Rritet çmimi i biletave të ndeshjes në Kosovës në tregun e zi

  • 11 October 2018 - 13:43
Rritet çmimi i biletave të ndeshjes në Kosovës në tregun e zi

Çmimi i biletave për ndeshjen e Kombëtares së Kosovës ndaj Maltës tanimë është dyfishuar në tregun e zi. Fillimisht, dje kishte filluar shitja e këtyre biletave për 20 euro, ndërsa sot biletat e njëjta po shiten për 40 euro.

Kosova do të përballet sonte me Maltën në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”. Kjo ndeshje do të jetë e vlefshme për grupin e tretë të Ligës D në kuadër të Ligës së Kombeve.

Biletat për këtë ndeshje kishin filluar të shiten të hënën në orën 17:00, mirëpo qytetarët kishin filluar të grumbulloheshin në pritje për t’i blerë ato qysh një orë para se të fillonte shitja. Madje, më vonë kishte eskaluar situata dhe policia ishte detyruar të ndërhynte me gaz lotsjellës për t’i shpërndarë qytetarët.

Edhe të martën ishin formuar linja të gjata të njerëzve në pritje para dyqaneve të IPKO-s qysh në orët e hershme të mëngjesit. Për shkak të interesimit tejet të madh, biletat ishin shitur brenda pak orëve.

Dje ishte raportuar se biletat tashmë kishin filluar të shiteshin në tregun e zi. Megjithatë, sot çmimet për këto bileta janë dyfishuar.

Biletat ishin shitur në tregun e zi edhe për ndeshjen e parë të Kosovës në shtëpi, kundër Ishujve Faroe. Megjithatë, Federata e Futbollit të Kosovës kishte paralajmëruar se do të merrte masat e nevojshme për të mos e lejuar shitjen e biletave në tregun e zi.

FFK-ja kishte bërë të ditur se do të fillonte shitja e biletave online, megjithatë kjo gjë nuk ndodhi dhe biletat për ndeshjen e sotshme filluan të shiten përsëri në tregun e zi, përkundër vendimit të FFK-së që një person të ketë mundësi t’i blejë vetëm pesë bileta.

 

(Kosova Sot)