Mundësia e dyfishtë e Evropës

Mundësia e dyfishtë e Evropës
  • 17 April 2018 - 11:31

Evropa duhet ta ketë një rol udhëheqës, me përvojën e saj unike

Shkruajnë: KEMAL DERVIS DHE CAROLINE CONROY

E vropa duhet ta marrë një vendim. Ajo mund të bëjë sehir, derisa nacionalizmi dhe autoritarizmi të lulëzojë, nga SHBA-ja e deri te Kina. Apo, ajo mund ta ndërmarrë një ringjallje të vlerave demokratike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, në një kohë kur ndryshimet e shpejta, të shkaktuara nga teknologjia, kërkojnë reforma të mëdha politike, ekonomike dhe sociale. Disa e shohin rritjen e populizmit - kryesisht të llojit të krahut të djathtë - në BE si shenjë se, larg të qenit gati ta luajë një rol udhëheqës, BE-ja mund të shpërbëhet. Por, situata e BE-së është shumë më e komplikuar sesa që e paraqesin pesimistët. Vjeshtën e kaluar, studimi i "Special Eurobarometer 467" tregoi se 75% e të anketuarve kishin qëndrim pozitiv ndaj BE-së. Megjithëse shumica e të anketuarve mendojnë se jeta e fëmijëve të tyre do të jetë më e vështirë se sa e tyre, dy të tretat besojnë se BE-ja ofron shpresë për të rinjtë e Evropës - një rritje prej gjashtë pikë përqindjeje nga viti 2016. Të rinjtë duket se pajtohen. Pjesa e të anketuarve më të rinj (moshat 15-39 vjeç) që e shohin BE-në pozitivisht është veçanërisht e lartë. Dhe, pavarësisht shqetësimeve rreth "deficitit demokratik" të BE-së, ky grup duket të vlerësojë potencialin për pjesëmarrje politike

Franca dhe Gjermania ushtrojnë udhëheqje vendimtare

Besimi në të ardhmen e BE-së u nxit në majin e kaluar nga zgjedhja e presidentit francez Emmanuel Macron. Nëse Macron mund të sigurojë bashkëpunimin e Gjermanisë për programin e tij të reformës evropiane, perspektivat e BE-së do të forcohen më tej. Ndërsa zgjedhjet federale gjermane të shtatorit të vitit të kaluar nuk prodhuan një rezultat aq të fuqishëm pro-BE - partia e ekstremit të djathtë, "Alternativa për Gjermaninë" tani është partia më e madhe opozitare, pasi ka siguruar rreth 13% të votave - partitë kryesore të moderuara në fund fituan, me më shumë se 60% të votave. Qeveria e re e koalicionit gjerman është të paktën pro-evropiane sa ajo që i parapriu dhe një Evropë më e fortë mund të jetë një trashëgimi e përshtatshme për kancelaren Angela Merkel. Zgjedhjet më të fundit të Italisë - në të cilat partia me qëndrim anti-imigrant, "Lega" (me bazën e saj elektorale në veri) dhe lëvizja e majtë populiste "Pesë Yjet" (mbështetja e të cilës është e përqendruar në jug) së bashku fituan më shumë se 50% të votave - janë më shqetësuese. Megjithatë, duke pasur parasysh antagonizmin midis dy partive, ka të ngjarë që një koalicion qeverisës që mund të zgjasë, do ta përfshijë edhe Partinë Demokratike proevropiane. Në fund të fundit, çfarëdo barriere që Italia, me ekonominë e saj të ngarkuar me borxhe, paraqet për një integrim më të madh në BE, nuk ka gjasa të jetë e pakapërcyeshme, nëse Franca dhe Gjermania ushtrojnë udhëheqje vendimtare. Sigurisht, Brexiti nuk do të jetë i lehtë për Evropën. Por, në përgjithësi, Evropa nuk duket më si një kontinent në krizë. Edhe në Greqi, e cila ka rikthyer rritjen e GDP-së, shumica e të anketuarve tani mbështesin BE-në. Në këtë kontekst, BE-ja mund të përballet me dy mundësi të lidhura. Brenda saj, ajo mund të miratojë reforma që rrisin efikasitetin institucional dhe avancojnë integrimin. Nga jashtë, ajo mund të qëndrojë fuqishëm për bashkëpunim ndërkombëtar, të drejtat e njeriut dhe shoqërinë e hapur.

