"Konkurs diplomatik" i Thaçit, kërkohet një Vili Brant në Serbi!

  • 30 August 2015 - 10:16

Barometri diplomatik

Thaçi e çoi në vend besën politike të Bajram  Rexhepit, minoritetit serb "AUTONOMI THELBËSORE"

Shkruan Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Pas kapitullimit të politikës dhe të diplomacisë së Prishtinës zyrtare me nënshkrimin e asaj Marrëveshjeje, në Serbi nuk mund të gjendet më "për pykë të sajës" asnjë Vili Brant dhe asnjë Dimitrije Tucçoviq,  sepse "Ustavobranitelji": Tomislav Nikoliq (president), Aleksandar Vuçiq (kryeministër) dhe Ivica Daçiq (nënkryeministër dhe ministër i Jashtëm) të Serbisë, ia kanë arritur qëllimit që t'i  qetësojnë serbët me zgjidhjen e statusit politik të minoritet serb në Kosovë, duke u siguruar atyre autonominë e plotë (të drejtën e vetëvendosjes së brendshme) në përputhje me ligjet dhe me Kushtetutën e Serbisë (2006), sipas së cilës "Kosova është Serbi"

Dhuratë e çmueshme dhe e papritur kjo për Beogradin dhe për "doshlakët" serbë në Republikën e Kosovës

Arritja e Marrëveshjes së ZSO-së nuk është befasi, por vetëm konfirmim dhe vulosje e përmbushjes së premtimit të palës shqiptare për njohjen e autonomisë  së minortitetit serb në Kosovë (2007). Mirëpo, në vend se të ripohohet  kjo e vërtetë e Bajram Rexhepit për njohjen e  "autonomisë thelbësore" serbëve në Kosovë, ministrat e qeverisë së Kosovës, Hashim  Thaçi dhe Edita Tahiri, "buldozerët diplomatikë"  të Kosovës, pohojnë të kundërtën se gjoja me përfundimin e  kësaj Marrëveshjeje   "Serbia e ka njohur Kosovën"!?

Këtë "diplomaci elastike"  të tandemit Thaçi-Tahiri, e mbështesin me fanatizëm, edhe  partizanët e zjarrtë tyre si  në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri (kryeministri aktual Rama, ish-kryeministri Berisha, ish-kryebashkiaku i Tiranës, Basha me PD-në) se gjoja  kjo Marrëveshje "nuk rrezikon sovranitetin" e Kosovës. Përkundrazi,  kjo "dardhë me bisht të gjatë" është në funksion të rrënimit të shtetësisë dhe të pavarësisë së Kosovës, ndryshe ustavobranitelët e Kushtetutës serbe (2006), do ta refuzonin këtë Marrëveshje, e cila në thelb përligj vetëm interesat  nacionale dhe shtetërore hegjemoniste dhe kolonialiste të Serbisë ndaj Kosovës.

 

Tani pas arritjes së këtij  "pakti"  kapitullues   me ustavobranitelët serbomëdhenj: Nikoliq, Vuçiq dhe Daçiq, nuk ekziston nevoja të gjendet asnjë Vili Brant në Serbi, sepse serbomëdhenjtë kanë realizuar projektin e tyre strategjik, janë plotësisht të kënaqur, duke fituar statusin special autonom për minoritetin serb në Kosovë.  Tani, me të arritur objektivin e tyre gjeopolitik, ustavobranitelët e Kushtetutës (2006) sipas së cilës  "Kosova është Serbi", nuk kanë nevojë më, që të gjejnë ndonjë Vili Brant në Serbi, sepse, tanimë kanë mbaruar punë me Thaçin (të cilin, sipas ustavobranitelëve, e pret procesi gjyqësor i Gjykatës Speciale) , i cili ka meritat kryesore  për përmbushjen  dhe  për konfirmimin e premtimit të ish-kryeministrit të tij, Dr. Bajram Rexhepi, se  pas shpalljes së pavarësisë  së Kosovës, serbëve, do t'u njihet "autonomia thelbësore".

 

 

 "Autonomia thelbësore brenda Kosovës së pavarur"

 

"Bravo" i qoftë Thaçit që çoi në vend  besën e dhënë të bashkëpartiakut të tij, Bajram Rexhepi, cili qysh  në qershor të vitit 2007, pati deklaruar se: "Jemi të vetëdijshëm se, do të jetë problem integrimi i veriut në sistemin e Kosovës, por oferta jonë është që, njerëzve, të cilët jetojnë në veri të Ibrit, t'u njihet AUTONOMIA THELBËSORE brenda Kosovës së pavarur.

Pavarësisht nga efekti negativ politik i kësaj deklarate, ish-kryeministri i Kosovës, si burrat e moçëm me besë, u dha premtimin  "doshlakëve" serbë, se me t'u shpallur Kosova shtet i pavarur, atyre do t'u njihet statusi special "Autonomia thelbësore brenda Kosovës së pavarur".

 

Marrëveshja famëkeqe, në interesin politik dhe gjeopolitik të Serbisë

 

Pra, kush di të lexojë "gramatikën politike" të "honekerëve" të rinj të Kosovës, duhet të kuptojë se kjo është esenca e përmbajtjes së Marrëveshjes së ZSO-së-autonomi politike mbi Planin e Ahtisarit dhe  mbi Kushtetutën e Republikës së Kosovës (17 shkurt 2008).

 

Ky është kompromisi dhe pajtimi  i përkohshëm me shqiptarët në Kosovë derisa minoriteti serb të fitojë "minishtetin" e vet, ose të shkëputet tërësisht nga Kosova, e t'i bashkohet Serbisë.

