Thaçi e Rama nuk duan t'ia dinë as për Kosovën, as për Shqipërinë

Thaçi e Rama nuk duan t'ia dinë as për Kosovën, as për Shqipërinë
  • 18 May 2018 - 10:19

SHKRUAN: ENVER BYTYÇI

Sipas të gjitha gjasave në harkun kohor të një viti apo pak më shumë, Serbia dhe Kosova do të bien dakord për një zgjidhje përfundimtare, me të cilën Beogradi do ta pranojë Kosovën dhe anasjelltas. Derisa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i është përkushtuar rrjedhës së integrimit të vendit të tij në Bashkimin Evropian, ai e di se kjo nuk mund të arrihet pa normalizimin e marrëdhënieve me të gjitha shtetet kufitare, përfshirë dhe Kosovën. Aktualisht Kosova është nyja më e vështirë për t'u zgjidhur. Presidenti i Serbisë, ministri i Jashtëm i saj, kanë dhënë mesazhe të qarta se çfarë zgjidhje ata pranojnë. Formula e tyre është "Nuk mundet që njëra palë të humbasë gjithçka dhe pala tjetër të fitojë po ashtu gjithçka", duke nënkuptuar se Serbia nuk pajtohet me humbjen. Të njëjtën formulë e kishte ndjekë edhe kryeministri nacionalist i viteve 2000, Vojisllav Koshtunica. Por me një ndryshim.Ndërsa Koshtunica e kushtëzonte këtë formulë me mbajtjen e sovranitetit serb në Kosovë sa i përket politikave të jashtme dhe të sigurisë, Vuçiq e Daçiq kërkojnë diçka tjetër, ndarjen e Kosovës.

"Politikanët e guximshëm të Ballkanit"

Vetëm ndarja e Kosovës është dhimbje për Prishtinën, dhimbje për të cilën ka filluar të flasë edhe zoti Thaçi. Asnjë formulë tjetër që njeh pavarësinë e saj nuk është aq e dhimbshme sa ndarja. Beogradi këtë e dëshiron për dy arsye: Së pari dhe kryesore për shkak të pasurive të Kosovës dhe së dyti për të "shpëtuar fytyrën" para popullit serb. D.m.th. për të mos humbur kredibilitetin politik e elektoral të partive që sundojnë pashallarët ballkanas të Beogradit. Pashallarët politikë të Prishtinës dhe të Tiranës, me Thaçin dhe Edi Ramën në krye, e konsiderojnë nder dhe lavdi faljen e territoreve, mjafton që Merkel, Macron e Junker t'u rrahin shpatullat e t'u thonë se "Ju bëtë histori"! Vdesin ta "bëjnë historinë"! Pavarësisht se me falje territoresh! Prandaj dhe Rama përqafohet përzemërsisht me presidentin e Serbisë dhe ky i fundit nuk le rast pa ngritur në qiell kryeministrin e Shqipërisë me lëvdata e çoka politike. Prandaj dhe Thaçi nuk e lëshon kryesimin e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë. As njëri e as tjetri nuk kanë asnjë problem tjetër, nuk duan t'ia dinë as për Kosovën, as për Shqipërinë, mjafton që gazetat të shkruajnë se këta të dy janë politikanët e guximshëm të Ballkanit, njerëzit e kompromiseve të mëdha. Shqipëria e Kosova le të digjen, le të shkatërrohen, le të copëtohen, le të ndahen e të përçahen mjafton që këta të dy t'i sundojnë vendet tona si pashallarët e kuq të diktaturës komuniste. Shumë fakte provojnë se edhe Enver Hoxha të njëjtën gjë kishte bërë në kohën e miqësisë së ngushtë me Titon e viteve 1941-1948. Nëse më 1948 ai u shkëput nga Tito dhe u lidh me Stalinin, arsyeja ishte pushteti. Rama e Thaçi janë dy liderë shqiptarë, të tillë sikur diktatori Hoxha t'i ketë nxjerrë nga hunda e tij. Nuk kanë asgjë tjetër në mendje, veç pasurisë dhe pushtetit! Të inkriminuar deri në grykë, gjithkush mund t'i intimidojë dhe shantazhojë! Shqiptarët duhet të jenë të përgatitur. Në Bruksel nuk kanë asnjë problem nëse copëtohet ose jo Kosova. Atyre u mjafton fakti që dy liderët ose tre liderët ballkanas, ai I Serbisë, Shqipërisë dhe Kosovës, bien dakord dhe kaq. Kjo ishte formula e ambasadorit Ishinger në bisedimet shtesë të korrik-dhjetorit 2007. Këtë formulë me këmbëngulje e ka vënë në tavolinën e bisedimeve presidenti i Serbisë, duke u qarë dhe viktimizuar para evropianëve. Evropianët thashë nuk kanë asnjë problem nëse "palët bien dakord"!

