Krimet e luftës nuk parashkruhen

Krimet e luftës nuk parashkruhen
  • 12 July 2018 - 08:17

SHKRUAN: MUHAMET KELMENDI

Heshtja këtu nuk është te nxjerrja e drejtësisë në dritë, por te përpjekjet në vazhdim të z. Thaçi për të ruajtur veten nga ndonjë përgjegjësi eventuale nga Gjykata Speciale

Në kuadër të diskutimeve për gjoja pajtim me shtetin serb, po diskutohet edhe çështja e amnistisë së kriminelëve serbë, kuptohet për dhunën dhe gjenocidin e bërë në Kosovë. Ky diskutim që po bëhet në nivel të delegacionit të Kosovës e ka bazën tek ideja e z. Thaçi se nuk ka temë tabu që nuk do të diskutohet. "Kosova është e përgatitur për kompromise, deri edhe pajtimi midis shteteve". Kjo ide nënkupton edhe amnistinë e kriminelëve serbë për dhunën dhe terrorin e bërë ndaj shqiptarëve. Në fakt, një kësi amnistomi e ka bërë Kosova për kriminelët e organizuar rreth subjektit kriminal:"Rojat e Urës". Këtë po do z. Thaçi ta bëjë në mënyrë gjoja reciproke me amnisti. Gjendja e reciprocitetit këtu është anomali. Shqiptarët kanë pësuar dëme të mëdha që kurrsesi nuk mund të krahasohet me dhunën ndaj serbëve.

Duhet përgjegjësi për çdo krim dhe dëm të bërë

Në vitet 1989/90 janë vrarë e masakruar mbi 13 mijë shqiptarë. Po në këtë periudhë u përdhunuan mbi 20 mijë femra shqiptare dhe u shkatërruan mbi 150 mijë objekte të ndryshme në Kosovë. Nën presionin e dhunës, të terrorit dhe të gjenocidit u dëbuan 1 milion shqiptarë jashtë vendit. Kjo dhunë ka elemente të gjenocidit mbi baza nacionale dhe raciste. Ndërsa, dhuna, nëse quhet kështu, ndaj serbëve në Kosovë, rrjedh kryesisht nga veprimtaria çlirimtare e UCKsë. Natyrisht se nuk përjashtohen edhe rastet se në këtë veprimtari bien dhe kanë rënë edhe civilë serbë, sikundër edhe forca militare e policore kriminale serbe. Këto të dyja nuk mund të barazohen. Duhet përgjegjësi për çdo krim dhe dëm të bërë. Nuk është me rëndësi përkatësia nacionale. E në këtë anë, Serbia është e mbushur me dhunë dhe me kriminalitet. Ato nuk mund të amnistohen. Kuptohet se as dhuna ndaj civilëve. E tërë kjo vjen edhe nga e drejta ndërkombëtare për krime të luftës dhe gjenocide. Në atë të drejtë nuk njihet instituti i amnistisë së këtyre krimeve dhe të kriminelëve. Ato janë krime që nuk vjetërsohen kurrë. Edhe sot ndiqen krimet dhe kriminelët e LDB-së.

Shteti serb nuk ka hequr dorë nga serbizimi i Kosovës me dhunë

Por, heshtja këtu nuk është te nxjerrja e drejtësisë në dritë, por te përpjekjet në vazhdim të z. Thaçi për të ruajtur veten nga ndonjë përgjegjësi eventuale nga Gjykata Speciale. Pse jam kundër amnistisë! Dhuna e shtetit serb ka qenë shkatërrimtare. Janë vrarë brenda disa muajve mbi 13 mijë veta. U dhunuan mbi 20 mijë femra dhe u dogjën e shkatërruan 150 mijë objekte. Mbi 1 milion i detyruan të ikin. Vetë kjo dhunë e këtij niveli brenda një kohe të shkurtë tregon për një politikë vdekjeprurëse të shtetit serb mbi popullin shqiptar. E kjo nuk amnistohet. Falën gjakrat, falet edhe ndonjë krim, por nuk falet dhuna vdekjeprurëse. Kjo, edhe për faktin, se edhe pas 20 vjetëve, shteti serb nuk ka hequr dorë nga serbizimi i Kosovës me dhunë. Beogradi po bënë çmos të ndajë dhe copëtoj Kosovën. As edhe një cent nuk ka paguar për dëmet. Vetëm disa veta sa për formë u dënuan. Askush nuk është përgjigjur për përdhunimet e femrave shqiptare. Kurrë nuk kërkoi falje për dhunë dhe gjenocid. Pra, si ka amnisti me të tillë kriminel!Jo? Kosova duhet të qëndrojë në të drejtën e vetë dhe të përpiqet për përgjegjësi totale të të gjithë atyre që kanë bërë krime dhe përdhunime. Nuk ka fare rëndësi përkatësia nacionale. Krimi dhe gjenocidi nuk kanë komb dhe gjuhë, racë dhe gjini. Ajo dënohet njëjtë ndaj çdokujt që e bënë. Kuptohet se bisedime duhet bërë. Por, jo në dëm të Republikës. Mjaft z. Thaçi në marrëveshje tipike armiqësore dhe të dënueshme edhe me ligjet e Republikës.

(Kosova Sot)