Përmbyllja e kapitullit të ri (zi), fatale për Kosovën!

Përmbyllja e kapitullit të ri (zi), fatale për Kosovën!
  • 25 June 2018 - 08:11

SHKRUAN: FLORIM ZEQA

Rrëshqitja e Kosovës nga pavarësia e saj filloi në ditën e shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt 2008, me miratimin e simboleve antikombëtare në Kuvend, duke mohuar identitetin kombëtar të shtetit, pastaj me Kushtetutën, në të cilën askund nuk përmendet lufta çlirimtare, e si pasojë e kësaj sot Kosova e nuk ka ditë të çlirimit, siç e ka çdo popull e vend i çliruar nga pushtuesi! Fillimi i bisedimeve të ashtuquajtura "teknike" mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, për ish-kryeministrin (tani president) e vendit tonë, Hashim Thaçi, përveçse moment "historik", nga ekzaltimi me përqafimet me Daçiqin e quajti edhe si kapitull i ri për Kosovën. I menjëhershëm ishte reagimi im ndaj deklaratës së Thaçit, përmes një shkrimi autorial, me titull: "Kapitulli i ri (i zi) për Kosovën", i botuar në të përditshmet tona më 23.12.2012. Përmes shkrimit në fjalë i ngrita shqetësimet e mia për rrezikun e dialogut me Serbinë, të cilat edhe pas 6 viteve, për fatin e keq të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi, dolën të jenë të gjitha të vërteta, të hidhura, madje edhe përtej parashikimeve!

Dialogu i Brukselit e degradoi shtetësinë e vendit tonë

Takimi i radhës, i paralajmëruar mes Thaçit e Vuçiqit, me ndërmjetësimin e znj. Federica Mogherini, shënon fillimin e fazës finale të bisedimeve të pabarabarta mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Finalizimi i dialogut të pabarabartë me Serbinë, kur kjo e fundit nuk e plotësoi asnjërën nga marrëveshjet e arritura deri më tani, nuk e zbardhi fatin e 1650 shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës, nuk e bëri asnjë kërkim falje për gjenocidin e shkaktuar ndaj shqiptarëve, e lërë më të përgjigjet për dëmet e luftës,...është pak më tepër se nënshtrim i lidershipit kosovar ndaj shtetit serb. Ky skandal politik i lidershipit aktual të Kosovës njëherësh paraqet shkelje të gjakut të dëshmorëve dhe fyerje ndaj qytetarëve të Kosovës,...është fyerje e rënd për çlirimtarët, për invalidët e luftës që lanë gjymtyrët e trupit të tyre për lirinë e vendit, për nënat e motrat tona të dhunuara nga kriminelët serbë... Përderisa dialogu "teknik" solli Fusnotën*, dialogu politik Kosovës i solli Platformën për ndarje territoriale e politike për defunksionalizimin e shtetit të Kosovës,...e për më tepër se kaq Asociacioni i komunave serbe, përveç ndarjes finale të pjesës veriore, do të shkaktojë ndarje të sovranitetit të shtetit në dysh, mes serbëve dhe shqiptarëve! Këto të arritura të politikës serbe në Kosovë janë fryt i dialogut politik,...lidershipi ynë shkoi aq larg me çmendurinë politike, duke e quajtur këtë si "kapitull i ri" për Kosovën! Kështu kanë të drejtë ta quajnë pushtuesit serbë, që çdo ditë avancojnë me shtrirjen e tyre gjeografike e politike në Kosovë...,e cila për popullin e Kosovës s'ka si të jetë ndryshe veçse një pushtim i ri, një kapitull i rrëshqitjes së Kosovës nga shtetësia e saj. Po mos të ishte kështu, Kosova duhej të zbatonte formulën e reciprocitetit ndaj shtetit serb, rregull kjo e dialogut mes të barabartëve. Reciprociteti do ta detyronte Serbinë të pranojë elementet e shtetësisë sonë,...që ndoshta do të ishte një hap i normalizimit të marrëdhënieve me shtetin serb!?

Nga dialogu Serbia mori gjithçka, Kosova asgjë!

Me Serbinë nuk do të duhej filluar fare dialogu, pa ndodhur hapi i parë i saj, që është kërkimfalja publike për të gjitha të bëmat e saj ndaj popullit shqiptar të Kosovës, jo vetëm në luftën e fundit, por tani e një shekull më parë. Kosova nuk e ka asnjë arsye të ngutet e të vrapojë pas Serbisë, në plotësimin e kushteve të saj për anëtarësim në BE. Do të duhej të ishte Serbia ajo që vrapon në zhbërjen e strukturave të saj në veri e gjithë Kosovën, rrënimin e barrikadave, për kthimin e afro të 1650 shqiptarëve të zhdukur, kthimin e të gjithë librave amzë e atyre kadastral, kthimin e pensioneve e të gjitha pasurive të tjera të grabitura gjatë luftës së fundit. Mirëpo kjo nuk po ndodh, sepse ka munguar e vazhdon të mungojë trysnia e Qeverisë së Kosovës ndaj Brukselit për këto gjëra e të tjera si këto. Në politikën ndërkombëtare përfiton ai që insiston e konsiston më shumë në kërkesat e veta e jo ata që pranojnë gjithçka qe u servohet në tavolinë,... Qeveritarët tanë, në vend që të iniciojnë kërkesa ndaj Brukselit për funksionalizimin e shtetit të tyre, u shkojnë prapa kërkesave të Serbisë, duke i pranuar njërën pas tjetrës. Serbët kërkuan decentralizimin etnik, ndodhi legalizimi i enklavave serbe. Serbia kërkoi Ligjin për trashëgiminë kulturore (për kishat e manastiret serbe), ligjvënësit tanë e aprovuan, Serbia kërkoi heqjen e Republikës e vënien e Fusnotës*, liderët tanë e nënshkruan atë, Serbia kërkojë amnistimin e kriminelëve, Kuvendi i Kosovës e miratoi në plotëni, duke i sistemuar ata nëpër institucionet shtetërore, FSK dhe Policinë e Kosovës! Thaçi me kërkesën e Brukseli e nënshkroi marrëveshje fatkeqe të 19 prillit 2013 për themelimin e Asoaciacionit ("Zajednicës"), partitë politike (pozitë dhe opozitë) në Kuvendin e Republikës së Kosovës me përjashtim të VV-së e aprovuan një turp të tillë! 

