16 vjet pas 11 shtatorit

16 vjet pas 11 shtatorit
  • 13 September 2017 - 10:55

Shkruan: Peter Bergen

SULMI NË KULLAT BINJAKE

Xhihadizmi global nuk pritet të zhduket së shpejti
Rreziku nga terrorizmi i kryer nga të huajt është shumë i ulët në SHBA

Gjashtëmbëdhjetë vjet pas sulmeve të 11 shtatorit, ka një sasi të konsiderueshme të lajmeve të mira rreth gjendjes së betejës kundër terroristëve xhihadistë: SHBA-ja nuk është ballafaquar me asnjë sulm të suksesshëm nga ndonjë organizatë e huaj terroriste, që nga sulmet e tmerrshme të Al- Kaidës kundër Qendrës tregtare botërore dhe Pentagonit. Grupi thelbësor i Al- Kaidës, i bazuar në Afganistan dhe Pakistan, nuk ka lansuar asnjë sulm të suksesshëm në Perëndim, që nga sulmet vetëvrasëse në Londër, më shumë se një dekadë më parë, në vitin 2005, me ç'rast u vranë 52 udhëtarë. 

Mposhtja e ISIS-it

Edhe grupi terrorist i cili lulëzoi pas goditjeve që mori Al -Kaida, ISIS, tani kryesisht është i mposhtur, pasi që ka humbur qytetin e Mosulit, selinë e saj në Irak dhe pjesën më të madhe të qytetit Raka, selisë së saj në Siri. Koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja po ashtu ka vrarë rreth 60,000 deri 70,000 luftëtarë të ISIS-it, sipas gjeneralit amerikan të operacioneve speciale, Raymond "Tony" Thomas. Pas tij, Brett McGurk, emisari amerikan në koalicionin anti-ISIS, deklaroi se ISIS ka humbur më shumë se tri të katërtat e territorit të cilin e kishte dikur nën kontroll në Irak dhe më shumë se gjysmën e territorit të cilin e kontrollonte dikur në Siri. Rreziku që del nga "luftëtarët e huaj", pasi të kthehen në SHBA, e të cilët ishin trajnuar nga ISIS ose grupet e tjera xhihadiste në Irak dhe Siri, është i vogël, krahasuar me vendet evropiane. Sipas të dhënave publike, vetëm shtatë militantë amerikanë janë kthyer nga fushëbetejat siriane dhe iraliane dhe asnjëri nuk ka kryer akte terroriste. Ky është lajmi i mirë, por ka edhe trendë tjerë problematikë. Që nga viti 2014 ka pasur gjashtë sulme terroriste xhihadiste vrastare në SHBA, duke vrarë 74 njerëz, sipas një studimi të "New America". Këto sulme ishin kryer nga shtetasit amerikanë dhe nga banorët me leje të përhershme të qëndrimit, e jo nga terroristët e huaj, sikur që ishte rasti me sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001. Këta terroristë amerikanë ishin inspiruar nga propaganda online e ISIS-it, por nuk kishin kontakt direkt me të. Terroristët xhihadistë në SHBA sot kryesisht radikalizohen online. Nga të 129 militantët nga SHBA-ja që iu janë bashkuar grupeve xhihadiste në Irak dhe Siri, apo që kanë tentuar ta bënin një gjë të tillë, apo që kanë ndihmuar të tjerët për ta bërë një gjë të tillë, 101 prej tyre kanë shkarkuar dhe kanë shpërndarë propagandë xhihadiste online, ku disa prej tyre kanë bërë diskutime të koduara online me militantët e ISIS-it në Lindjen e Mesme. Eksperti izraelit për kundërterrorizëm, Gabriel Weimann, me të drejtë thotë se "ujqit e vetmuar" tani janë pjesë e grupit virtual. Në rastet e 129 militantëve të joshur në konfliktin sirian, asnjëri nuk duket të jetë rekrutuar personalisht, nga operativët e tjerë ushtarakë. Ndalesa e përkohshme e administratës Trump për vizitorët nga gjashtë vende me shumicë myslimane, nuk bën asgjë për ta adresuar këtë kërcënim nga rreziku militant 'vendor', i cili mundësohet nga propaganda xhihadiste online. Natyrisht, ndalesat e udhëtimit nuk kanë ndikim në internet. 

Terrorizmi në SHBA nuk vjen vetëm nga xhihadistët

Edhe pse SHBA-ja nuk është ballafaquar me asnjë sulm vdekjeprurës ku kryesit e tij janë trajnuar dhe udhëzuar nga organizatat e huaja terroriste, që nga 11 shtatori, ka pasur pesë sulme të drejtuara nga ISIS në Evropë që nga viti 2014, të cilat vranë 188 njerëz. Ndërkohë, talebanët në Afganistan janë në gjendjen e tyre më të mirë që nga mposhtja e tyre nga SHBA-ja pak pas sulmeve të 11 shtatorit. Terrorizmi në SHBA nuk vjen vetëm nga xhihadistët, të cilët kanë vrarë 95 njerëz që nga 11 shtatori. Individët e motivuar nga ideologjia ekstreme djathtiste kanë vrarë 68 njerëz në SHBA gjatë të së njëjtës periudhë, ku individët që ishin të motivuar nga ideologjia nacionaliste zezake kanë vrarë tetë persona, sipas kërkimit shkencor të "New America". Edhe pse ISIS kryesisht është mposhtur, rrethanat të cilat ndikuan në paraqitjen e këtij grupi ekzistojnë edhe sot në një masë të madhe, duke përfshirë edhe luftën civile regjionale në Lindjen e Mesme midis sunitëve dhe shiitëve, e cila ka konsumuar Irakun, Sirinë dhe Jemenin; kolapsi i qeverisjes arabe në tërë regjionin; kolapsi i ekonomive në shtetet myslimane të shkatërruara nga luftërat dhe 'fryrja' e popullatës në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën veriore. Kjo ka shkaktuar një valë të rritur të imigracionit mysliman në Evropë. Këta imigrantë janë duke shkuar në vendet ku myslimanët janë të margjinalizuar dhe kjo valë e refugjatëve ka ndikuar në ngritjen e partive ultranacionaliste në Evropë. Kjo është një përzierje shpërthyese, e cila mund të ndikojë që disa prej myslimanëve evropianë të futen në radhët e xhihadizmit militant. Kjo bën me dije se, në vitet në vijim, do të lindë një organizatë, 'bijë' e ISIS-it. Edhe derisa ISIS është duke përjetuar goditje pas goditjeje, dega e Al- Kaidës në Siri ka treguar një fleksibilitet habitës dhe ka mundësi që, pas rënies së ISIS-it, kjo degë e Al- Kaidës të ngritet përsëri në rend të parë. Këto dy grupe u ndanë në vitin 2014. Grupi kryesor i Al- Kaidës duket se është duke e 'edukuar' Hamza bin Ladenin, njërin prej djemve të Osama bin Ladenit, si lider të ardhshëm të gjeneratës. Hamza bin Laden, që është në fund të viteve të 20-ta, është paraqitur në disa materiale mediatike të Al- Kaidës gjatë viteve të fundit. Vazhdimi i qëndrueshmërisë së Al- Kaidës në Siri, si dhe fakti se shkaktarët e xhihadizmit global nuk pritet që të zhduken së shpejti, sugjerojnë se lufta e gjatë, e cila filloi më 11 shtator të vitit 2001, nuk mund të pritet që të përfundojë edhe për shumë vjet. 

(Peter Bergen është analist i CNN-it për siguri kombëtare dhe zëvendëspresident i "New America")  
 

(Kosova Sot)