Ndryshimet klimatike Evropa duhet të bëjë përparim në rastin e parë nëse dëshiron ta kapë të dytin, dhe kjo nënkupton forcimin e eurozonës. Në këtë front, Macron ka ofruar tashmë propozime ambicioze: një buxhet të veçantë të eurozonës, një ministër të financave të eurozonës dhe një parlament të eurozonës (të përbërë nga anëtarë të Parlamentit Evropian dhe parlamentarë kombëtarë) për të mbajtur ministrin e financave llogaridhënës. Para se të formohej qeveria e re e koalicionit gjerman, u krijua një grup pune franko-gjerman për të shqyrtuar propozimet e Macronit. Tani që administrata e re e Merkelit është ekzistuese, do të zbulojmë se sa larg Gjermania është e gatshme të shkojë në përkrahje të kohezionit më të madh të eurozonës. Në afat të shkurtër, duket e pamundur që qeveria e re të mbështesë propozimet e Macron-it në formën e tyre aktuale. Por, ajo mund të mbështesë kompletimin e unionit bankar dhe disa mekanizma për një koordinim më të madh të politikave ekonomike të eurozonës. Në planin afatgjatë, disa nga reformat e Macronit duhet të jenë të mundshme, veçanërisht nëse vendet e eurozonës lejohen të lëvizin përpara pa miratimin unanim të të gjitha 27 vendeve anëtare të BE-së. Ndryshime të tilla - së bashku me bashkëpunimin më të madh ushtarak dhe të inteligjencës - do të sjellin një projekt të ri evropian me një dinamizëm të ri, duke nxitur më shumë entuziazëm, pa përmendur një ndjenjë më të madhe sigurie, midis qytetarëve të Evropës. Një BE më e integruar dhe e sigurt do të ishte e pozicionuar mirë për të vendosur veten në mënyrë më efektive në skenën ndërkombëtare. Me tregun e përbashkët evropian që ende mburret me një GDP më të madhe se Kina dhe SHBA-ja, BE-ja mund të veprojë si "pol" i tretë në një rend të ri botëror. Modeli i saj i hapjes ekonomike, kohezionit social dhe institucioneve të forta, mund ta sigurojë një alternativë ndaj tendencave izoluese dhe nacionaliste që po kërcënojnë bashkëpunimin global. Dhe mos harroni: në fusha të tilla si tregtia, ndryshimet klimatike, rregullimi i sektorit financiar, politika e konkurrencës dhe siguria kibernetike, bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet kritik. Dhe, kjo do të bëhet e domosdoshme, pasi përparimet në inteligjencën artificiale dhe bioteknologji të ngrenë çështje etike të mprehta që mund të adresohen në mënyrë efektive vetëm në nivel ndërkombëtar. Rendi liberal botëror, që u ngrit nga rrënojat e Luftës së Dytë Botërore, për të ndihmuar në parandalimin e katastrofave të ardhshme, po përballet me testin e tij më të vështirë. Ne duhet ta riafirmojmë rëndësinë e internacionalizmit, hapjes dhe demokracisë në këtë epokë të re digjitale, duke i adaptuar politikat dhe rregullat tona në realitete të reja. Evropa duhet ta ketë një rol udhëheqës në këtë drejtim, me përvojën e saj unike për krijimin e një modeli demokratik të qeverisjes mbinacionale. Bota, sidomos të rinjtë, janë duke llogaritur te ajo.