 

Nuk ka asnjë dyshim se me këtë Marrëveshje famëkeqe në interesin politik dhe gjeopolitik të Serbisë, ustavobranitelët dhe "honekerët" arritën  "kompromis historiko-politik-diplomatik", që  një ditë të afërt, Kosova të FEDERALIZOHET ose të COPËTOHET nga Serbia, ashtu sikurse ndodhi me "Republika srpska" në Bosnjë e Hercegovinë (BeH).

 

Kjo është ide shumë e vjetër, që ka të bëjë me zgjdhjen e çështjes së sllavëve të Jugut në Ballkan, të gjithë të bashkuar nën "kurorën" e Monarkisë së Serbisë-Piemontit sllav në Ballkan.

 

Këtë ide të rrezikshme dhe të dëmshme për Ballkanin dhe për Evropën, me kohë, qysh para shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, e pat kuptuar drejt vetëm presidenti amerikan Woodrow Wilson  dhe  Arqiduka  i qeverisë së Austro-Hungarisë, Franc Ferdinand (të cilët së bashku, pas vizitës që i bëri Franz Ferdinand në Amerikë, kishin gjetur  gjuhë të përbashkët  për zgjidhjen  e  drejtë të  " çështjes sllave" në Evropën Lindore, por  për invaduesit serbë dhe aleatët e tyre evropianë me Rusinë në krye, ishte e papranueshme. Ky ishte shkaku dhe motivi kryesor politik dhe terrorist i Serbisë, që e vrau Archidukën austriak, sepse ishte kundër idesë dhe platformës së Projektit të Serbisë së Madhe, të gjithë serbët brenda Monarkisë serbe) i Perandorisë Austro-Hungareze, i cili, gjatë  një vizite zyrtare që  i bëri Sarajevës, me rastin  e "inspektimit të trupave ushtarake perandorake në Bosnjë e Hercegovinë, të cilën Austro-Hungaria e kishte aneksuar më 1908", edhe e pagoi me kokë së bashku me bashkëshorten e tij, Sofia në atentatin politik serb, të kryer nga terroristi Gavrilo Princip në Sarajevë, më 28 qershor 1914, të  organizuar, të planifikuar dhe të kryer nga  "Dora e zezë" e Dragutin Dimitrijeviqit (APIS) me seli në Beograd të Serbisë.

 

 

Të kërkohet një Vili Brant në Serbi, është njësoj sikur të kërkosh njohjen e Kosovës nga Shesheli!

 

Në këtë rast   nuk do të mund të ndihmonin, as Konrad Adenaur, as Vili Brant, as Helmut Shmit e  as Helmut Kol, sepse ky kompromis politiko-tregtar i njëanshëm  krejt serb, është aq i keq dhe, aq i dëmshëm për interesin nacional dhe shtetëror të shqiptarëve në Kosovë, saqë  asnjëri prej këtyre kancelarëve gjermanë, kurrë nuk do të pranonte një Marrëveshje të tillë si zgjidhje për popullin  gjerman dhe Gjermaninë, duke sakrifikuar atributet shtetërore të Gjermanisë, për ndonjë "kod telefonik" të  fituar nga Gjermania Demokratike Lindore e Erich Honekerit prosovjetik.

 Eh, tash, pas këtij kapitullimi politik, diplomatik, kombëtar dhe shtetëror, kryediplomati i Kosovës, Hashim Thaçi ka të drejtë,  që ka shpallur "konkursin diplomatik"  për gjetjen e ndonjë Vili Branti  në Serbi,  i cili, do të ndërmjetësonte në pajtimin  e  Serbisë dhe të Kosovës, duke kërkuar falje publike të përbotshme, për shkak se Serbia ka bërë krime në Kosovë.

 Ky farë "konkursi diplomatik" i hashimëve, do të duhej të shpallej, qysh para 16 vitesh (1999-2015), para se të lidhej   "pakti politik"  me kryeministrin  serb, Aleksandar Vuçiq për  njohjen e  "autonomisë thelbësore"  serbëve në Kosovë, më 25 gusht 2015.

 Prandaj,  pas kapitullimit të politikës dhe të diplomacisë së Prishtinës zyrtare me nënshkrimin e asaj Marrëveshjeje , në Serbi nuk mund të gjendet më "për pykë të sajës" asnjë Vili Brant dhe asnjë Dimitrije Tucoviq,  sepse "Ustavobranitelji": Tomislav Nikoliq (president), Aleksandar Vuçiq (kryeministër) dhe Ivica Daçiq (nënkryeministër dhe ministër i Jashtëm) të Serbisë, ia kanë arritur qëllimit, që t'i  qetësojnë serbët me zgjidhjen e statusit politik të minoritet serb në Kosovë, duke u siguruar atyre autonominë e plotë ( të drejtën e vetëvendosjes së brendshme) në përputhje me ligjet dhe me Kushtetutën e Serbisë (2006), sipas së cilës "Kosova është Serbi"!?

 

Sa "diplomaci e thellë" kjo, ustavobranitelët  e Serbisë dhe "honekerët" e Kosovës arritën "marrëveshjen historike" "kompromisin reciprok politik" në Bruksel (25.08.2015),-Mitrovicën Veriore Serbisë, kurse Kodin  e ri telefonik (383) Kosovës. "Bravo", tender i pranueshëm ky  për ustavobranitelët e Serbisë dhe për "honekerët" e Kosovës.

 Sipas këtij "pazari pa hanxhiun", tash paska ngelur të bëhet vetëm pajtimi dhe përqafimi  i viktimës me agresorin  pushtues dhe  gjenocidal serb(1989-1999) !?