-it)

(Kosova Sot)