Aventura e Thaçit dhe abuzimi me kryeministrin

Përderisa 6 vjet më parë i porsaliruari nga Haga (Ramush Haradinaj) me ndryshimin konceptual i kishte befasuar të gjithë qytetarët e Kosovës, me sorollatjet rrugëve të Kosovës për shuarjen e etjes për pushtet, ish-kryeministri Thaçi nuk i plotësoi dëshirën, pasi nën sqetull e kishte futur LDK-në postRugoviane,...kurse vitin e kaluar të porsaliruarit nga Colmari i Francës (Ramush Haradinajt), presidenti Thaçi i plotësoi ëndrrën jetësore për të shijuar edhe një herë postin e kryeministrit në qeverisje me Listën "Srpska". Mbase është momenti i fundit të ndalet aventura e Thaçit. Nëse edhe tani nuk ndalet aventura e presidentit të Kosovës në këto bisedime, atëherë përmbyllja (finalja) e dialogut do të ketë epilog tepër të dhimbshëm, gjegjësisht do të shënoj kapitullin e zi për Kosovën Largimi i presidentit Thaçi nga posti i kryenegociatorit dhe ndërprerja e menjëhershme e bisedimeve të pabarabarta në Bruksel, jo vetëm se do ta shpëtonte Kosovën nga ndarja, do ta parandalonte invazionin politik të Serbisë në Kosovë. E ashtuquajtura Rezolutë për normalizimin e marrëdhënieve me shtetin serb, e transformuar në "Pajtim në këmbim të njohjes", s'është gjë tjetër veçse një formë e amnistimit të krimeve serbe para dhe gjatë luftës në Kosovë. Ky është kulmi i dështimit dhe i marrëzisë politike të pushtetarëve aktual. Asnjëherë deri më sot nuk më ka rënë të dëgjojë që viktima të kërkojë pajtim më xhelatin, më dhunuesin dhe atë pa asnjë kusht! Sa paradoksale, po aq e papritur është kur dëgjon "sponzorizuesit" e "Pajtimit me Serbinë", ish "luftëtarët" e djeshëm të thonë; "dialogu është mënyra e vetme e zgjidhjes së problemeve", që vetvetiu e parashtron pyetjen reale; për çfarë luftoi dje UÇK-ja!? Luftoi për normalizim të marrëdhënieve apo për çlirim nga Serbia!? Në këtë pyetje duhet të përgjigjen çlirimtarët që lejuan maskaradat mashtruese të Hashim Thaçit për 10 vjet rresht. Nëse vërtet tani nuk ndalen aventurat e presidentit, atëherë përgjegjës për ndarje të Kosovës janë ata që e lejojnë Hashim Thaçin të shkojë tutje me dialogun vrastar të shtetit të Kosovës në Bruksel!

Shkarkimi i presidentit dhe shpërbërja e Parlamentit, shpëtim për vendin

Parlamenti i Kosovës, për të parandaluar aventurat e presidentit Thaçi, fillimisht duhet shfuqizuar të gjitha nënshkrimet e ish-kryeministrit në marrëveshjet e Brukselit dhe shkarkimin e menjëhershëm i Thaçit si pikënisje e gjithçkaje. Formimi i menjëhershëm i një Qeverie të shpëtimit kombëtar në mbrojtje të shtetit të Kosovës deri në mbajtjen e zgjedhjeve të lira e demokratike. Ketë e kanë për detyrë ta bëjnë të zgjedhurit e popullit, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për hir të gjakut të dëshmorëve, për hir të sakrificave të shumë brezave që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këndej. Të ngrihemi të gjithë në mbrojtje të shtetit pa dallim partiak apo fetar, me të gjitha mjetet demokratike, duke filluar nga: protestat, demonstratat, grevat e përgjithshme deri në një rezistencë aktive e paqësore mbarëkombëtare. Mbrojtja e territorit është e drejtë universale. Përderisa bashkësia ndërkombëtare serbëve në veri ua lejojë barrikadimin në një territor të huaj tani e 19 vjet më parë, pse të na pengojë neve në mbrojtjen e territorit të shtetit të njohur ndërkombëtarisht. Shteti i Kosovës duhet të bëhet përnjëmend e jo me improvizime, sikurse deri më tani. Republika e Kosovës pa fusnota ose ndryshe nuk mund të ekzistojë, sikurse pavarësia e shtetit, që duhet të jetë e plotë ose ndryshe nuk mund të quhet ashtu, nuk ka gjysmë pavarësi, sikurse që nuk mund të ketë shtet me gjysmë liri. Është e pabesueshme si po i lejon akoma ky popull të ndodhin gjithë këto marrëzira në ketë vend!

 

(Kosova Sot)