Problemi i BE-së me Dublinin - Opinione - Kosova Sot
Problemi i BE-së me Dublinin

Problemi i BE-së me Dublinin

Shkruan: DANIEL GROS

Tensionet rreth imigracionit vazhdojnë të dominojnë politikën evropiane. Në Itali, ministri i Brendshëm, Matteo Salvini, një politikan populist, po monopolizon vëmendjen e publikut me deklarata pothuajse të përditshme kundër emigrantëve. Po ashtu, homologu gjerman i Salvinit, Horst Seehofer, krijoi një krizë në koalicionin qeverisës për të siguruar masa të reja kundër azilkërkuesve që u përpoqën të hynin në Gjermani nga Austria. Derisa vendet e tyre që kanë mbetur për të luftuar imigracionin e paligjshëm, Salvini dhe Seehofer pretendojnë se ata duhet të përqendrohen te zgjidhjet kombëtare dhe jo evropiane të këtij problemi. Ata e kanë gabim. E vërteta është se Bashkimi Evropian ka qenë i dobishëm në zvogëlimin e flukseve të të ardhurve të parregullt, numri i të cilëve ka rënë ndjeshëm që nga fluksi masiv i refugjatëve sirianë, nëpërmjet Greqisë dhe Hungarisë, në vitin 2015. Falë marrëveshjes që BE-ja arriti me Turqinë në mars të vitit 2016, shumë pak njerëz tani po kalojnë në Greqi. Po kështu, numri i të sapoardhurve në Itali është vetëm një pjesë e totalit të tyre vitin e kaluar. Në përgjithësi, kalimet e paligjshme në BE janë reduktuar në rreth 100,000 në vit, krahasuar me më shumë se një milion që mbërritën në vitin 2015.

Menaxhimi i refugjatëve

Duke pasur parasysh popullsinë e BE-së prej mbi 500 milionë banorë, ky numër është i menaxhueshëm në mënyrë të dukshme. Megjithatë, politikanët vazhdojnë të shfrytëzojnë çështjen e migrimit, me disa të ardhur të bërë publikë - në veçanti, numri i madh i emigrantëve që janë shpëtuar nga brigjet e Libisë - duke e mbajtur çështjen në lajme. Sidoqoftë, çështja e vërtetë që duhet të zgjidhet është se cili vend duhet të jetë përgjegjës për ata që tashmë kanë hyrë në territorin e BEsë. Dështimi i BE-së për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje në një mënyrë që kënaq të gjitha palët tani po kërcënon mbijetesën e Zonës Shengen të udhëtimit pa kufi. Në letër, BE ka rregulla të qarta për këtë çështje: nën të ashtuquajturën Rregullorja e Dublinit, vendi i parë i BE-së që azilkërkuesit hyjnë është përgjegjës për shqyrtimin e aplikacioneve të tyre. Por vendet me kufij të jashtëm, si Greqia dhe Italia, natyrisht ankohen se kjo i ngarkon me një barrë të padrejtë. Edhe vetë azilkërkuesit i rezistojnë këtij rregulli. Duke pasur parasysh kushtet e pafavorshme të tregut të punës në vendet e kufirit jugor, shumë prej tyre bëjnë përpjekje që të arrijnë në vendet e Evropës veriore, që të kërkojë azil. Kjo është arsyeja pse Gjermania, e cila nuk ka kufij të jashtëm me vendet jashtë BE-së, merr më shumë kërkesa për azil sesa Italia. Shumë raste të tilla tashmë janë regjistruar në bazën e të dhënave të azilit të BE-së, EURODAC.Sipas Rregullores së Dublinit, Gjermania ka të drejtë të kërkojë nga shtetet e tjera anëtare të "marrin përgjegjësinë" për këto raste. Por, ka shumë përjashtime nga rregulli i vendit të parë të mbërritjes. Për shembull, nëse një azilkërkues tashmë ka familje në një vend tjetër (në këtë rast, Gjermani), ai vend mund të jetë përgjegjës për përpunimin e aplikacionit. Ose, nëse një azilkërkues arrin të largohet nga vendi i mbërritjes për tre muaj, aplikimi fillestar mund të tërhiqet dhe një i ri të dorëzohet në një shtet tjetër anëtar të BE-së.

