Thaçi-Mustafa, kumbarët e Asociacionit kundërkushtetues

Thaçi-Mustafa, kumbarët e Asociacionit kundërkushtetues
  • 14 November 2018 - 08:10

SHKRUAN: MUHAMET KELMENDI

Është çështje serioze dhe tepër domethënëse të dëgjosh mendime nga z. Thaçi e Mustafa se si ruhet Republika e Kosovës!? Është mirë nëse këta të dy dalin dhe tregojnë veprimet shkatërrimtare ndaj Republikës, në mënyrë që të besohet në mendimet gjoja pozitive. Z. Mustafa doli me qëndrime para kryetarëve të degëve të LDK-së se si duhet të ruhet Republika, kuptohet në masa që i propozon ai, të cilat na qenkan kushtetuese. Po kështu është edhe deklarata e z. Thaçi lidhur gjoja me ruajtjen e tërësisë territoriale, por duke bashkuar gjoja Luginën e Preshevës me Kosovën.

Askush nuk është kundër bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën

Dua të them se në parim askush nuk është kundër bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën. Mirëpo, çdo kush është kundër ndarjes së Kosovës dhe të copëtimit të territorit. Këtu duhet të sjellim dy marrëveshje: 1. Marrëveshja e nënshkruar nga z. Thaçi për Asociacion serb të vitit 2013 dhe 2. Marrëveshja e nënshkruar nga z. Mustafa për Asociacionin serb të vitit 2015. Të dy këto marrëveshje janë dhe mbesin shkatërrimtare për Republikën dhe se mu këta që gjoja janë për tërësi territoriale kanë kryer vepra kundër Republikës së Kosovës me Asociacionin e nënshkruar mu nga z. Thaçi dhe z. Mustafa.

Marrëveshjet antishtetërore

Mu kjo tregon një rrezik potencial të Republikës nga këta dy persona. Është pikërisht ky tandem që ka nënshkruar marrëveshje dhe me siguri antishtetërore dhe tash dalin gjoja kundër. Të vjen për të vjellë kur dëgjon z. Mustafa se si ai dhe LDK duan ta ruajnë Republikën. Janë këta që kanë votuar Marrëveshjen për Asociacionin serb dhe mu këta dalin gjoja në ruajtje të shtetit. Ndërsa, rreziku potencial po vjen nga z. Thaçi. Ai po vazhdon me një aksion të koordinuar me shtetin serb, përkatësisht me kriminelin Vucic dhe, i përkrahur nga treshja Paris, Moskë dhe Beograd nuk po lënë vend dhe gur pa lëvizur në llogari të gjoja të korrigjimit pozitiv të kufirit dhe të bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën. Për këtë u takua edhe me kryetarin e shtetit agresiv, Rusinë, me shkatërruesin e paqes, Putin dhe, me një besueshmëri doli se gjoja respekton marrëveshjen dhe nuk e kundërshton Kosovën. Këtu nuk ka fare dyshim për tendencat dhe rrugën e rrezikshme për Kosovën. Kjo për faktin se Rusia kurrë nuk e dëshiron shtetin e Kosovës. Ndarjen po. Lidhur me veprat penale të kryera dhe me një arrogancë të egër të tandemit Thaçi-Mustafa nuk do të shkruajmë, sepse ka fakte e fakte, nene e nene të shkelura dhe që tregojnë veprën penale. Mjafton të thuhet se Republika është në rrezik. Ky rreziku duhet të luftohet me mjete demokratike dhe kurrë mos me lejuar ndarjen dhe copëtimin. Këtu nuk ka pardon.

 

(Kosova Sot)