Evropa llogarit thjesht miqësinë e Serbisë

Por në vitin 1920, kur Luigj Bumçikërkoi ndihmën e Papës për ta parandaluar ricopëtimin e Shqipërisë në Konferencën e Parisit dhe kur Papa i tha se "ku është politika, nuk është feja"!, i madhi Bumçi iu lut Papës që të bisedojë me Amerikën e Uillsonit e jo me Evropën për këtë. Uillsoni e mbrojti Shqipërinë nga ricopëtimi i territoreve të saj nga ana e evropianëve "demokratë". Tani është koha kur duhet të kthejmë sytë pamëdyshje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk shoh asnjë zgjidhje tjetër. Nëse Beogradi është kushtëzuar me integrimin evropian për zgjidhjen e konfliktit me Kosovën, Kosova duhet të çlirohet nga ky kompleks. Do të jetë shumë herë më e fituar, nëse shpall se "Nuk pranon asnjë kushtëzim evropian", dhe se mbështetet tërë- sisht në faktorin amerikan. Evropa llogarit thjesht miqësinë e Serbisë. Serbia llogarit të fitojë në tavolinë ato që ajo i ka humbur në luftë. Luftën e bëri Amerika, ndërkohë që evropianët i shkuan pas, sepse donin të ishin pjesë e tepsisë së Ballkanit. Evropianët janë hileqarë. Jo të gjithë, por dhe ata që duan drejtësi, nuk mund të prishin ekuilibrat me vendet e tjera të kontinentit për hatër të Kosovës e të shqiptarëve. Kështu që nuk funksionon të korrësh një mbështetje evropiane. Shihni se çfarë ndodhi në Sofje. Për herë të parë një kryeministër apo kryetar shteti i ndonjë vendi anëtar të BE-së, pra kryeministri spanjoll, refuzoi samitin, pse aty është Kosova! Dhe evropianët bëjnë sikur nuk ka ndodhur asgjë! Thaçi e Rama zgërdhihen sikur janë ditën më të mirë te tyre! Kjo është katastrofë! Duhet që dikush ta ndalojë këtë katastrofë! T'i thotë ndal ndarjes së Kosovës, t'i thotë ndal presidentit të Kosovës e kryeministrit të Shqipërisë, se kështu i thuhet ndal dashakëqijve evropianë si dhe Beogradit e liderëve serbë. Pa u thënë ndal dy "supermenëve" tanë që fluturojnë me shkop magjik, nuk mund t'u thuhet ndal atyre që kanë hartuar projektin e ndarjes së Kosovës! Megjithatë Evropa me ndarjen e Kosovës do ta fusë veten në një kurth serborus të pashmangshëm. Loja e Beogradit është e tillë që të përfitojë në Kosovë me gjoja gatishmërinë e tij për integrime evropiane. Më pas Serbia do të shkaktojë provokime e probleme në Bosnjë-Hercegovinë dhe do të imponojë ndarjen e Republikës Srpska, me qëllim krijimin e Serbisë së Madhe! Këtu kemi për të qenë! Mbajeni mend dhe kjo do të ndodhë. Do të ndodhë, sepse është një plan i gërshetuar midis Moskës e Beogradit. Është një plan i mirëllogaritur, duke shkuar hap pas hapi, duke përfituar pak nga pak deri sa të plotësohet e tëra! Këmbët e gjarprit nuk duken sot, por do dalin nesër! Pastaj Rama dhe Thaçi do thonë "Na e hodhën serbët"! Si thoshte diktatori Hoxha kur shkruan se "Na gënjeu Tito"! O pika pse rrojmë mbi këtë tokë kaq të përbuzur, të përdorur e keqpërdorur dhe nuk nxjerrim mësime së paku nga ajo që kemi pësuar vetë! Përfundimisht jemi komb i destinuar për të shkatërruar veten tonë. Edhe atë që na e japin më zor ua kthejmë me zor! Ua dhanë amerikanët Kosovën shqiptarëve dhe ne shqiptarët duam t'ia japim përsëri Serbisë dhe evropianëve antishqiptarë! Bravo na qoftë!

(Kosova Sot)