Të gjitha shikimet nga Italia - Opinione - Kosova Sot
Të gjitha shikimet nga Italia

Të gjitha shikimet nga Italia

Shkruan: Dominique Moisi 

Le të jemi të qartë: rreziku nuk është nga dalja e Italisë nga BE-ja, ashtu sikur që janë duke bërë britanikët. Shumica e italianëve nuk janë të gatshëm për këtë. Rreziku është që, sikur Hungaria dhe Polonia, ajo do të mbetet në BE, por do t'i injorojë vlerat e saj

Mund të duket sikur ndonjë citat nga shekujt e kaluar, e jo nga viti 2015, kur ambasadori i Francës në Itali lavdëronte dhe lutej në mënyrë shumë legjitime për tokën e Dantes. Vitin pasues, pas referendumit Brexit në Britani, gazetarët italianë më pyetën nëse vendi i tyre mund ta zëvendësojë Britaninë në grupin joformal evropian, "Klubi i treshes", ku përpos Britanisë ndodheshin Gjermania dhe Franca. Por, tani, kjo përzierje e vetëbesimit dhe shpresës, është zhdukur nën peshën shtypëse të realitetit politik. Italia e sotme mund të jetë pretendenti kryesor për titullin "i sëmuri i Evropës". Ndokush mund ta shohë këtë vend edhe si metaforë, nëse jo sinopsë, të çdo gjëje që ka shkuar keq në Evropë.

Ndarja veri-jug

Duket sikur Italia kërkon të dyfishojë dy përçarje, të cilat aktualisht janë duke dobësuar Evropën: mosmarrëveshja veri-jug në lidhje me çështjet ekonomike dhe, ndarja lindjeperëndim rreth vlerave. Ndarja veri-jug nuk ka rëndësi vetëm ekonomike, apo kulturore, në rastin e Italisë. Në zgjedhjet e përgjithshme, të mbajtura më 4 mars, mbështetja për dy partitë që sapo kanë formuar qeverinë - Lëvizja Pesë Yjet (M5S) dhe partia Liga - ishte e përqendruar në jug, respektivisht në veri të Italisë. Por, në Itali ekziston edhe diçka e tillë, sikur që është ndarja lindje-perëndim, kësaj here jo midis partive M5S dhe Ligës, por midis tyre dhe partive tradicionale të qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë, të cilat kanë dalë shumë keq në zgjedhjet e fundit. Pjesa tjetër e Evropës - sidomos vendi im, Franca - tentojnë që ta injorojnë Italinë kur gjërat shkojnë mirë dhe, ta nënvlerësojnë potencialin e pasojave, kur gjërat shkojnë keq. Por, kësaj here gjërat janë duke shkuar aq keq në Itali, sa që është e pamundur që të minimizohen pasojat. Për herë të parë, një koalicion i forcave politike anti-sistem, antievropiane, ka ardhur në pushtet në njërin prej vendeve themeltare të BE-së. Italianët kanë kaluar rubikonin politik në një kohë kur zgjidhja e tyre mund të ndikojë, në mënyrën më të keqe të mundshme, evoluimin e tërë projektit evropian. Thënë troç, nëse një vend nga jugu i Evropës lëvizë për në lindje duke pasuar modelin e Hungarisë, apo Polonisë, atëherë nuk është vetëm veriu, por i tërë Perëndimi që do të vuajë nga pasojat e demokracisë joliberale. Le të jemi të qartë: rreziku nuk është nga dalja e Italisë nga BE-ja, ashtu sikur që janë duke bërë britanikët. Shumica e italianëve nuk janë të gatshëm për këtë. Rreziku është që, sikur Hungaria dhe Polonia, ajo do të mbetet në BE, por do t'i injorojë vlerat e saj. Thënë këtë, ndëshkimi i Italisë për mëkatet e saj, nuk është as e drejtë, e as e dobishme. Pjesa tjetër e Evropës, veçanërisht Franca, bartë të paktën një përgjegjësi për rezultatet e zgjedhjeve italiane në mars. Italianët me të drejtë janë ndier të lënë pas dore nga evropianët e tjerë pasi që ata ishin ballafaquar me arritjen masive të refugjatëve. Dhe, ata e kryen detyrën e tyre njerëzore me dinjitet, me ndihmën e një shoqërie civile e cila mund të merret si model për shumë vende të tjera.

Pranimi i refugjatëve

Si pasojë e kësaj, njerëzit që ishin asokohe në pushtet në Itali, kur vendi pranoi më shumë se 600,000 refugjatë, më pas i humbën zgjedhjet. Ata u ndëshkuan pse bënë gjënë e duhur dhe pse e bënë atë krejt vetëm, gjë që, në rastin më të mirë, i bëri ata të duken idealistë tepër naivë, e në rastin më të keq, burokratë joefikasë. Por, ta detyrosh Francën që ta pranojë pjesën e saj të fajit (bashkë me të gjithë të tjerët) është një gjë; pranimi në heshtje që një vend themeltar i BE-së t'i thyejë rregullat, është gjë tjetër. Një mekanizëm i fortë përmbajtës, sikur që është mundësia e përjashtimit për vendet anëtare të cilat me qëllim injorojnë vlerat dhe rregullat e BE-së, nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë në gjendjen aktuale të Evropës. Kur partia ekstremiste e Jörg Haider-it, Partia e Lirisë, iu bashkua koalicionit qeveritar në Austrinë e vitit 2000, BE-ja aplikoi sanksione për një kohë tepër të shkurtër. Më nuk ka hapësirë për një indiferencë të tillë. Ajo që është duke ndodhur në Itali, në mënyrë direkte ndikon te Franca dhe ambiciet e saj për reformë evropiane. Me një Gjermani sidomos të dobësuar, një Evropë lindore armiqësore, një Spanjë shumë të paralizuar dhe, tani me një qeveri populiste në njërin prej vendeve themeltare të BE-së, Franca dhe presidenti i saj, Emmanuel Macron, një besimtar i vendosur në idealin evropian të një "unioni edhe më të ngushtë", rrezikon që të mbetet në izolim. Se sa kohë do të qëndronte Franca në një gjendje të tillë, mbetet të supozohet. Ajo që është duke ndodhur tani në Itali, mund ta paralajmërojë atë që mund të ndodhë nesër në Francë, me shtetin e saj më të fortë dhe me shoqërinë civile më të dobët. Ambasadori francez kishte të drejtë: Franca duhet ta marrë Italinë më seriozisht. Por, jo për shkaqe të gabueshme.

(Dominique Moisi është këshilltar i lartë në Institutin "Montaigne" në Paris)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot

(Kosova Sot)

9 orë e 43 minuta më parë
21/06/18