'Transferimet e Dublinit'

Këto përjashtime iu japin azil kërkuesve hapësirë të mjaftueshme për të kundërshtuar 'transferimet e Dublinit' në gjykatë. Për më tepër, autoritetet kombëtare kanë një nxitje të fortë për të kundërshtuar kërkesat për transferim në baza formale ose substanciale, duke u përpjekur të dërgojnë jashtë vendit sa më shumë imigrantë që të jetë e mundur. Rreth 160,000 kërkesa "të marrjes së përgjegjësisë" u paraqitën në vitin 2017, megjithëse vetëm rreth 20,000 u zbatuan në të vërtetë. Këta faktorë, së bashku me mospërputhjet midis sistemeve ligjore dhe procedurave administrative të shteteve anëtare të BE-së, kanë asgjësuar vlerën e Rregullores së Dublinit. Ishte ky realitet që qëndronte në rrënjë të tensioneve të fundit brenda qeverisë së koalicionit gjerman. Nga më shumë se 60,000 kërkesa për marrjen e përgjegjësive nga autoritetet gjermane në vitin 2017 sipas Rregullores së Dublinit, më pak se 15% janë zbatuar në të vërtetë, duke rezultuar vetëm në 7,100 transferime në shtetet e tjera anëtare. Megjithatë, në vitin 2016, Gjermania zbatoi afërsisht 30% të 27,000 kërkesave hyrëse që ajo mori, që do të thotë se ajo mori përgjegjësinë për rreth 8,700 njerëz. Gjermania është bërë kështu një marrëse e 'transferimeve të Dublinit', pavarësisht mungesës së një kufiri të jashtëm. Duke pasur parasysh këtë, Seehofer dëshiron të parandalojë azilkërkuesit të cilët janë regjistruar gjetiu në EURODAC-it nga hyrja ndonjëherë në Gjermani. Por, ai nuk është i vetëm në zhgënjimin e tij: rezultati i hendekut midis parimeve ligjore dhe realitetit është se asnjë shtet anëtar nuk është i kënaqur me sistemin aktual. Ndërsa vendet kufitare vazhdojnë të këmbëngulin që Rregullorja e Dublinit nuk është e drejtë ndaj tyre, vendet veriore ankohen se ajo nuk po zbatohet siç duhet.

Demonizimi i refugjatëve

Një sistem azili në të cilin më shumë se një duzinë burokraci kombëtare përpiqen të kalojnë aplikantët te njëra-tjetra, si patate të nxehta, nuk mund të funksionojnë. Zyra Evropiane për Mbështetjen e Azilit (EASO) duhet të jetë përgjegjëse për interpretimin e rregullave për caktimin e refugjatëve - duke vendosur, për shembull, se cili shtet është përgjegjës kur shtetet anëtare nuk pajtohen në raste të veçanta. Sigurimi i stimujve financiarë për pranimin e refugjatëve - të themi, një shumë e madhe për secilin prej tyre - gjithashtu do të ndihmonte. Këto dy masa nuk do t'i kënaqin populistët. Kundërshtimi ndaj refugjatëve dhe emigrantëve - madje edhe demonizimi i tyre dhe mbështetësve të tyre - është ushqimi i tyre politik. Por, forcimi i EASO-s dhe rritja e mbështetjes financiare duhet të shkojnë në një farë mënyre drejt zbutjes së tensioneve të sotme, të paktën derisa të parashikohet një reformë rrënjësore e sistemit të azilit të Evropës.

(Daniel Gros është drejtor i Qendrës për studime politike evropiane, me seli në Bruksel)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)

13 orë e 40 minuta më parë
18/07/18