Pushtetet u shërbyen me propaganda për moszbatim të reformave

Pushtetet u shërbyen me propaganda për moszbatim të reformave
  • 20 September 2017 - 08:27

SHKRUAN: SKËNDER MULLIQI

Papërgjegjshmëria e udhëheqjes shtetërore

Përgjegjësia më e madhe e çdo udhëheqjeje shtetërore, të atyre të cilët sjellin vendime të rëndësishme për pozicionimin e mirë të Kosovës në politikën regjionale, janë qëndrimet dhe vendimet e mira karshi qytetarëve të vet, e pastaj edhe qëndrimi parimor karshi fqinjëve. Nga kjo pozitë edhe po na ndodhin paradokset. Edhe pse secili që erdhi në pushtet pas luftës u lavdërua së po i mbron interesat shtetërore dhe nacionale, në fakt ndodhi krejt ndryshe. Ndodhën gjëra, të cilat nuk i kemi pritur. Pushtetet jo që nuk punuan mirë, por ato punuan aq keq sa pak kush e ka pritur një zhvillim të tillë negativ të ngjarjeve politike dhe të atyre ekonomike. Pushtetet u shërbyen me gjithë farë propagandash, të cilat iu shërbyen si paravan për krim dhe korrupsion, dhe moszbatim të reformave, të cilat kërkohen në fazën e tranzicionit. Kjo fazë po zgjat tepër shumë. Gjatë këtyre viteve nuk u bë gjë në favor të qytetarëve, nuk u bë gjë që jeta të jetë shumë më kualitative. Kemi mbetur shumë mbrapa në të gjitha proceset zhvillimore dhe demokratike. Sa po kalon një krizë politike, po futemi në krizën tjetër. Dhe, të gjitha këto po manifestohen keq karshi të ardhmes së shtetit të Kosovës. Vendit i duhet stabiliteti politik dhe qëndrueshmëria ekonomike e sociale. Me tredhakë politikë, me trutharë dhe hajna e kriminelë nuk ndërtohet shteti, dhe nuk hapen as perspektivat e reja. Kemi potenciale njerëzore dhe resurse dhe begati të tjera natyrore që t'i mundim të gjitha negativitet, të cilat e kanë katandisur vendin. Vendime të rëndësishme politike nuk kanë mundësi të sjellin ata, të cilët janë të implikuar në vepra të ndryshme kriminale, në hajni dhe matrapazllëqe të ndryshme. Jemi mbushur më agresivitete të ndërsjella , me ide të politikave retrograde të ish-sistemit komunist. Me njerëz gjysmë të arsimuar, me njerëz të cilët veç përfitimeve personale nuk shohin asgjë tjetër, nuk bëhet shteti. Po mbahen qytetarët në iluzione dhe në premtime të rreme. Problemet jetësore që janë varfëria, kujdesi shëndetësor, arsimi, kultura, arti janë margjinalizuar… Elitat në pushtet nuk kanë forcë, nuk kanë vullnet as dije që t'i avancojnë as interesat gjeopolitike të Kosovës në rajon. Mos të flasim për proceset integruese evropiane të cilat janë shumë larg. Sigurisht se nuk ka popull në Evropë, i cili nuk është duke e shfrytëzuar kohën. Shqiptarët po i ndjek fati i keq historik me udhëheqje të dobëta, me udhëheqje renegate. Kemi mbetur vendi më i prapambetur dhe më i izoluari në Evropë. Është fakt se nuk po na donë zemra siç thuhet as punën shumë, edhe përkundër vështirësive objektive dhe subjektive. Këtu nuk po flas për ata, të cilët u ngjitën në pushtet, se ata 'punë' e kanë vjedhjen dhe plaçkitjen e të mirave materiale. Nuk dua të prejudikoj, por këta shembuj dhe shumë të tjerë janë treguesi më mirë se gjendja nuk ndryshohet për të mirë me deklarime boshe.

(Kosova Sot)